61 artistë me 80 boceta
Ministri Bumçi tha se ftesës i janë paraqitur 61 artistë me rreth 80 bocete, ndër të cilët 26 artistë janë nga Shqipëria, 13 artistë nga diaspora, 8 nga Maqedonia dhe Kosova si dhe 14 artistë ndërkombëtarë.
Ndërsa Drejtori i GKA-së, Rubens Shima e cilësoi këtë konkurs si një ndër konkurset me pjesëmarrjen më të lartë gjatë këtyre 20 viteve të fundit.
Konkursi për Monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë është shpallur më 22 dhjetor 2011 dhe është mbyllur më 15 mars të këtij viti. Juria e konkursit është e përbërë nga 9 personalitete të shquara kombëtare dhe ndërkombëtare të artit, kulturës dhe arkitekturës.
Juria fillon punën në datë 18 mars dhe më 21 mars do të vlerësohen 5 bocetet më të mira me sistem pikësh të cilat do t’i paraqiten Komisionit Shtetëror të Festimeve pranë Kryeministrit.
Ndërsa nga data 22 mars deri më 25 mars në GKA të gjitha bocetet pjesëmarrëse do të mund të vizitohen falas nga publiku.
Ministri Bumçi njoftoi gjithashtu se MTKRS në bashkëpunim më GKA brenda këtij viti do të shpallë gjithashtu edhe konkurse publike për realizimin e 4 monumenteve të tjera të cilat janë: Shtatore kushtuar Ismail Qemalit, Mbretit Ahmet Zog, Hasan Prishtinës si dhe Monumenti Kushtuar Kongresit të Lushnjës.