Leka Zogu: Të rishikohet historia në lidhje me 7 prillin
08/04/2009 Pretendenti i fronit mbretëror, princi Leka, është shprehur dje në Durrës se duhet të rishikohet historia dhe në ngjarje si ajo e 7 prillit të futet dhe kontributi i mbretit Zog, i cili organizoi rezistencën në Durrës. Këto komente Leka Zogu i bëri gjatë aktiviteteve që organizoi dega e PLL-së së Durrësit me rastin e 7 prillit. “Data 7 prill shënon rezistencën që organizoi mbreti Zog kundër pushtimit fashist. Data 7 prill u kushtohet patriotëve nacionalistë dhe zogistë. Fatkeqësisht, këtë vepër e kanë përvetësuar komunistët dhe pasardhësit e tyre dhe disa historianë vazhdojnë të shtrembërojnë të vërtetën historike”, - tha pretendenti për fronin mbretëror Leka Zogu. Aktiviteti i kësaj dite filloi në monumentin e Mujo Ulqinakut në Durrës, ku përfaqësuesit e familjes mbretërore, drejtues, anëtarë dhe simpatizantë të PLL-së ishin mbledhur me flamujt kombëtarë dhe të partisë “Lëvizja e Legalitetit” në shenjë nderimi dhe përkujtimi të rezistencës që organizoi shteti shqiptar dhe mbreti Zog I nën drejtimin e major Abaz Kupit përballë pushtimit fashist më 7 prill 1939. Me këtë rast princi Leka, në shenjë nderimi për luftëtarët që dhanë jetën në rezistencën e 7 prillit, vendosi kurora në monumentin që i kushtohet kësaj rezistence. Gjatë 45 vjetve roli i mbretit Zog më 7 prill 1939, ditë që shënon dhe pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, është shfaqur si negativ. Madje, në literaturën komuniste ai konsiderohej tradhtar i kombit, ndërkohë që pas 70 vjetësh kërkohet dhe një herë rishikimi i historisë.