E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi rrëfen prapaskenat e blerjes së Bolonjës

“Futbolli, pedana e duhur për t’u përfshirë në sektorin energjetik italian”. “Nuk dua një skuadër në vendet e fundit, në të dytin fushatë agresive blerjesh”

Dash Frashëri

Rezart Taçi, bosi i “Taçi Oil International” dhe njëherësh edhe pronari i ri i klubit italian të Serisë A, Bolonjës (zotëron zyrtarisht 80 për qind të aksioneve) vazhdon të jetë në qendër të medias italiane. Gazeta e njohur “Corriere Adriatico” i ka kushtuar një speciale biznesmenit shqiptar. “Italinë e pa në vitet nëntëdhjetë kur ishte student në politeknikun e Torinos. Tani rikthehet sërish, por si padroni i ri i klubit të Bolonjës”, - shkruan gazeta në fjalë.

PLANET - Taçi ka “zbuluar” për mediat italiane edhe “projektin e tij ambicioz” për klubin italian për të cilin derdhi “kesh”, jo pak, por 24 milionë euro për 80 për qind të aksioneve të shoqërisë. “Ishin bisedime të vështira, pasi Menarinët (familja që kishte dhe kontrollin absolut) ishin shumë të lidhur me skuadrën dhe futbollin”, - citohet Taçi nga “Corriere Adriatico”, që kujton edhe faktin se shqiptari ka qenë më parë i interesuar për të blerë Livornon. Rezarti pohon se “futbolli është pasioni i tij”, por të futej në Serinë A italiane” është një kënaqësi personale, por dhe një sfidë e madhe”. “Është e vërtetë që nuk kemi shumë eksperiencë, - pranon Taçi, - por do të jemi të rrethuar nga njerëz që e njohin mirë këtë sektor dhe që do t’i angazhoj për të konsoliduar skuadrën”.

OBJEKTIVAT- I pari për “naftëtarin” shqiptare është garantimi i Bolonjës për një qëndrim të saj në Serinë A për sezonin e ardhshëm. “Sigurisht, - theskon Taçi, - nuk dua një skuadër në vendet e fundit”. Viti i dytë është dhe më agresiv: “Do të jetë një fushatë agresive blerjesh”. Për Taçin, Bolonja mund të jetë edhe një vitrinë për biznese të tjera në Itali. “Futbolli, - shpjegon Taçi- është shumë i dukshëm dhe mund të jetë pedana e duhur pët t’u përfshirë në sektorin energjetik italian”. Hapat e parë të toj në botën e biznesit datojnë në vitin 2000 kur hyri në tregun e karburanteve, në ortakëri me një italian. Më pas vendosi të themelojë kompaninë “Taci Oil International”. “Në vitin 2005- shkruan gazeta italiane, - gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, u sulmua nga lideri i opozitës së djathtë Sali Berisha, por në vitin 2008, ishte po Berisha, kreu i qeverisë, që i dha zotërimin e “Armo”-s, kompanisë më të madhe të rafinerimit dhe shpërndarjes së naftës në vend. Taçi ia doli të organizojë në Tiranë në harkun e një viti dy ndeshje miqësor, midis skuadrave shqiptare (Tiranës dhe Kombëtares B shqiptare) me Milanin”.

Në Bolonja shpërthen “Taçi-mania”

“Faleminderit Taçi, mirëserdhe president”; “Taçi, na ço midis të mëdhenjve”. Këto janë mesazhet më të përsëritura në forumin e tifozëve të Bolonjës, tashmë në duart e “naftëtarit” shqiptar, Rezart Taçi. Bosi shqiptar i “Taçi Oil International”, Rezart Taçi, zotëron tashmë 80 për qind të Bolonjës, duke derdhur një shumë që shkon gati 43 milionë euro, sipas “Sky Sports”. Taci do të prezantohet zyrtarisht si presidenti i Bolonjës, më 3 gusht. Sipas faqes së njohur italiane te tifozët bolonjezë ka shpërthyer një erë e re entuziazmi, që përkon edhe me 100-vjetorin e klubit.
“Sky Sports” bën dhe një krahasim kuptimplotë. “Shpresa për të parë një Bolonjë më kompetitive vjen falë parave të një manjati nafte nga Europa Lindore. Nuk është vendi të bëjmë një krahasim me Roman Abramoviçin, por afrimi i biznesmenit shqiptar Rezart Taçi si pronar i shumicës së aksioneve të kuqebluve i bën të ëndërrojnë tifozët dhe qytetin”.

24 milionë
Për të blerë 80 për qind të aksioneve të Bolonjës, Rezart Taçi, derdhi “kesh”, jo pak, por 24 milionë euro.

19 milionë
Pronari i ri i klubit italian vuri si garanci 19 milionë euro në Lega Calcio për marrjen pjesë të Bolonjë në Serinë A.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›