E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 shtator, seanca e parë e Legjislaturës XVIII

28/08/2009  Mbledhja e parë ngarkon komisionin që të verifikojë mandatet e deputetëve

Betimi dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit do të realizohen në seancën e dytë

E hëna e parë e muajit shtator, data 7, pritet të jetë edhe dita e zhvillimit të mbledhjes së parë të Legjislaturës XVIII të Kuvendit të Shqipërisë. Data e startimit së Legjislaturës do të dekretohet nga Presidentit i Republikës mes afatit kushtetues nga data 2 deri më 12 shtator. Në mbledhjen e parë, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha si deputeti më i vjetër i Kuvendit, do të zgjidhet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Në seancën e radhës betohen deputetët e rinj të Kuvendit dhe procedohet me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Nisja e legjislaturës

Neni 67 i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton mbledhjen e Kuvendit nga Presidenti i Republikës. “Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati”, - thuhet në këtë nen. Kufijtë e afatit kushtetues brenda së cilës kreu i shtetit ka të drejtë të thërrasë parlamentin është data 2 shtator deri në 10 shtator. Burime nga Kuvendi sqarojnë se data e thirrjes të jetë në mesin e këtij afati, pikërisht në datën 7 shtator. Vijimin e mëtejshëm të punimeve e përcakton Rregulloja e Kuvendit, që në nenet e para të saj. “Mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Në rast mospranimi ose mungese, mbledhja drejtohet nga deputeti që është pas tij më i vjetër në moshë”, - thuhet në nenin një të rregullores. Në seancën e parë, ku nuk lejohet të zhvillohen debate, ngrihet komisioni që do të verifikojë vlefshmërinë e mandateve të certifikuara nga KQZ-ja të 140 deputetëve. Në nenin 2 të Rregullores thuhet saktësisht se “me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre”. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë dhe pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Propozimet për përbërjen dhe kryesinë e komisionit bëhen nga përfaqësuesit e grupimeve politike dhe miratohen nga Kuvendi me votim të hapur, me shumicën e votave të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij. Gjithashtu në mbledhjen e parë tre deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit.

Mbledhja e dytë

Paraqitja e raportit të komisionit që verifikon mandatet e deputetëve dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit janë dy pikat që parashikon Rregullorja për seancën e dytë të legjislaturës së re. “Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit”, - thuhet në pikën 2 të nenit 3 të Rregullores së Kuvendit. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, duke lexuar tekstin e betimit, i cili lexohet nga drejtuesi i seancës. Deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi, betohen në seancën më të parë që marrin pjesë. Menjëherë pas kryerjes së betimit nga deputetët, procedohet me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit. Në këtë mënyrë edhe seanca e dytë deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Kryeministri Berisha.

Verifikimi i deputetëve

Kushtetuesja vulos mandatet me probleme

Gjykata Kushtetuese do të jetë institucioni vendimmarrës për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve për të cilët Komisioni për Vlefshmërinë e Mandatit të Deputetëve vëren paligjshmëri në zgjedhje. Është komisioni ia propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Kushtetuese. Kërkesa hartohet nga komisioni dhe duhet të nënshkruhet nga jo më pak se një e pesta e të gjithë deputetëve brenda 3 ditëve nga leximi i raportit. Po nëse në përfundim të kësaj periudhe kërkesa nuk është nënshkruar dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese, deputeti ftohet të kryejë betimin. Komisioni do të kalojë në sitën e tij procedurën e zgjedhjes deri në mandatimin nga KQZ-ja të 140 emrave. Detyra e tij është lakuar disa herë në KQZ nga përfaqësuesi i PS-së, i cili ka ngritur shqetësimin për shkelje të Kushtetutës nga disa kandidatë, të cilët, edhe pse kishin kandiduar për deputetë, nuk kishin dhënë dorëheqjen nga postet e mëparshme.

