Letra/Edi Rama ofendon një familje të nderuar të Shqipërisë
Metodologjia diktatoriale e përbaltjes së ish-të përndjekurve politikë përmes shpifjeve publike është kthyer në skenë si mjet i Edi Ramës për të sulmuar Lulzim Bashën, përmes përbaltjes së familjes “Sojli”
Shkak për këtë shkrim bëhet metodologjia që Z. Udhëheqës i opozitës përdor për të goditur kryetarin e bashkisë së Tiranës, duke e krahasuar me Tit Sojlin, një person te cilin ai e fyen, e tall, e akuzon, duke vertetuar keshtu faktin se vazhdon misionin qe shtresa shoqërore e ish-shërbyesve të diktatures ushtronte për të përbaltur të persekutuarit...
Edi Rama pretendon se është qytetar dhe intelektual por këto vlera nënkuptojne jo pështjellim me reklama të fryra dhe false por kulturë reale dhe shkëputje nga rëndomtësia e thashethemeve.
Si është e mundur që një ‘intelektual’ të fyeje një person dhe nje familje duke u bazuar ne barcaletat e injoranteve të një periudhë obskurante për të gjithë shqiptarët.
Ju Edi Rama duhet të dinit që familja Sojli është një familje që me kulturën dhe patriotizmin e saj ka kontribuar ndjeshëm në çështjet themeltare të historiografisë së formimit të shtetit Shqiptar.
Nga kjo familje që ju përgojoni me entuziazëm patetik, kanë dalë figura të shquara për rajonin dhe për vendin, si Ibrahim Temo Sojli, patrioti i madh shqiptar që njihet për veprimtarinë e shquar në shumë fusha dhe intelektual i kohës gjatë periudhës së Rilindjes. Mjeku okulist i diplomuar në Stamboll dhe specializuar në Paris, ishte një ndër rilindësit e parë që krijoi një shoqëri kundër tiranizmit të Sulltan Abdyl Hamidit II, e që u be përkrahes i shkrimit të gjuhës shqipe me gërma latine, aq sa rrethi shoqëror i kohes e thërrisnin ‘Latinisti’. Ai investoi dhe ndihmoi në perhapjen e leximit dhe të shkrimit shqip.
Duhet te vazhdojme me Z. Nuri Sojli, një nga baballarët e kombit, i shquar si patriot dhe firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Nipi i tyre Xhemal Sojli ka qene Kryetar i Bashkisë së Strugës, (gjyshi i Astrit Sojlit) dhe ne vijim te analizes, duhet permendur me respekt te veçante gruaja e Xhemal Sojlit nga Vjena e Austrise, e cila u integrua me dinjitet ne boten shqiptare duke gershetuar kulturen europjane me vleren e traditave shqiptare. Femijet e tyre te shkolluar ne Europe erdhen ne Shqiperi me idealizem patriotik qe te kontribuonin ne perparimin e shoqerise shqiptare. Djali i madh, Mentor Sojli u emerua Kryetar i Komunës së Vevçanit, (babai i Astrit Sojlit), djali tjeter Asllan Sojli erdhi ne Shqiperi pasi perfundoi akademine ushtarake ne Rome, ndersa vajza, Drita Sojli kthehet ne atdhe nga konservatori Santa Cecilia i Romes per te kontribuar ne artin shqiptar.
E ndërsa po analizojme komentin tuaj Edi Rama, nuk mund të mos mendojme se ndërkohë që gjyshi i Astrit Sojlit, Xhemal Sojli përfundonte studimet universitare në Austri, gjyshi juaj kishte arritur majat e evolucionit shoqëror, për shtresën që ai perfaqësonte duke u punësuar si shofer, ose siç do të preferonit ta quanit ju më vonë ‘guidator’.
Duhet të vazhdojme analizën qe mbiemri Sojli eshte rrjedhoje e vleresimit te bere nga elita e shume brezave perpara dhe ka domethenien etimologjike “soj-li” ne kuptimin “soj fisnik”. Duhet te vejme në dukje se pjesa dominante e pinjollëve të kësaj familje janë edukuar dhe shkolluar në universitetet e Europës dhe për rrjedhojë kanë bartur në sjelljen e tyre një kulturë perëndimore e cila binte ndesh me mediokritetin e pseudo-intelektualeve të shtresës drejtuese të revolucionarëve të regjimit diktatorial komunist.
Ju duhej ta dinit, sic e shfaqnit me shumë entuziazëm në shkrimet tuaja në vitet e para të demokracisë, se ai regjim përndiqte dhe njolloste të gjithë intelektualët të cilët përbënin kërcënim për përfaqësuesit e atij sistemi. Astrit Sojli që ju përgojoni, ishte gjithashtu një figurë komplekse, pjesë e trashëgimisë së një inteligjence dhe kulture qytetare, ishte nje artist e me botkuptime perëndimore për jetën, karakteristika këto të vështira për tu kuptuar dhe pranuar nga injoranca e mentalitetit të pseudo-revolucionareve të ‘realizmit socialist’, dhe si rrjedhoje nuk i shpëtoi dot baltosjes dhe viktimizimit me burgosje për ‘agjitacion dhe propagandë’.
E në vijim, nëse shoqëria shqiptare do te ulej në nivelin që kërkoni ju ta ulni, do të merrej sigurisht më parë me familjen tuaj udhëheqes i opozites, për të analizuar moralin, etikën dhe filozofinë të cilën ju predikoni, ose tentoni të predikoni, e për më tej do të duhej të analizoheshin gjithashtu kontributet që kanë dhënë të parët tuaj në goditjen dhe përndjekjen e figurave intelektuale të kohës, në mënyrë që të vlerësohet siç duhet formimi juaj shpirtëror, për tu njohur thellësisht me udheqësit e rinj që per mos më mirë, të paktën do të duhej të paraqisnin sadopak barazvlerat e një hierarkie të shoqërise tonë tashmë të gjëndshme vetëm në librat e historisë.
Familja Sojli