E Shtunë, 31 Tetor 2026

60-vjet UPT, Berisha: Të ndjekim modelin e SHBA, për më shumë cilësi

TIRANË- Në ceremoninë e 60-vjetorit të themelimit të Universitetit Politeknik të Tiranës, mori pjesë edhe kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili e vlerësoi këtë universitet si lokomotiva e inxhinierisë në vend.
“Ky universitet është lokomotivë e vërtetë e kërkimit, e mendimit. Mësimi dhe liria janë një e të pandarë. Universiteti është burim drite, dije e lirie. Në këtë universitet studiojnë sot mbi 12 mijë studentë", deklaroi ai.

Kreu i qeverisë vlerësoi rolin që dhanë universitetet për shkëputjen e vendit nga regjimi komunist.
"Nga këto universitete shpërtheu uragani i lirisë së Shqipërisë. Ju jeni gjenerata më e shkëlqyer e universiteteve, pasi lindët të lirë", shtoi ai.

Prioritet i kësaj qeverie, sic tha Berisha do të mbetet edukimi i të rinjve. “Për mazhorancën aktuale edukimi i të rinjve do të mbetet përparësi e të gjitha përparësive. Sot në Shqipëri 70% e nxënësve që mbarojnë shkollat e mesme ulen në auditorët e universiteteve. Në vitin 2010 numëroheshin 138 mijë studentë, ndërsa sot Shqipëria ka 240 mijë studentë të diplomuar”.

Duke u ndalur tek rritja e cilësisë në universitetet shqiptare, si e vetmja mundësi për tu krahasuar me vendet e zhvilluara, kreu i qeverisë rekomandoi ndjekjen e modeleve të universiteteve në SHBA, që sic tha ai kanë në themel të tyre lirinë e respektin.
“Në Shqipëri nuk ka asgjë më të rëndësishme se universitetet, le të punojmë së bashku për të rritur cilësinë e tyre. Le të na frymëzojnë neve shembujt e universiteteve në SHBA që e bënë atë komb më të lirin. Të adoptojmë atë model që ka në themel, lirinë, respektin”, u shpreh Berisha.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›