Lufta kundër krimit të organizuar në Kosovë, debat mes subjekteve politike
Blerina Olldashi
Arrestimi i 13 personave, të dyshuar se janë përfshirë në krim të organizuar, 11 prej të cilëve po mbrohen në liri, ka ngjallur debate të ashpra në Kosovë. Ndërsa subjektet politike në pushtet vlerësojnë se ky veprim paraqet një goditje kundër krimit të organizuar, opozitarët mendojnë se në fakt bëhet fjalë për arrestim spektakolar. Policia arrestoi të enjten 13 persona, 11 avokatë, një gjykatës dhe një zyrtar të një kompanie sigurimi, nën dyshimin se kanë bërë falsifikim dokumentesh, keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim e keqpërdorim të besimit. Operacioni u ndërmor në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan dhe Prishtinë. Anëtari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, beson se me një veprim të tillë goditet krimi i organizuar. “Unë jam i prirur t’u besoj edhe organeve të ndjekjes edhe të drejtësisë. Sigurisht ato janë çështje me të cilat duhet të merren organet kompetente dhe të vijnë në përfundimin e duhur”,- tha Veliu. Por, nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Shkumbin Demaliaj, thotë se edhe kësaj here u bë një arrestim, siç e quan ai, spektakolar. Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se Qeveria e tij i ka shpallur luftë krimit të organizuar. Megjithatë, në raportin e parë monitorues të EULEX-it rezulton se policia nuk ka as strategji për të luftuar këtë dukuri negative. “Drejtorisë për Krimin e Organizuar i mungon një dokument i hollësishëm strategjik, që i përkufizon qëllimet dhe objektivat e saj dhe, si rrjedhojë, nuk ekziston ndonjë politikë e shkruar ose strategji e përgjithshme, që i jep formë përpjekjes për t’u marrë me krimin e organizuar”,- thuhet në raport. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Naim Maloku, nuk beson se arrestimet e fundit do të godasin në të vërtetë krimin. “Praktika e deritanishme ka treguar se janë arrestuar në mënyrë spektakolare dhe janë liruar brenda pak orësh. Tani nuk na mbetet veçse të shohim nëse drejtësia po shkon në vend dhe a janë arrestime të gabuara”,- shprehet Maloku. Është thënë shpesh se lufta kundër krimit të organizuar është një nga masat kryesore, që Kosova duhet të ndërmarrë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane. Në të vërtetë, kjo luftë është shpallur disa herë në Kosovë, edhe atëherë kur fjalën kryesore e ka thënë administrata e OKB-së. Por, raporte të ndryshme të grupeve qeveritare e joqeveritare pohojnë se Kosova ka edhe shumë punë për të bërë, për të çrrënjosur këtë dukuri. Ngecjet në këtë drejtim vijnë posaçërisht nga dështimet në sistemin e drejtësisë, i cili edhe nga EULEX-i u vlerësua të jetë larg përmbushjes së standardeve.
“Ora”: Të instalohen kamera për zgjedhje. Kundërshon KQZ-ja
Partia Reformiste ORA ripërsërit kërkesën për instalimin e kamerave në vendvotimet e 15 nëntorit, më qëllim që procesi të jetë sa më transparent. ORA i është bashkëngjitur insistimit të partive opozitare, AAK, AKR dhe LDD, të cilat po ashtu kanë kërkuar vendosjen e kamerave, me qëllim që të ketë një proces zgjedhor të lirë, të drejtë, transparent dhe në pajtim të plotë me standardet ndërkombëtare. Nëpërmjet një deklarate për shtyp partia ORA ka hedhur poshtë arsyetimin e KQZ-së mbi koston e montimit të kamerave, sepse “kostoja më e lartë që mund ta rëndojë Kosovën është mosrespektimi eventual i rezultateve zgjedhore si pasojë e dyshimit eventual të subjekteve politike që do të krijonte tendosje politike me gjithë pasojat që ato i sjellin me vete”.
27 Korrik 2009