568 vjet larg Skënderbeut
Preç Zogaj
Drejtuesit dhe oborrtarët më të lartë të shtetit komunist patën zbritur në Lezhë në vjeshtën e vitit 1979, për të përuruar me bujë qytetin e ri të markës së partisë, atë që kishte zhdukur nga faqja e dheut, si të mos kishte qenë kurrë, qytetin e vjetër me rrugica, dyqane, shkallë, kafene dhe shtëpi dykatëshe, të rrethuara me avlli. Alibia e këtij tjerërsimi të pakthyeshëm sot e gjithë ditën kishin qenë dëmet që kishin pësuar disa prej shtëpive nga tërmeti i atij viti. Lezha e re, një dyzinë pallatesh të vegjël si kuba, ndërtuar e hedhur shkel e shko me goditje të përqendruar, nuk dukej më si qytet. Shumë-shumë ngjante me një qytezë të improvizuar pranë ndonjë ndërmarrjeje bujqësore. E megjithatë, ndërsa banorët e vjetër vajtonin zhdukjen e qytetit të tyre shekullor, regjimi po kremtonte një ngadhnjim. Në fjalimin patetik që mbajti atë ditë para popullit kryeministri komunist citoi Enver Hoxhën, që paskësh thënë pak para se të dilnin në tribunë këto fjalë: Po të ngrihej Skënderbeu nga varri dhe të shihte Shqipërinë tonë do të na rrihte shpatullat dhe do të na thoshte: Ju lumtë bijtë e mi!
Domethënë, ju lumtë bijtë e mi që po luftoni dhe po u bëni qëndresë dy superfuqive të kohës, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik, siç i bëra unë në kohën time Perandorisë Osmane.
Në delirin e tyre, ata, drejtuesit komunistë, ndoshta ndiheshin vërtet trashëgimtarë të veprës së Skënderbeut dhe ndoshta besonin se ishin në lartësinë e madhështisë së tij. Për të mos thënë më shumë.
Por gjasat më të mëdha janë se shtireshin. Shtireshin si dishepuj dhe pasues të Skënderbeut, bënin politikë dhe retorikë me emrin e tij në funksion të shplarjes së trurit të miletit. Sepse nuk mund të mos e dinin, djalli e mori, se superfuqia me të cilën u ndesh Skënderbeu ishte një forcë pushtuese, ndërkohë që superfuqitë e kohës së Enverit ishin në punë të tyre dhe nuk ndërmorën ndonjë sulm ushtarak kundër Shqipërisë. Skënderbeu me ushtrinë e tij luftuan kundër hordhive pushtuese në emër të lirisë, Hoxha shpiku armiq, vrau e preu për pushtetin e tij. Paradigma apo ëndrra e Skënderbeut ishte Shqipëria e lirë në marrëdhënie të hapura me vendet europiane. Paradigma e Hoxhës ishte izolimi, shndërrimi i vendit në një burg të madh në funksion të sundimit të tij. Vetëm demagogët dhe të liqtë mund të vendosnin një përqasje midis përballjes së Skënderbeut me një superfuqi pushtuese dhe vetizolimit të Hoxhës nga bota demokratike, vetizolim që për populizëm ai e quante qëndresë!
Shpura e drejtuesve komunistë e dinte se Skënderbeu nuk mund të përgjigjej prej amshimi, përndryshe nuk do të ishin aq guximtarë e të paturpshëm sa të pretendonin bekimet e tij dhe lavdërimet e tij si renegatë e shkelës të ëndrrës së tij perëndimore. Në fakt, duke i mohuar heroit ëndrrën europiane, ata kishin mohuar vetë heroin.
E gjithë kjo parantezë mu rikthye në mendje dje kur në Lezhën e Besëlidhjes së Skënderbeut zbriti shpura e pushtetarëve të shumicës së sotme me kryeministrin Berisha në krye. Shkuan për të festuar pa opozitën dhe pa Presidentin një festë simbol të bashkimit, duke dëshmuar se sa larg vizionit të Skënderbeut është ky grupim politik 668 vjet pas Skënderbeut. Ishte më mirë që dita e Besëlidhjes ti lihej bashkisë, qytetarëve të lirë, nxënësve, të rinjve e të rejave, duke bërë një hap prapa politikanët, se sa të kremtohej me përçarje. Protagonizmi dhe përvetësimi i festës, sikurse vetë pëçarja që pason këtë sjellje, nuk kanë asnjë lidhje pozitive me festën, janë mohimi i saj.
