E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lucien Aigner, dokumentoi dasmën përrallore të Mbretit Zog



Është konsideruar i pari paparac i historisë së fotografisë, ndoshta sepse i është dhënë mundësia të jetë i pranishëm në shumë ngjarje të jetës private ose jo të personazheve të kohës së tij. Nga Hungaria, në Francë e më pas në Amerikë... më pas shëtitje në të gjithë Evropën me aparatin fotografik në dorë. Lucien Aigner, një nga baballarët e fotografisë dokumentuese, është i njohur sidomos për fotografitë e realizuara në Europë midis dy luftërave dhe në mënyrë të veçantë për portretet që i realizoi disa personazheve të njohur të asaj periudhe. Adolf Hitler, Benito Mussolini, Albert Einstein janë vetëm disa prej personazheve të njohur të cilët Aigner i solli për publikun përmes aparatit të tij fotografik. Por ka një arsye më shumë për të cilën ne shqiptarëve na intereson ky fotograf i madh me origjinë hungareze. Është pikërisht ai që ka dokumentuar një prej martesave më të bujshme të historisë së Shqipërisë, atë të Mbretit Zog me konteshën Geraldine Apponyi de Nagy-Appony. Kjo ngjarje e rëndësishme u përcoll jo pa bujë atëkohë dhe Lucien Aigner ishte aty, pikërisht për këtë arsye. Përmes aparatit të tij ai ka dhuruar shkrepje të paharrueshme, imazhe të rralla që të shtyjnë në një udhëtim në kohë. Ata u martuan më 27 prill të vitit 1938. Lidhja në martesë e të dyve ishte një ceremoni civile duke qenë se dhëndri i takonte besimit mysliman dhe nusja atij katolik. Konti Galeazzo Ciano ishte dëshmitar. Kontesha bukuroshe kishte veshur një fustan të bardhë qëndisur në perla, të cilin mbreti e kishte porositur në Paris. Velloja e gjatë me lule ngjyrë portokalli derdhej mbi supe, ndërsa mbi krye qëndronte kurora. Geraldine Apponyi ishte një nga aristokratet më të bukura të Evropës, të cilën shpeshherë e quanin “Trëndafili i bardhë i Hungarisë”. Duke u martuar në moshën 22-vjeçare me mbretin e shqiptarëve ajo u bë mbretëresha e dytë më e re në botë. Ceremonia e rrallë e monarkëve shqiptarë u ndoq nga rreth 80 gazetarë vendas e të huaj. Aigner megjithatë nuk u mjaftua vetëm me kaq. Kërshërinë prej fotoreporteri nuk e ngopte vetëm një ceremoni mondane e Shqipërisë së varfër. Ai dëshiroi të njihej me më shumë se kaq. Për ta realizuar këtë, doli rrugëve duke fotografuar edhe të përditshmen e Shqipërisë së atyre viteve. Imazhet që na vijnë prej tij janë të rralla. Dëshmi e vyer që meriton një vëmendje të veçantë. Janë imazhe të burrave e grave shqiptare të veshura me kostume popullore, të cilat Aigner i bëri të njohura në të gjithë botën. Oficerë të xhandarmërisë së Mbretit Zog dhe uniformat e tyre, fëmijë në rrugë, shkolla e kopshte, kameramanë në damën e mbretit, e shumë detaje të cilat ofrojnë një tablo të plotë të Shqipërisë gjatë mbretërimit të Zogut.

