6 klube të Kategorisë Superiore federojne lojtaret

Më në fund, klubet e Kategorisë Superiore kanë nisur të kryejnë federimet e lojtarëve për sezonin që do të nisë pas katër ditësh. Në dyert e Federatës Shqiptare të Futbollit dje janë paraqitur disa drejtues klubesh, të cilët kanë nisur më në fund procedurat e regjistrimit të lojtarëve për sezonin zyrtar. Kështu, zyrtarët e klubeve të Flamurtarit, Shkumbinit, Dinamos, Tiranës, Vllaznisë dhe Teutës kanë paraqitur një pjesë të dokumentacionit në Sketorin e Garave të FSHF-së. Sipas shefit të këtij sektori, procedurat sapo kanë nisur pasi asnjë nga klubet nuk ka sjellë dokumentacionin e plotë për të kryer federimet. "Kanë ardhur drejtuesit e klubeve të Flamurtarit, Shkumbinit, Tiranës, Dinamos, Vllaznisë dhe Teutës, të cilët fillimisht kanë paraqitur listat me emrat e lojtarëve që janë për t'u federuar", - është shprehur Hitaj, i cili është përgjegjës për regjistrimin e lojtarëve në FSHF. Pasi të kenë paraqitur listat e plota, klubet do të sjellin një nga një në FSHF kontratat që kanë me futbollistët dhe do t'i depozitojnë duke u akorduar me listat. "Procedurat sapo kanë nisur dhe ne jemi duke u marrë me klubet që janë paraqitur të parat, e më pas me radhë do të vazhdojmë me të tjerat", - vijoi Hitaj. Faza e tretë e kësaj procedure do të vijë me regjistrimin e futbollistëve në bazë të kontratave që kanë me klubet. Sigurisht, këto ditë do të jenë mjaft të ngarkuara për këtë sektor, duke qenë se kampionati starton pas katër ditësh, ndërkohë që deri tani asnjë klub nuk ishte paraqitur për ta bërë një gjë të tillë, duke e lënë për ditën e fundit. Duke pasur parasysh fluksin mendohet që të arrihet deri në shtyrjen e afatit, që është vendosur në orën 12:00 të datës 25 gusht. Megjithatë ky opsion do të shqyrtohet në ditët në vijim. Gjatë ditëve të kaluara drejtuesit e FSHF-së u kishin bërë thirrje klubeve që të vinin për të federuar lojtarët, por thirrjes nuk i është përgjigjur asnjë drejtues klubi. Ndërkaq, sinjalet e para kanë ardhur dje, kur një pjesë e mirë e klubeve të Kategorisë Superiore kanë nxituar për të bërë regjistrimet. Pritet që gjatë ditës së sotme zyrtarët e klubeve të tjera të paraqiten në dyert e FSHF-së për këtë cështje, megjithëse Sektori i Garave nuk është në gjendje t'i përballojë të gjitha në një ditë. Vitin e kaluar ka pasur probleme në këtë aspekt në Federatën Shqiptare të Futbollit, kur thuajse të gjitha klubet kanë bujtur në selinë e qeverisë së futbollit në momentin e fundit, për të kryer federimet. Një situatë e paprecedentë, që ka detyruar zyrtarët e FSHF-së që të shtyjnë për pak kohë afatin dhe për t'i dhënë kohë Sektorit të Garave që të përfundojë të gjitha regjistrimet. Ndërkohë, që kjo cështje është e lidhur ngushtë edhe me ato të borxheve, duke qenë se FSHF ka bërë të ditur se nuk do të federojë lojtarë që i detyrohen para federatës. Edhe borxhet që kanë klubet mund të penalizojnë lojtarët, të cilët duhet të presin shlyerjen e këtyre borxheve nga ana e klubit në mënyrë që më pas të federohen për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, cdo gjë do të zbardhet edhe pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv që do të zhvillohet ditën e enjte në FSHF.
Fatjon Kodra
Ja emrat e klubeve që kanë paraqitur listat
1. Flamurtari
Zyrtarët e klubit vlonjat kanë qenë ndër të parët që janë paraqitur dje në FSHF për të nisur procedurën e regjistrimit. Kuqezinjtë do të luajnë sezonin e parë në Superiore pas 2 vitesh mungesë dhe kanë shfaqur ambicie në krijimin e një skuadre pretendente.
2. Dinamo
Drejtuesit e klubit të Dinamos e kanë krijuar grupin që herët, duke qenë se blutë morën pjesë në Kupën UEFA dhe kanë qenë të kompletuar qysh në fillim. Për këtë arsye, dinamovitët ishin ndër të parët që nxituan të aderojnë lojtarët, pasi e kanë mbyllur merkaton.
3. Shkumbini
Skuadra peqinase ka marrë formë vetëm gjatë javëve të fundit, pas një periudhe "black-out"-i. Emërimi i Vasil Bicit si trajner dhe afrimi i disa lojtarëve cilësorë, rikthyen normalitetin në klubin, që është paraqitur në FSHF i gatshëm për të nisur federimet.
4. Tirana
Ashtu si edhe në rastin e Dinamos, klubi i Tiranës është nga të paktët që e ka formuar grupin që herët dhe që nuk pret asnjë zhvillim të ri në merkato. Bardheblutë kanë bërë një merkato të mirë, duke afruar emra cilësorë dhe tani janë të gatshëm për të nisur sezonin.
5. Vllaznia
Tashmë shkodranët janë përvijuar si një nga skuadrat pretendente, dhe nën drejtimin e trajnerit gjerman Ulrih Shulze, janë gati të synojnë trofeun. Zyrtarët e klubit kanë paraqitur në FSHF listat e lojtarëve, pasi kanë zhvilluar një merkato të mirë dhe plot emra të njohur.
6. Teuta
Pas afrimit të Sulejman Starovës në pankinë, durrsakët e përforcuan ndjeshëm grupin duke e kthyer Teutën në një skuadër tjetër pretendente për të rrëmbyer titullin. Edhe drejtuesit e Teutës e kanë mbyllur prej disa kohësh merkaton dhe janë gati për federimet.