6 000 tituj nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Kosova, nesër në Ulqin
Nesër pritet të fillojë zhvillimi i një prej evenimenteve më të rëndësishme të librit në hapësirat mbarëshqiptare siç është Panairi tradicional i Librit “Ulqini 2009”. Plot 6000 tituj do t’i ofrohen publikut të apasionuar pas librave, mes të cilëve 500 janë botime të reja në vitrinën e librit. Një numër i konsiderueshëm shtëpish botuese nga Shqipëria do të marrin pjesë në këtë panair, ku mund të përmendim “Skanderbeg Books”, “Toena”, “Ombra GVG”, “Fan Noli”, “Neraida”, “Bota Shqiptare”, “Uegen”, “Argeta” etj. Ky panair sjell përgjithësisht botimet e Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjës. Evenimenti i librit është menduar që të zhvillohet nga data 27 korrik deri më 2 gusht 2009. Nuk do të mungojnë gjithashtu, prezantimet e romaneve, vëllimeve me poezi, përkthimeve të autorëve të njohur dhe takimet me shkrimtarët e njohur të hapësirës mbarëshqiptare. Personalitete të njohura të letërave, kritikës, studimeve, gjuhësisë e të përkthimit, publicistikës apo edhe të politikës nuk do të mungojnë sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të mëparshme kur të pranishëm kanë qenë shkrimtari Dritëro Agolli, Vath Koreshi, poeti Ali Podrimja, akademik Rexhep Qosja, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Luan Starova, Jevren Brkoviq, Rexhep Meidani, Ali Aliu, etj. Kujtojmë këtu se vitin e kaluar, Panairi i Librit të Ulqinit shtegtoi drejt Vlorës, ku 50 botues ekspozuan botimet e tyre të ndryshme për gjashtë netë me radhë në sheshet kryesore të qytetit bregdetar
Zbulohen dy vepra të Moxartit, do të luhen publikisht më dy gusht nga Florian Birsak
Fondacioni ndërkombetar “Mozarteum” i Salisburgut ka bërë të ditur se ka zbuluar dy vepra të panjohura të Wolfgang Amadeus Mozart. “Shërbimi i kërkimit të fondacionit ka zbuluar dy kompozime që janë prodhuar në rininë e Mozartit”, ka shpjeguar në një komunikatë instituti. Dy veprat muzikore për piano do të luhen më 2 gusht përpara medias nga Florian Birsak, me pianon e vet Moxartit, ne rezidencen e kompozitorit të njohur.
27 Korrik 2009