Shqiptarët janë mësuar me protagonizmin ahistorik të Berishës dhe nuk u bën shumë përshtypje. Por dje në Lezhë kishte atentate të tjera politike ndaj ditës së Besëlidhjes. Kjo ditë e bardhë e historisë përkoi në kohë me një ditë të zezë të aktualitetit politik dhe shoqëror të vendit: me lajmin e përjashtimit të Shqipërisë nga axhenda e integrimit europian për këtë sezon. Zyrtarët e Brukselit bënë të ditur se Shqipëria nuk ka shënuar asnjë progres në plotësimin e kritereve thelbësore të Bashkimit Europian dhe prandaj nuk do të përfshihet as në rezolutat që do të miratohen këtë sezon për Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kosovën. Kjo do të thotë se shanset për të marrë ftesën e vendit kandidat në fund të vitit janë afër zeros, ndërkohë që vendet fqinje, edhe pse janë nisur shumë kohë pas nesh, po mbërrijnë para nesh. Populli më proeuropian i rajonit nuk mund të marrë lajm më të keq. Nuk kuptohet pas kësaj pse quhet e integrimit qeveria Berisha-Meta. Ajo mund ta mbajë këtë emër vetëm në regjistrin e hipokrizisë. Nëse ka një personazh historik, të cilit duhej ti fshihej Berisha një ditë pas mandatës nga Bruskeli, ky është pikërisht Gjergj Kastrioti. Nëse detyra e kryeministrit nuk e lejonte të manifestonte në këtë shkallë turpin për mbetjen e vendit në klasë, atëherë pritej prej tij të shkonte kokulur para vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë, të kërkonte ndjesë dhe të njihte, makar pa fjalë, përgjegjesitë e tij për ngecjen e integrimit, si pushtetari numër një në Shqipërinë e sotme. As njëra, as tjetra. Madje u pa qartë se në festën e Besëlidhjes, që nuk ishte një përvjetor i plotë, ai shkoi pikërisht për të kundërtën, duke e trajtuar Skënderbeun dhe kujtimin e tij si një sebep për të dhënë mesazhe pa lidhje me historinë dhe integrimin.
Në pjesët e mediatizuara të fjalës së tij ai nuk arriti të thoshte as pse e bëri Skënderbeu Besëlidhjen dhe kundër kujt luftoi ai dhe princat arbërorë që u bashkuan rreth tij. Lexova e dëgjova nga kryeministri se Skënderbeu kishte luftuar kundër superfuqisë më të madhe të kohës. Kaq. Mospërmendja e perandorisë osmane tingëllonte si shprehje kompleksi ndaj Turqisë së sotme. Një kompleks i tillë është totalisht pa sens historik, politik dhe diplomatik. Vetë Turqia moderne qemaliste ka lindur si një mohim i perandorisë dhe dinastisë osmane. Nëse ka njerëz në qeverinë e sotme të Turqisë, që thurin ëndrra neosmane, kjo nuk do të thotë aspak se shqiptarët do të fshehin apo censurojnë të vërtetën për heroin e tyre kombëtar, që u afirmua si i tillë pikërisht se përplasi shpatat me pushtuesit osmanë. Ti mohosh heroit armikun, në fakt do të thotë të mohosh heroin. Kjo është logjika. Kryetari i bashkisë së Lezhës, zoti Tusha, nuk e pati këtë kompkes. Përndryshe, fëmijët dhe ata që nuk kanë njohuri nga historia do të kishin menduar se Skënderbeu ka luftuar me mullinjtë e erës.
Mua me duket se kryeministri Berisha nuk ka komplekse. Ai mendon politikisht në bazë të formimit që ka dhe kalkulon politikisht në funksion të pushtetit dhe vetëm në funksion të pushtetit të tij. Nuk ka pikë rëndësi a kontraston me historinë ajo që thotë. Mospërmendja e superfuqisë kundër së cilës luftoi Skënderbeu, lënia evazive e frazës vjen edhe si nevojë për të aktualizuar, pra për ti dhënë një domethënie aktuale, përballjes se një udhëheqësi shqiptar me një superfuqi. Ndoshta mendon se në këtë mënyrë projekton veten në përballjen me superfuqinë e kohës së sotme, që është SHBA.
Nëse është kështu, këtu nuk nuk hyn fare Gjergj Kastrioti. Më saktë, duke qenë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk lëviz dot më nga Lezha, atje te varri i tij dhe të kisha ku realizoi Besëlidhjen e famshme nuk hyjnë fare renegatët e Shqipërisë europiane. Gjergj Kastrioti nuk luftoi kundër një superfuqie pavetore, por kundër perandorisë osmane; nuk luftoi për pushtet, por për lirinë e atdheut, nuk kishte paradigmë mbylljen, por Shqipërinë europiane. Ishte tjetëkush puthadori i orientit. Ishte Ballabani.