Java e IX të Kinemasë Spanjolle “Europa në ekran” në Pogradec
Në kuadrin e programacionit kulturor të mbylljes së Presidencës Spanjolle të BE-së dhe, duke qenë se kinemaja është një nga transmetuesit më të mirë të kulturës në shprehjen e saj shumëfishe, më 9 gusht do të fillojë Java e IX e Kinemasë Spanjolle, që do të quhet “Europa në ekran”, e që do të zhvillohet nga data 9 deri më 13 gusht në orë 21.00 në Odeon të Pogradec, me projektimin e një seri filmash spanjollë të realizuar në bashkëpunim me vende të BE-së si Portugalia, Gjermania apo Franca, për të treguar ndryshimet dhe sfidat që, si Spanja ashtu edhe Europa ka përballuar në 50 vitet e fundit, dhe me pesë portrete që reflektojnë aspekte të ndryshme të shoqërisë europiane sipas vështrimit të kinemasë spanjolle. Të hënën më 9 gusht, në orën 21.00, në Odeon, do të jetë inaugurimi i Javës së IX të Kinemasë Spanjolle, me projektimin e filmit “Një frankë, 14 peseta” (2006) me regji të Carlos Iglesias. Para inaugurimit dhe fillimit të projektimit të filmit, do të zhvillohet një koncert i organizuar nga Bashkia Pogradec. Filmi vendoset në Spanjën e viteve 1960, ku dy miq, Martíni dhe Markos, nisen për në Zvicër në kërkim të një pune. Lënë familjet në Spanjë dhe shkojnë drejt një jete të re në Europën e progresit dhe të lirive. Atje do të zbulojnë një mentalitet shumë të ndryshëm me të cilën duhet të përshtaten, duke punuar si mekanikë në fabrikën të një fshati të vogël industrial. Me mbërritjen e Pilarit, gruas së Martinit dhe të djalit të tyre Pablo, si dhe të Maria Karmenit, që eshtë e fejuara e Markos, përfundon jeta e burrave beqarë, që të dy bënin në atë vend plot liri. Puna vazhdon përditë për Pilarin dhe Martinin, ndërsa djali fillon të shkojë në shkollë e të integrohet. Me vdekjen e babait të Martinit, mendojnë se atë që kishin kërkuar e kishin arritur tashmë, dhe vendosin të kthehen. Për çudi të tyre, do të jete më i vështirë kthimi se sa largimi. Hyrja është e lirë dhe filmat do të shfaqen në versionin origjinal, me titra në anglisht dhe shqip.

Në Vlorë, ekspozita “Kush ka frikë nga e kuqja, e verdha dhe jeshilja”
Një ekspozitë kolektive që konsiston në prezantimin e punëve të disa prej artistëve shqiptarë të cilët sot punojnë në kontekst ndërkombëtar. Në datën 11 gusht, galeria “The Promenade Gallery” në Vlorë, prezanton ekspozitën kolektive “Kush ka frikë nga e kuqja, e verdha dhe jeshilja”, me pjesëmarrjen e artistëve Alban Muja, Adrian Paci, Anri Sala, Artan Shabani, Driant Zeneli dhe Fani Zguro. Kjo ekspozitë konsiston në prezantimin e punëve të disa prej artistëve shqiptarë të cilët sot punojnë në kontekst ndërkombëtar.Ekspozita e merr titullin prej njërës nga punët e prezantuara në ekspozitë, videos së Anri Salës, “Who Is Afraid of Red Yelloë and Green”, e realizuar në 2008. Në këtë video artisti shqiptar trajton nëpërmjet planesh fikse një situatë jo të zakontë, ku merimangat endin folenë e tyre pikërisht mbi dritat e një semafori, pa iu frikësuar aspak tensionit që ato krijojnë. Alban Muja prezantohet me foton “Catch Me” të cilën e ka realizuar gjatë rezidencës së tij në Santa Fe Institution më 2007, foto e cila fikson vetë artistin teksa vrapon në shkretëtirë, duke sfiduar gjithçka me entuziazëm.Ndërsa Adrian Paci me videon e tij "Nobody Is Romantic Anymore" vazhdon kërkimin e nisur qysh herët në lidhje me figurën dhe pozicionimin e artistit. Artan Shabani prezantohet me dy foto “The Singing Lions”, ku trajton fenomenin e arkitekturës sot, mënyrën se si ne marrëdhënësohemi me të. Driant Zeneli prezantohet me videon ''The dream of icarus ëas to make a cloud'', ndërsa Fani Zguro prezantohet me foton “To Divide It”, e cila tregon histori të kaluara.

9 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›