E Shtunë, 31 Tetor 2026

Endje nëpër vendkalime



Bota është kriptogram, që vazhdimisht pret të plotësohet. Kur njerëzit flasin rreth saj, ata lexojnë rreshtat e shkruar nga të tjerët dhe nxiten a priren të besojnë, por duke shtuar në atë që parashkruesit janë përpjekur të interpretojnë. Kështu, edhe bota e lashtësisë është plot mistere, që gjithëkush mundohet t’i shpjegojë, duke parapëlqyer kombin e kulturën e vet. Shqiptarët janë ndër të fundit që kanë hyrë në këtë “lojë”, fillimisht sepse nuk kanë qenë gati, herë-herë të vonuar e ngurrues, sepse u duhet të fshijnë a rishkruajnë ato që kanë thënë të tjerët. Ngurrimi për të bërë a thënë diçka, qoftë edhe gabim, eleminon shanset për të zbuluar të vërtetën e mundshme, ose të paktën për të treguar një shteg ku kjo e vërtetë nuk mund të gjendet.
Astrit LULUSHI (SHBA)

Bota është kriptogram, që vazhdimisht pret të plotësohet. Kur njerëzit flasin rreth saj, ata lexojnë rreshtat e shkruar nga të tjerët dhe nxiten a priren të besojnë, por duke shtuar në atë që parashkruesit janë përpjekur të interpretojnë. Kështu, edhe bota e lashtësisë është plot mistere, që gjithëkush mundohet t’i shpjegojë, duke parapëlqyer kombin e kulturën e vet.
Shqiptarët janë ndër të fundit që kanë hyrë në këtë “lojë”, fillimisht sepse nuk kanë qenë gati, herë-herë të vonuar e ngurrues, sepse u duhet të fshijnë a rishkruajnë ato që kanë thënë të tjerët. Ngurrimi për të bërë a thënë diçka, qoftë edhe gabim, eleminon shanset për të zbuluar të vërtetën e mundshme, ose të paktën për të treguar një shteg ku kjo e vërtetë nuk mund të gjendet.
Beotia, rajon në veri-perëndim të Greqisë së lashtë, e njohur si vendi i Kadmusit e Harmonisë, ndahej nga Eubea (pjesa jug-lindore) me një ngushticë të quajtur Euripus, që është në fakt edhe sot një “Rrip uji” që i ndan ato. Në pjesën më të afërt midis dy brigjeve ndodhet qyteti port Kalkis, vendi më i afërt “Kalues” për në bregun tjetër.
Në dialogun “Phaedos”, Platoni e bën Sokratin ta përdorë valën, që përplaset në bregun e Kalkisit, si shembull për gjërat që ulen e ngrihen a shkojnë e vijnë, krijojnë njëra-tjetrën, për të shpjeguar idenë se “asgjëja” – “vakumi” nuk është asgjë. Në vitet 1600, Blaize Pascal u përpoq ta bindte Rene Descartes se vakumi ekziston dhe çdo gjë që ekziston, është dicka. Deskarti, që besonte të kundërtën, më pas shkroi se në kokën e Paskalit kishte shumë vakum.
Filozofikisht, Paskali kishte filluar të mendonte rreth hipotezës së vakumit, kur lexoi “Phaedon” e Platonit. Dhe empirikisht u bind se vakumi nuk është “asgjë”, kur u njoh me eksperimentin e Torricelit, gjatë të cilit zhiva (merkuri) mbahej lart në epruvetë nga vakumi. Nën dritën e Paskalit, shkencëtarët e aerodinamikës sot e dinë se fluturimi është i mundur falë vakumit, i cili krijohet mbi krahët që lëvizin. Pra, asgjë nuk është asgjë, madje ndonjëherë duhet edhe mundim për të bërë asgjë.
* * *
Por le të kthehemi te Beotia dhe Kalkis. Athinasit e lashtë ishin shumë krenarë. Ata mbaheshin si njerëzit më të qytetëruar, ndërsa popujt e tjerë i quanin barbarë, e ndonjë edhe më shumë, si p.sh., banorët e Beotisë, që i cilësonin njerëz të “trashë”, “budallenj, kokë-bosh”. Ky përçmim vinte ndoshta edhe nga fakti se Kalkis dhe Beotia ishin aleatë të Filipit të dytë dhe Aleksandrit të madh të Maqedonisë. Në atë periudhë, Greqia ishte nën kontrollin maqedon.
Kur Platoni vdiq (348 p.e.s.), të gjithë mendonin se Akademinë, shkollën filozofike në veri të Athinës, do ta drejtonte ish-nxënësi i tij, Aristoteli. Por në Greqinë e lashtë të huajt, “emigrantët” nuk gëzonin të drejtën e pronës, dhe Aristoteli nuk ishte grek. Akademinë e mori përsipër Speusipis, nip i Platonit. I mohuar dhe i fyer, Aristoteli iku nga Athina dhe shkoi në Kalkis, vendlindja e tij. Ishte kjo pikërisht koha, kur Filipi i dytë i kërkon Aristotelit të bëhet mësues i Aleksandrit, atëhere rreth 8 vjeç. Historianët thonë se një ndikim në këtë vendim duhet të ketë patur edhe e ëma e Aleksandrit, Olimpia, bijë threspotesh e kaonesh. Bigrafët thonë se Olimpia rridhte nga familja mbretërore e Pirros së Epirit, me rrënjë që shkonin deri tek Akili.

