E Shtunë, 31 Tetor 2026

Japonia, një forcë mes paralizës



Deri para dy dekadash, Japonia ishte përgjegjëse për 14% të ekonomisë globale. Ndërsa tashmë kjo peshë ka rënë në masën 8%. Në vitin 1988, tetë prej kompanive më të mëdha për nga vlera, bashkë me dhjetë bankat më të mira në rang global, ishin pikërisht japoneze. Sot asnjë kompani japoneze nuk përfshihet në asnjë prej dy listave. Dikur motori i ekonomisë globale, sot gjendet në një kënd të parëndësishëm.
Një pjesë e mirë e indikatorëve tregojnë se vendi është në rënie: popullsia po mpaket, rritja ekonomike prej kohësh gjendet në stanjacion, vlera e pasurive të paluajtshme ka rënë.
Gjendja e vagullt e ka shtyrë qeverinë të paraqesë një strategji shteruese rritjeje. Por, me gjithë rënien e përgjithshme, gjenden tregje të fshehura që shënojnë veç rritje. Kompanitë që kanë vënë në shënjestër këto tregje po lulëzojnë.
Le të marrim në shqyrtim shqetësimin më të madh në terma të gjata kohorë: demografinë. Pritet që popullsia japoneze të bjerë nga 127 milionë që është sot, në 124 milionë deri në 2020-n dhe në 100 milionë me mbërritjen e vitit 2050. Vendi po plaket, që do të thotë më pak punëtorë e më pak prodhim. Por mpakja nuk është uniforme. Ndërsa zonat rurale boshatisen, popullsia e Tokios rritet me 1% në vit. Dhe sigurisht, shtohet numri i të moshuarve. Qeveria llogarit se numri i të moshuarve mbi moshën 65-vjeçare, në pjesën më të madhe të Tokios, do të rritet me 45% deri në vitin 2015.
Firmat që u ofrojnë shërbimet këtyre grupeve do të kenë një treg në rritje. Shoqëritë “Benesse”, “Watami” e të tjera po hapin shumë azile gjatë këtij viti, “duke e shndërruar argjendin në flori”, siç thonë biznesmenët japonezë. “Watami” po zgjeron shërbimin e shpërndarjes së ushqimit për të moshuarit dhe synon të arrijë kuotën e arkëtimeve prej 50 miliardë jenëve (rreth 550 milionë dollarë) deri në vitin 2013.
Sipas “Zexy”, një revistë martesash, ndërsa çiftet martohen më me vonesë, mesatarisht dy vjet më vonë se në dekadën e shkuar dhe shpesh zgjedhin të mos kenë fëmijë, banorët e Tokios shpenzojnë 40% më pak për martesa se dhjetë vite më parë.
Një vështrim në industrinë e restoranteve tregon se, megjithëse numri i tyre ka rënë që prej vitit 1998, tregu i ushqimeve të paketuara thuajse është dyfishuar. Industria e fast-food-it në përgjithësi po lulëzon.
Një tjetër mundësi rritjesh të mëdha fshihet pas sektorit të farmaceutikëve. Në total shitjet e medikamenteve rriten me 3% në vit – shifër jo shumë mbresëlënëse për një popullsi në plakje. Por shitjet e medikamenteve gjenerike po rriten tre herë më shpejt. Qeveria po nxit përdorimin e tyre për t’u ulur kostot e prodhimit përmes rritjes së kërkesës.
Medikamentet gjenerike për nga volumi përbëjnë vetëm 20% të tregut 80 miliardë dollarësh japonez. Krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britaninë ku këto lloj medikamentesh përbëjnë më shumë se 60% të tregut, duket qartë se ka hapësirë për rritje të fortë. Firma si “Nichi-Iko”, “Towa” dhe “Sawai” kanë ditur të përfitojnë më së miri deri tani.
Vërehet optimizëm edhe kur vjen fjala te shitjet me pakicë. Për vitin e shkuar, shitjet e dyqaneve të vogla ranë me 10% dhe ato të supermarketeve me 4%, duke shënuar rënie për të 13-in vit radhazi. Por janë dy kategori të tjera në bum të plotë. Tregtimi online është rritur me 17% që prej vitit 2005 dhe pritet të zgjerohet mesatarisht në masën 10% në vit deri në 2015. Liderët e këtij tregu si “Rakuten”, “Yahoo!”, “Japan and Kakaku” po lulëzojnë.
Disa firma japoneze po mësojnë aktualisht të përfitojnë prej kontraktimit të ekonomisë së vendit. Rënia e vlerës së pronave komerciale dhe shtimi i hapësirave boshe në Tokio i kanë dhënë mundësinë “Sagawa”-s, një kompani e specializuar në bimët dekorative, ta rrisë me 80% numrin e dyqaneve të veta. Rënia e çmimeve të trojeve rezidenciale i ka shtyrë banorët të mos ndërrojnë shtëpi, por i ka nxitur të ristrukturojnë apartamentet ku banojnë, duke hapur treg pune për firmat e ndërtimit.
Pesimizmi i plotë e krerëve japonezë është më se i kuptueshëm. Por një numër jo i vogël firmash kanë ditur të gjenerojnë fitime edhe në një ekonomi të gjunjëzuar. Ndoshta duket e vështirë, por po të shohësh me kujdes, edhe kohët e zymta bartin me vete një numër të habitshëm mundësish.

Marrë nga Financial Times

9 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›