Zgjedhja e Kryetarit

Kuvendit mund t’i propozohen deri 9 kandidatë

Deri në 9 kandidatë mund t’i propozohen Kuvendit të Shqipërisë për postin e Kryetarit të Kuvendit në seancën e dytë parlamentare. Sipas Rregullores së Kuvendit, kandidati propozohet nga të paktën 15 deputetë, të cilët nuk mund të mbështesin më shumë se një kandidat. Propozimi bëhet me shkrim, përmban nënshkrimet përkatëse dhe paraqitet në Sekretarinë e Përkohshme të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota. Votimi organizohet publikisht dhe drejtohet nga një komision votimi i përbërë prej 5 deputetësh, që pasqyron përbërjen politike të Kuvendit. Anëtari më i vjetër në moshë kryen detyrën e kryetarit të komisionit dhe shpall rezultatin e votimit.

Krijimi i qeverisë

Votimi i kryeministrit në seancën e tretë të Kuvendit

Menjëherë pas startimit të Kuvendit dhe propozimit të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend, Presidenti i Republikës emëron kryeministrin e vendit. Pas dërgimit të kësaj kandidature në Kuvend, brenda 10 ditëve miratohet nga Kuvendi. Kryeministri i emëruar i paraqet për miratim Kuvendit brenda 10 ditëve nga zgjedhja e tij programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij. Para fillimit të detyrës kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, përbërja e qeverisë votohet e plotë dhe jo e ndarë. Pra, si ministrat, ashtu dhe kryeministri do të votohen në të njëjtën seancë, ku secili duhet të marrë shumicën e votave nga Kuvendi që të miratohen.

Zhvillime në kampin e djathtë

Netian Ceka: AD-ja mund të shkrihet me PD-në

Partia Aleanca Demokratike pritet t’i bashkohet Partisë Demokratike pas rreth dy vjetësh. Këtë e ka bërë të ditur vetë presidenti i AD-së Neritan Ceka, i cili shpjegon se ndërkohë forca politike që drejton do të vazhdojë të punojë me strukturat e saj për t’u përgatitur për zgjedhjet lokale të vitit 2011. Në një intervistë televizive kryealeancisti Ceka jep edhe arsyen e këtij vendimi. Sipas tij, Kodi Zgjedhor e bën të pamundur mbijetesën e partive të vogla dhe shkrirja me partitë e mëdha është e vetmja zgjidhje për të ruajtur disa nga vlerat që mbartin këto forca politike. Ceka thotë se shkrirja e AD-së me PD-në është parë si mundësi edhe pak kohë më parë se të zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. “Ky ka qenë një opsion edhe para zgjedhjeve, por duke parë se sistemi favorizon partitë që futen në front, pra sa më shumë parti të merrnin pjesë në fushatë elektorale aq më shumë shanse kishte koalicioni që të fitonte, Aleanca Demokratike qëndroi më vete. Ajo ruajti pavarësinë e saj. Besoj se kjo do të ketë vlerë edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ne nuk mendojmë se procesi i shkrirjes, integrimit do të kryhet para këtyre zgjedhjeve. Pas atyre zgjedhjeve, në qoftë se do qëndrojë po ky kod që kemi, atëherë natyrisht që zgjidhja më e mirë për Aleancën Demokratike është integrimi në Partinë Demokratike”, - ka deklaruar kreu i PAD-së Neritan Ceka.

Shkrirja PD-PDR

Shkrirja e AD-së me PD-në është paraprirë nga e njëjta situatë kur PDR-ja e Genc Pollos u bë pjesë e PD-së. Rreth një vit para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, nisën kontaktet mes lidershipit të PDR-së dhe PD-së për të shqyrtuar mundësinë e shkrirjes së dy forcave politike. Pasi shkrirja parimisht mori bekimin e të dyja palëve, u nënshkrua një marrëveshje, e cila caktonte se si do të ecej drejt shkrirjes së plotë. Shkrirja u bë pak para zgjedhjeve, ku në listat e kandidatëve për deputetë të PD-së ishin edhe krerët e PDR-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›