Por disa mendojnë se Aristoteli nuk iku vetë nga Athina, atë e dëbuan. Në atë kohë, thonë historianët, ksenofobia e nxitur nga Demosteni u bë shkak për rebelimin e Athinës dhe Tebës kundër kontrollit maqedonas. Kur Athina dhe Teba u thyen nga Aleksandri, Teba u shkatërrua plotësisht dhe qytetarët e saj u shitën si skllevër. Për athinasit, Aleksandri ofroi kushte më të mira dorëzimi, duke u kërkuar të mbanin një garnizon ushtarak dhe të dëbonin nga qyteti Demostenin. Në këtë atmosferë, Aristoteli u kthye përsëri në Athinë dhe krijoi Liceun e tij, shkollë filozofike që shërbeu si kundërpeshë ndaj Akademisë që kishte lënë Platoni. Diogjeni e historianë të tjere të lashtësisë thonë se Aristoteli shikohej edhe si një ambasador jozyrtar i Aleksandrit në Athinë. Madje, biografët shtojnë se Aristoteli mund të ketë shërbyer edhe si organizues i rrjetit të spiunazhit të Aleksandrit të madh në Greqi. Ata i përshkruajnë këto histori sikur Aristoteli të kishte qenë si një Xhejms Bond a Mate Harri i kohëve moderne.

* * *
Kjo është edhe periudha, kur historianët vënë re kundërthënie në mendimet dhe filozofinë e Aristotelit, i cili ndërsa shprehej se drejtësia politike e bashkimi politik ndodh mes njerëzve të barabartë përpara ligjit, dhe të barabartë në sjellje e aftësi, nga ana tjeter thoshte se njeriu me virtytet më të larta mund t’i kapërcjejë gjithë të tjerët në pretendimet për të qeverisur; ai është mbi ligjin e duhet të sundojë pa afat, si monarku. Historianët thonë se këto qëndrime kundërthënëse, Aristoteli i përdorte për të fituar besimin e athinasve që qeveriseshin me demokraci, por njëkohësisht pa dashur të zemëronte Aleksandrin e madh, me të cilin mbante lidhje të ngushta, e ndoshta familjare. Gjatë fushatave të tij ushtarake në Azi, Aleksandri kishte marrë me vete edhe shumë historianë, mes të cilëve Kalisthenin, që ishte nipi i Aristotelit. Në shënimet e tij, Kalistheni kishte shkruar se Aleksandri nuk ishte perëndi, siç donte ta quante veten dhe, kur këto shënime padashje i ranë në dore Aleksandrit, ky u zemërua dhe e vrau Kalisthenin. Kjo vrasje e shtyu Aristotelin të shkruante më pas se mbretërit nuk duhet të jenë filozofë, por duhet të kenë filozofë si këshilltarë.
Kur Aleksandi i madh vdiq, Aristoteli iku vetë nga Athina, pa pritur të dëbohej, duke thënë se nuk donte që athinastit të bënin të njëjtin gabim dy herë. Pas kësaj, u vendos në Kalkis, ku vdiq më 322 p.e.s., në moshën 62 vjeçare.

* * *
Në fillim të viteve 1900, amerikania Roze Wilder Lane vizitoi trojet shqiptare dhe përshkoi në këmbë zonat më të thella të malësisë së veriut. Ajo u prek thellë nga prapambetja e madhe ekonomike e arsimore e këtij rajoni, por u befasua së tepërmi nga tradita, zgjuarësia, intuita dhe pasuria kulturore e folklorike që hasi. Në librin “Peaks of Shala”, Lejn (Lane) ofron edhe një gojëdhënë, që e lidh Aristotelin e Aleksandrin me Matin, Emathijan - Maqedoninë.
Më 1921, Lejn thotë se ishte ndoshta vizitorja e parë e huaj që shkelte Matin, ku vuri re gjurmë arkeologjike të një qytetërimit të hershëm; mure thuajse të mbuluar nga dheu i kohërave; formacione gurësh vertikalë si Stonehange në Karnak; apo një burim uji prej gurësh të lashtë, që banorët me indiferentizëm thonin se ishte ndërtuar nga Filipi i dytë, i ati i Aleksandrit. Lejn shpreh habi se si banorë të Thethit të largët, që nuk kishin lexuar kurre një libër e kurrë nuk kishin kaluar përtej kufijve të zones, ishin në gjendje të tregonin me radhë gjenezën e Aleksandrit të madh. Ata thonin se Mati – Emadhija dikur kishte qënë kryeqytet i mbretërisë së Filipit të dytë, krahas Pelas, midis Manastirit e Selanikut. Historianët, që prej lashtësisë, kanë përmendur mosmarrëveshjet midis Filipt dhe bashkëshortes së tij Olimpia, duke i lidhur ato me luftën për pushtet dhe pasardhësin e fronit. Sipas gojëdhënës së regjistruar nga Lejn, mosmarrëveshjet midis Filipit e Olimpias lindën pikërisht sepse Olimpia parapëlqente Emathijan dhe nuk donte të rrintë në Pela. Në Emadhija lindi Aleksandri. Gjithashtu, sipas gojëdhënës, Aristoteli rridhte nga fisi Ajeropi. I ati, tregtar i suksesshëm, ishte vendosur prej kohësh në Kalkis, atëherë nën kontrollin e Filipit, dhe e dërgoi Aristotelin në Athinë për të studiuar e mësuar mënyrat greke të jetesës. Dhe nuk ishte rastësi, tregon gojëdhëna, që kur Aleksandri arriti moshën shkollore, mbreti Filip i kërkoi pikërisht Aristotelit që të edukonte djalin e tij.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›