E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 prilli, legalistët sfidojnë bashkinë

08/04/2009  Ekrem Spahija ka prishur protokollin duke vënë i pari kurorën te busti i Mujo Ulqinakut

“Tërhiqet” Dako, shmang incidentin. Spahija: Të rehabilitohet figura e Ahmet Zogut

DURRES- Partia e Lëvizjes së Legalitetit ka mundur të prishë të gjithë protokollin e aktivitetit në nderim të 70-vjetorit të rezistencës antifashiste në Durrës të datës 7 prill 1939. Kryetari i PLL, princi Leka, drejtues dhe anëtarë të kësaj partie duket se kanë parapërgatitur të gjithë veprimet në kuadër të kësaj dite përkujtimore për të marrë përsipër tërheqjen e vëmendjes.

Aktivitetet

Organizatore e kësaj dite ka qenë bashkia e Durrësit, e cila ka ftuar personalitete publike, shoqata, krerë të institucioneve lokale e qendrore si dhe veteranë të Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa ka përfunduar edhe fjala e rastit nga përfaqësuesi i Bashkisë, Ekrem Spahiu, nuk ka pritur gjatë dhe sapo ka përfunduar fjala e rastit ka marrë kurorën dhe është nisur në drejtim të bustit të Mujo Ulqinakut, Heroi i Popullit, simboli i rezistencës kundër pushtimit italian të Durrësit. Pikërisht në këtë çast ai është ndeshur me kundërshtinë e drejtorit të departamentit të kulturës, Ardian Gurra, i cili ka këmbëngulur që kurora e parë të vendoset nga kryetari i bashkisë. Replikat mes palëve kanë zgjatur disa minuta, por kreu i PLL-së duket se ka qenë i përgatitur për një situatë të tillë, e cila është manifestuar edhe nga prania e flamujve politik të saj. Një klimë e tillë ka gjetur të papërgatitur bashkinë si organizuese e përvitshme e kësaj ngjarjeje historike. Madje bashkia ka synuar si dhe ka përgatitur edhe shkresën për të kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që simbolikisht Durrësi të shpallet “Qytet Martir”. Kryetari PLL-së, Ekrem Spahiu, me kurorë në dorë i është drejtuar bustit të Mujo Ulqinakut duke i prishur bashkisë të gjithë radhën e vendosjes së kurorave. Në një situatë të tillë Vangjush Dako është tërhequr duke i kërkuar vartësit të tij të tregojë kujdes për të shmangur çdo incident që mund të komprometonte aktivitetin. Prania në festimin e 70-vjetorit e përfaqësuesve të ambasadave të huaja të akredituara në Tiranë ka nxitur bashkinë të shmangë përplasjen me legalistët, të cilët me praninë e tyre të konsideruar ishin përgatitur edhe për një situatë të tillë.

Sfidë historisë

Deri më tani kurora e parë është vendosur nga bashkia, ndërkohë që legalistët në disa tubime të tilla pas viteve ‘90 i janë shmangur daljes në skenë. Por këtë herë ata kanë shkuar edhe më tej duke vendosur të parët kurorën tek Mujo Ulqinaku. Në këtë aktivitet të rinj e të reja të ardhur për të mbështetur PLL-në kanë valëvitur flamuj, si sfidë kjo adresuar historisë së shkruar. Në ditën e kujtimit të rezistencës kundër fashizmit, PLL ka ngritur lart dy nga pllakatat në të cilat shkruhej “Kruja e Abaz Kupit”, themeluesit të lëvizjes së Legalitetit. Më pas krerë të kësaj partie dhe përfaqësues të të djathtës kanë zhvilluar në Durrës konferencë të zgjeruar. Qëllimi kryesor i folësve ka qenë rehabilitimi i plotë i figurës së Ahmet Zogut dhe e përkrahësve të Monarkisë. Sipas Ekrem Spahiut, “Historia e popullit shqiptar edhe pas viteve ’90-të vazhdon të jetë e manipuluar pasi ka shmangur të vërtetat historike”. Ai ka deklaruar se Ahmet Zogu ishte personaliteti kyç që drejtoi rezistencën antifashiste të prillit të vitit 1939. Në këtë kuadër Spahiu ka bërë apel për ndryshimin e dëshmive në fletët e historisë duke kërkuar për Zogun vendin qendror në këtë rezistencë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›