E Shtunë, 31 Tetor 2026

"60% e fëmijëve braktisin shkollën për të punuar"

Rreth 60 për qind e fëmijëve në Shqipëri lënë shkollën për të punuar, ose e frekuentojnë atë me ndërprerje të shumta. Është ky konstatimi që vjen nga përfaqësuesit e sindikatave të arsimit i bërë publik dje gjatë një tryeze të rrumbullakët ku u prezantua edhe një studim i detajuar i Inspektoratit Shtetëror të Punës mbi punën e fëmijëve në vendin tonë.

Xhaferr Dobrusha, kryetar i Federatave Sindikale të Arsimit tha dje se nga monitorimet e kryera prej tyre në qytete të tilla si Tirana së bashku me rrethinat e saj, Elbasani, Korça, Shkodra e Durrësi rezulton se rreth 60 për qind e fëmijëve e ndjekin shkollën me shkëputje, pasi detyrohen që të punojnë.

Nga ana tjetër, Inspektorati i Lartë Shtetëror i Punës ka premtuar përmirësim të mëtejshëm të legjislacionit për sa i përket parandalimit të punës nga fëmijët nën moshën 18 vjeç. Kryeinspektori Thoma Melo deklaroi se synimi është që fëmijët nën këtë moshë, pavarësisht kushteve të vështira familjare apo faktorëve të tjerë nuk duhet të punojnë, ashtu siç ndodh sipas tij në vendet evropiane.

"Përfitimet nga parandalimi i punës së fëmijëve janë shtatë herë më të larta sesa kostot nëse ata do të prodhonin. Nëse ne fëmijëve do t‘u japim arsim, përfitimi që do të kemi nga ata do të jetë shumë herë më i madh sesa po t‘i çojmë të punojnë në ato ndërmarrje ku kushtet e punës nuk janë në ato nivele që ne do të shpresonim. Në shumë vende të Evropës është ndaluar plotësisht që të punojnë fëmijët, as me leje, as pa leje; dhe ne drejt asaj do të shkojmë" u shpreh Melo në takimin e djeshëm.

Një studim i kryer nga Inspektorati Shtetëror i Punës tregon se përqindja më e lartë e fëmijëve që punojnë janë të përqendruar në sektorët e prodhimit, si atë të veshjeve dhe këpucëve, si dhe në sektorin e peshkimit. Vitet e fundit, shifrat tregojnë dhe një rritje të numrit të fëmijëve, rreth 8,2 % që punojnë në bare apo restorante. Studimi tregon se 36% e fëmijëve punojnë në të zezë, ndërkohë që rreth 44% fëmijë janë punësuar pa ekzaminimet shëndetësore.

"Në prodhimin e veshjeve e zënë pjesën më të madhe fëmijët të cilët janë vajza nën moshën 18 vjeç, që për vitin 2007 janë 76.6%, ndërsa për 2008 ka një ulje në 52.8%. Fusha e dytë është peshkimi apo përpunimi i peshkut ku konstatohet se për vitin 2007 rezultojnë se 12% të jenë fëmijë, ndërsa për vitin 2008 rezultojnë 23.9% të jenë fëmijë", tha specialistja e ISHP-së, Evis Qaja. Gjatë viteve të fundit nuk kanë munguar edhe rastet kur shumë fëmijë i janë drejtuar sektorëve të vështirë si ai i ndërtimit, por edhe në lavazhe e sektorë të tjerë ku puna për ta duhej të ishte e ndaluar.

Shumë fëmijë që ndryshe jemi mësuar t‘i quajmë si "fëmijët e rrugës" e braktisin shkollën për shkak të kushteve të vështira ekonomike të familjeve të tyre. Në rrugët kryeqytetase gjatë 24 orëve shikon fëmijë deri në moshat më të mitura që tregtojnë paketa cigaresh apo produkte të tjera duke bredhur sa nga njëri lokal në tjetrin. Ndonëse kanë qenë të shumta deklaratat e autoriteteve për t‘i rikthyer këta fëmijë në bankat e shkollës, pasi në rrugë ata mund të shndërrohen lehtësisht në kontingjent krimi, sërish nuk është bërë asgjë. Në mbledhjen e djeshme u arrit në konkluzionin se është i domosdoshëm një ndryshim ligjor që do të ndalojë punën e të miturve dhe njëkohësisht edhe shfrytëzimin e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›