568 vjet nga Besëlidhja e Lezhës – Skënderbeu dhe fisnikët shqiptarë vendosën krijimin e shtetit. Presidenti Topi bojkoton ceremonitë festive
-- Berisha: Kuvendi i Lezhës, shpirti i bashkimit kombëtar
-- Marrin pjesë personalitete të larta shtetërore të vendit dhe nga trevat shqipfolëse – bojkoton ceremoninë dhe aktivitetet e kësaj date historike, Presidenti Bamir Topi
-- Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha: Presidenti Topi refuzoi Lidhjen e Lezhës
Lezha përkujtoi sot 568-vjetorin e Kuvendit të Lezhës me një serë aktivitetesh, si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Ceremonia festive ka nisur në Obelisk, ku në shenjë simbolike është ngrituar edhe flamuri kombëtar si dhe është ndezur edhe Flakadan-i i Jubileut. Kryeministri Sali Berisha u shpreh në këtë ceremoni se sot është një nga ditët më të veçanta pasi Skëndërbeu dhe fisnikët shqiptarë vendosën në këtë qytet të krijonin shtetin e tyre. “Ne sot nderojmë Kuvendin e Lezhës të cilët shqiptarët do ta titullonin më pas si “Besëlidhja e Lezhës”, akt në të cilin burrat e këtij vendi vendosën të përballen me superfuqinë e kohës dhe të qëndrojnë të pamposhtur duke u bërë burim frymëzimi për popujt e tjerë të Europës dhe të botës. Sot ne nderojmë shpirtin e bashkimit kombëtar, 568 vjet më parë në këtë qytet lindi parimi i përjetësisë së shqiptarëve, i bashkimit të tyre “Një komb një qëndrim” theksoi Berisha. Duke u bashkuar në Lidhjen e Lezhës, Berisha tha se shqiptarët shkruajtën kapitullin më të ndritur të historisë së tyre. “Shqiptarët në këtë parim u bashkuan në Lidhjen e Prizrenit, dhe ia dolën. Shqiptarët u bashkuan në fund të dhjetëvjeçarit të shekullit të kaluar, “Një komb një qëndrim”, për çlirimin e Kosovës, dhe Kosova është sot e lirë. Eshtë ky parim i shenjtë që bën të mundur që ne sot të bashkohemi nga të gjitha trevat, si njerëz të lirë, si qytetarë të lirë”- tha kryeministri. Berisha nderoi edhe figurën e princit legjendar Skënderbeut duke theksuar se shqiptarët kanë tek ai burimin e përjetshëm të frymëzimit. “Shqiptarët kanë tek Skënderbeu burimin e përjetshëm të frymëzimit të tyre, trimërisë dhe guximit të tyre. Ai ishte burri që qëndroi me trimërinë më të madhe ndaj superfuqisë së madhe të kohës. Nuk është e rastit që u zgjodh Lezha, ajo u zgjodh se zemra juaj, shpirti jua, ishte më i arriri. Në këtë kontekst, po të mos ishte Lezha, nuk do të ishte Kruja, Prizreni, Vlora dhe Prishtina”- shtoi më tej kryeministri. Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë, Vikto Tusha tha se kjo datë jeton e gjallë në të gjithe mendjet e shqiptarëve. “Lezha hyri në historinë e kombit pasi në këtë vend u shkrua historia e lavdishme e kombit tonë”, theksoi Tushe ndërsa shtoi se Lezha është qyteti i kuvendeve më të rëndësishme në historinë e vendit.
Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha si dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti dhe Zv.kryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi dhe kreu i PDSH-së në Maqedoni Menduh Thaçi. Gjithashtu kryeministri Berisha dhe personalitete e lartë të vendit tonë dhe Kosovës kanë zhvilluar homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në memorialin dhe në varrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skëndërbeu. Më 2-Mars të vitit 1444 Gjergj Kastrioti Skënderbeu zgjodhi këtë qytet për të bërë të mundur bashkimin e gjithë princave shqiptar, si një vend i garantuar dhe i besës.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha: Presidenti Topi refuzoi Lidhjen e Lezhës
Kryebashkiaku i Lezhës, Viktor Tusha hedh poshtë alibinë e Presidentit Bamir Topi, rreth mungesës së tij në ceremoninë e organizuar, në përkujtim të 568 vjetorit të Lidhjes së Lezhës. Duke mohuar deklaratën e presidencës, kryebashkiaku Tusha theksoi se protokolli është bërë nga bashkia e Lezhës dhe jo nga qeveria dhe në të ka qenë e përfshirë edhe fjala e presidentit Topi. “Presidenti i Republikës duhet të kishte kurajën që t’i bashkohet Lidhjes së Lezhës pasi 568 vjet me parë Skënderbeu bashkoi princat në luftë kundër pushtuesve osman”- u shpreh Tusha. Në mesditë presidenca justifikoi mospjesëmarrjen e kreut të shtetit Bamir Topi në ceremonitë e Lezhës, se edhe pse kishte ftesë presidentit i ishte mohuar e drejta e fjalës. “Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës si dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni”.
...