E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 gushti, katër dështimet e policisë

09/08/2010 Një vit nga masakra e Durrësit, policia ska faktuar lidhjet e Dajtit me krimin dhe radhët e policisë

Ngjarjes siu shkua deri në fund. Policia smbajti premtimet për hetimin e çështjes

TIRANE- Kur ka kaluar plot një vit nga ndarja nga jeta e katër agjentëve sekretë: Fatos Xhanit, Sajmir Duçkollarit, Altin Dizdarit dhe Kastriot Feskajt, asnjëri nga kolegët e tyre, por edhe qytetarët e ndryshëm, nuk kanë mësuar detajet e operacionit të dështuar të datës 7 gusht në Durrës. Si për çdo ngjarje të rëndë krerët e lartë të Policisë së Shtetit në atë kohë dhanë shumë informacione, ku tregonin se me këtë që kishte ndodhur vetvetiu i kishte ardhur edhe fundi i bandës kriminale të Dritan Dajtit, pasi zyrtarët e policisë në çdo dalje publike premtonin se janë duke hetuar intensivisht rrjetin kriminal të super të kërkuarit Dritan Dajti. Kjo gjë jo vetëm që nuk ndodhi, por mbuloi akoma dhe më tepër me mister ngjarjen e 7 gushtit, lidhjet e Dajtit me botën e krimit dhe radhët e Policisë së Shtetit. Për çudi, asnjëri nga zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme, por edhe të asaj të Durrësit, ku ndodhi ngjarja, nuk dha dorëheqjen apo ti kishte vënë një pjesë të fajit vetes për mënyrën tepër të dështuar të ndërtimit të planit operacional për kapjen e personit me pseudonimin “Dhelpra”. Në të kundërt të kësaj dhe si për të treguar forcën zbuluese dhe betimin për të shkatërruar tërësisht bashkëpunëtorët e Dajtit, mbrëmjen e 7 gushtit agjentët e komisariatit Nr. 2 arrestuan 21-vjeçarin Elvis Karoli, për të cilin nxituan duke thënë se është bashkëpunëtori i 38-vjeçarit Dajti. Fill pas këtij arrestimi shumë persona menduan se policia tashmë kishte “mprehur shpatën”, kjo për shkak edhe të deklaratave të funksionarëve të policisë se do zbardhin gjobëvëniet, linjat e drogës, bashkëpunëtorët, asetet pasurore të Dritan Dajtit, si dhe arrestimin e personit që ishte me këtë të fundit në makinën “Touareg”, por që mundi tu shpëtojë prangave të policisë. Mirëpo dështimi i policisë nuk vonoi shumë, pasi tri ditë nga arrestimi i Elvis Karolit, gjykata vendosi për këtë të fundit masën e detyrimit për paraqitje. Ndërkohë disa muaj më vonë, prokuroria e Tiranës nga hetimet e kryera konstatoi se Karoli nuk kishte lidhje me Dritan Dajtin, duke e akuzuar atë vetëm për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të lëndëve plasëse”. Ky dështim pasoi edhe më tej, pasi tashmë që ka kaluar një vit nga ndarja nga jeta e katër agjentëve specialë, asnjëri nga premtimet e sipërcituara nuk është mbajtur nga kolegët tyre, të cilët gjatë hetimit të çështjes janë mjaftuar vetëm me verifikimin e zbardhjen e rrethanave që çuan në masakrën e 7 gushtit, sesa në hetimin e lidhjeve të “nëndheshme” të Dajtit. Në kërkesën për gjykim të hartuar nga prokuroria, Dajti akuzohet për vrasjen e 4 policëve, bashkëpunëtorit të tij Ledjon Mara, plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku dhe armëmbajtje pa lejë, akuza këto që kualifikoheshin dhe provoheshin shumë lehtë. Në të kundërt me atë që kishin premtuar krerët e Policisë së Shtetit, në dosjen e prokurorisë nuk kishte asnjë akuzë që të vërtetonte gjobëvëniet dhe trafikun e drogës të Dritan Dajtit. Këto akuza tregojnë që policia nuk ka mbajtur premtimin e dhënë, por së bashku me prokurorinë ajo është mjaftuar në zbardhjen e dinamikës së mesditës së 7 gushtit në Durrës. Mirëpo kjo ditë shënon edhe një dështim tjetër të policisë, ku mes syve të 12 agjentëve që kishin marrë pjesë në operacion, mundi të largohet pa u arrestuar personi i katërt që ndodhej në makinë me Dritan Dajtin, Ledjon Marën dhe Ergest Xhoxhin. Identiteti i këtij personi deri tani vazhdon të mbetet mister. Ai mundi të largohet mes breshërive të armëve dhe syve të qytetarëve. Një vit nga ngjarja policia ska mundur të bjerë në gjurmët e tij. Duke lënë pas premtimet, sot krerët më të lartë të Policisë së Shtetit do zhvillojnë një ceremoni përkujtimore në varrezat e dëshmorëve, ku prehen në paqe katër agjentët specialë: Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Altin Dizadari dhe Sajmir Duçkollari.

Njeriu mister

Policia e Shtetit ka dështuar gjatë kësaj kohe në identifikimin dhe arrestimin e njeriut të katërt, që ndodhej në makinë me Dritan Dajtin, Ergest Xhoxhin dhe Ledjon Marën. Ai mundi të largohej mes breshërive të armëve dhe syve të shumë personave, dhe aktualisht vazhdon të jetë i lirë, duke mos u prangosur nga efektivat e Policisë së Shtetit.

Trafiku i drogës

Pas ngjarjes, krerët e policisë nxituan të pohonin se do të shkatërronin plotësisht grupin kriminal të drejtuar nga Dritan Dajti. Blutë pohonin se për këtë të fundit kishin dyshime të bazuara në prova se kryente trafik droge, por që realisht deri tani asnjë akuzë e tillë nuk i është ngritur 38-vjeçarit të shumëkërkuar Dritan Dajti.

Prangosja e Karolit

Mbrëmjen e 7 gushtit, policia arrestoi 21-vjeçarin Elvis Karoli, për të cilin nxitoi duke pohuar se kishte ndaluar bashkëpunëtorin e Dritan Dajtit. Shumë shpejt kjo gjë u kthye në dështim për policinë, pasi gjykata vendosi lirimin e tij, ndërkohë që pak muaj më vonë prokuroria konstatoi të kundërtën, duke e akuzuar vetëm për “Mbajtje pa leje të lëndëve plasëse”.

Gjobvënia

Një tjetër dyshim i policisë se Dritan Dajti gjatë kohës në arrati vinte gjoba te biznesmenët nuk është faktuar nga agjentët e kësaj strukture. Një vit më parë ata treguan se Dajti ishte autor i disa gjobëvënieve në Tiranë dhe qytete të tjera, por që deri më tani asnjë akuzë nuk i është ngritur 38-vjeçarit. Lidhur me këtë çështje vazhdojnë hetimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›