E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krizat e paskrizës

12-01-2013 / Nga Joseph E. Stiglitz

Problemi vetvetiu nuk do të arrijë t’i zgjidhë këto probleme. Ngrohja globale është një problem themelor për “të mirat publike”. Për të kryer tranzicionet e nevojshme strukturore në botë na duhen qeveri me një rol aktiv - në një kohë kur kërkesat për shkurtime po rriten në Evropë dhe SHBA. Derisa ne hahemi me krizën e sotme, duhet të pyesim nëse po kundërpërgjigjemi me mënyra që vetëm se do t’i rëndonin problemet tona afatgjata

Në hijen e krizës së euros dhe humnerës fiskale të Amerikës është e lehtë të injorohen problemet afatgjata të ekonomisë botërore. Ama, derisa ne fokusohemi në shqetësime të menjëhershme, ato vazhdojnë të përshkallëzohen, dhe ne bëjmë sehir. Kriza më serioze është ngrohja globale. Derisa performanca e ligshtë e ekonomisë botërore ka çuar në një ngadalësim korrespondues në rritje të emetimeve të karbonit, ngrohjes globale vetëm sa i është dhënë një afat i shkurtër qetësimi. Dhe ne jemi larg prej lakores: Ngase ne kemi qenë shumë të avashtë për t’iu kundërpërgjigjur ndryshimit klimatik, dhe arritja e pikësynimit të kufizuar prej dy shkallësh të temperaturës botërore do të kërkojë reduktime të theksuara në emetimet e së ardhmes. Disa thonë se, marrë parasysh ngecjen ekonomike, duhet ta hedhim prapa krahëve ngrohjen globale. Përkundrazi, duke lidhur ekonominë botërore me ndryshimin klimatik do të ndihmonte në rikthimin e kërkesës dhe rritjes. Në të njëjtën kohë, shpejtësia e progresit teknologjik dhe globalizimi kanë nevojë për ndryshime të shpejta strukturore në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Ndryshime të ngjashme mund të jenë traumatike, dhe tregjet shpeshherë nuk ia dalin t’i kenë nën kontroll.

Tamam sikur Depresioni i madh që ndodhi pjesërisht për shkak të vështirësive në zhvendosjen prej një ekonomie rurale dhe agrare në një urbane dhe të fabrikimit, edhe problemet e së sotmes burojnë pjesërisht prej nevojës për të lëvizur prej fabrikimit në shërbime. Duhet të krijohen firma të reja dhe tregjet financiare moderne janë më të mira në spekulim dhe eksploatim sesa në sigurimin e fondeve për sipërmarrje të reja, veçanërisht për kompani të vogla dhe të mesme. Me fjalë të tjera, kryerja e tranzicionit kërkon investime në kapitalin njerëzor që individët nuk mund t’i bëjnë. Në mesin e shërbimeve që i kërkojnë njerëzit janë shëndeti dhe edukimi, dy sektorë në të cilët qeveria afërmendsh luan një rol të rëndësishëm (marrë parasysh problemet e tregut në këta dy sektorë dhe shqetësimet për drejtësi). Para krizës së 2008-s kishte shumë muhabete për pabarazitë botërore dhe për nevojën që vendet me tepricë tregtie, si Gjermania dhe Kina, të rrisnin konsumin e tyre. Kjo çështje nuk ka marrë fund; në të vërtetë, dështimi i Gjermanisë për ta adresuar tepricën e saj të jashtme kronike është pjesë dhe hise e krizës së euros. Teprica e Kinës, si një përqindje e prodhimit të brendshëm për kokë banori, ka shënuar rënie, por implikimet e saj afatgjata ende do ta bëjnë të veten.

Deficiti i përgjithshëm tregtar i Amerikës nuk do të zhduket pa një rritje në kursimet e brendshme dhe një ndryshim më themelor në aranzhimet globale monetare. E para do ta rëndonte ngecjen e vendit dhe asnjëri ndryshim nuk është në lojë. Derisa Kina po rrit konsumin e saj, nuk do të thotë se do të blejë më shumë mallra nga Shtetet e Bashkuara. Në fakt, ka më shumë mundësi të rrisë konsumin e mallrave që nuk tregtohen - si kujdesi shëndetësor dhe edukimi - çka do të rezultojë me një prishje të baraspeshës botërore të zinxhirit të furnizimit, veçanërisht në vende që po furnizonin eksportuesit kinezë të mallrave. Në fund, ka një krizë botërore të pabarazisë. Problemi nuk është se vetëm të ardhurat e topgrupit po marrin një hise më të madhe të pites ekonomike, por edhe të atyre të shtresës së mesme që nuk po fitojnë prej rritjes ekonomike, derisa në shumë vende po rritet varfëria. Në Shtetet e Bashkuara pabarazia e mundësisë është ekspozuar si një mit.

Derisa recesioni i madh ka rënduar këta trendë, ata janë të dukshëm para se të kenë efekt. Në të vërtetë, unë (dhe të tjerë) kam argumentuar se pabarazia e rritjes është një prej arsyeve të ngecjes ekonomike, dhe pjesërisht është një pasojë e ndryshimeve të thella dhe të vazhdueshme strukturore. Një sistem ekonomik dhe politik që nuk mendon për shumicën e qytetarëve është një që nuk do të ketë jetë të gjatë. Eventualisht, besimi në demokraci dhe ekonomi të tregut do të rrënohet dhe do të vihet në dyshim legjitimiteti i institucioneve dhe aranzhimeve ekzistuese. Lajmi i mirë është se dallimi ndërmjet vendeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluara është ngushtuar shumë në tri dekadat e fundit. Megjithatë, qindra miliona njerëz vazhdojnë të jenë të varfër dhe ka pasur vetëm pak progres në reduktimin e dallimit ndërmjet vendeve më pak të zhvilluara dhe pjesës tjetër. Kështu, marrëveshjet e padrejta të tregtisë - përfshirë kryeneçësinë për subvencione të paarsyeshme të agrikulturës, që ulin çmimet e të ardhurave të shumë vendeve që janë të lidhur njerëzit e varfër - kanë pasur ndikimin e vet. Shtetet e zhvilluara nuk ia kanë dalë të mbajnë premtimet në Dija në nëntor të 2011-s për të krijuar një regjim të tregtisë së pro-zhvillimit, ose zotimin e tyre të samitit të G8-s në Gleneagles në 2005-n për të siguruar më shumë ndihmë për vendet më të varfra.

Problemi vetvetiu nuk do të arrijë t’i zgjidhë këto probleme. Ngrohja globale është një problem  themelor për “të mirat publike”. Për të kryer tranzicionet e nevojshme strukturore në botë, na duhen qeveri me një rol aktiv - në një kohë kur kërkesat për shkurtime po rriten në Evropë dhe SHBA. Derisa ne hahemi me krizën e sotme, duhet të pyesim nëse po kundërpërgjigjemi me mënyra që vetëm se rëndojnë problemet tona afatgjata. Mënyra sesi po reagojnë avokatët e shkurtimeve buxhetore dobësojnë ekonominë e sotme dhe prospektet e ardhshme të saj. Ironia është se me rritje të vazhdueshme të kërkesës në botë, ka një alternativë: investimi në të ardhmen tonë me mënyra që na ndihmojnë të adresojmë vazhdimisht problemet e ngrohjes globale, pabarazinë globale dhe varfërinë, dhe nevojën për ndryshim strukturor.

Autori është laureat i “Nobelit” të ekonomisë dhe profesor universitar në Universitetin e Columbias. Marrë nga “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›