E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, pranga autorit të plagosjes

Mjeti i sekuestruar

Një 21-vjeçar i dyshuar si bashkëautor i plagosjes së Zaho Danajt në Vlorë, ngjarje e ndodhur 4 ditë më parë, është vënë në pranga nga policia. Paulo Sakaj, 21 vjeç,  i shpallur në kërkim prej 4 ditësh është vënë në pranga bashkë me dy të tjerë, të cilët udhëtonin me automjetin Mercedes-Benz me targa L 15TJC, me xhama të errët.

Sipas policisë së Vlorës, bashkë me Sakajn janë arrestuar edhe Albin Nazaj, 23 vjeç, në kërkim për disa vjedhje dhe Kristian Balliu, 24 vjeç.

Tre të rinjtë kanë qenë duke udhëtuar me mjetin e tyre, por nuk i janë bindur urdhri të një efektivi të Policisë Rrugore për të kontrolluar dokumentacionin. Ata janë larguar me shpejtësi nga postblloku, por janë përplasur me një automjet të Policisë së Shtetit pak më tutje, duke përfunduar në prangat e punonjësve të Policisë Kriminale dhe FNSH-së.

Policia e Vlorës prej ditësh është në rrugët e qytetit në një ndërveprim me të gjitha strukturat e saj duke filluar që nga Policia Rrugore, ajo e Krimeve Renea si dhe të ardhurit nga Fieri FNSH.

Prej ditësh në pika kyçe të qytetit të Vlorës janë ngritur postoblloqe për të bërë të mundur ndalimin e personave të kërkuar për vepra të ndryshme penale nga policia si dhe për të gjithë kundërvajtësit që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor ose të atyre që lëvizin me mjete, të cilat nuk e kanë të rregullt dokumentacionin. / Anila Peçi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›