Wollfarth: Të punohet për reformat, integrimi të shndërrohet në axhendë kombëtare

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth ka kërkuar nga klasa politike shqiptare të bashkëpunojë në përmbushjen e reformave të cilat do të bëjnë të mundur integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Nga qyteti i Fierit ku është takuar drejtues vendorë, ambasadori Ëollfarth theksoi se procesi i integrimit duhet të kthehet në një axhendë kombëtare. Sipas tij, politika duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë rekomandimeve të Bashkimit Europian ndërsa shtoi se ecja përpara me reformat është përgjegjësi e klasës politike. “Ky është një hap shumë i rëndësishëm që bën të mendosh se integrimi të jetë pika numër 1 në axhendën e vendit. Kjo kërkon përpjekje të përbashkëta nga drejtuesit politikë shqiptar. Është një hap që i takon Shqipërisë për të bërë përpara, për të bërë reforma që do ta çojë vendin drejtë integrimit”- u shpreh Wollfarth.
Ndërsa i është referuar reformës zgjedhore, ambasadori Wollfarth theksoi se OSBE-ja është e gatshme të asistojë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por shtoi se reforma zgjedhore duhet të ketë bashkëpunimin e të dyja palëve. Po ashtu, ambasadori i OSBE-se Wollfarth ka komentuar edhe miratimin e kodit penal ditën e enjte në parlament mes mazhorancës dhe opozitës. “Është një hap i rëndësishëm drejt integrimit, është një bashkëpunim i mirë në Parlament. Janë projekte që nevojiten për të ecur përpara. Ky është një rast që ndodhi në parlament për një çështje të rëndësishme. Jam i bindur se kjo do të vlerësohet dhe do të jetë pozitive për ta çuar vendin përpara, por për këtë duhen edhe hapa të tjerë. Shpresoj që e njëjta gje të ndodhë edhe me reformën parlamentare dhe atë zgjedhore. Shpresoj të mos jetë fundi i historisë, por që cilësohet si kapitull që lë vendin kapitujve të tjerë”- tha më tej kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth.