E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listës së të prekurve mund t’i shtohen edhe 9 pacientë

28/08/2009  Gripi i derrave/ Në rastet e dyshuara edhe dy fëmijë

Raportimet e fundit të bëra nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik mbi ecurinë e përhapjes së gripit të derrave në vendin tonë tregojnë se 20 rasteve tashmë të konfirmuara mund t’u shtohen edhe 9 pacientë të tjerë. Për këta të fundit analizat e para kanë treguar prezencën e gripit A, por pritet dhe konfirmimi zyrtar nga laboratori i referencës në Rumani. Përhapja e gripit të derrave kësaj radhe duket se nuk ka kursyer as moshat pediatrike, pasi në rastet e dyshuara është pohuar se bëjnë pjesë edhe dy fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeç. Megjithatë, do të jetë laboratori i huaj ai që në fillim të javës së ardhshme do të sjellë përgjigjen definitive nëse këto raste janë mbartëse të AH1N1. Specialistët e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP kanë pohuar se dy nga pacientët janë shtruar në spital dhe janë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa pjesa tjetër pas trajtimit përkatës janë izoluar në kushtet e shtëpisë, ku po ndjekin ecurinë e mëtejshme të sëmundjes. Njëri prej pacientëve është i shtruar në repartin e reanimacionit në spitalin infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, ndërsa personi tjetër ndodhet i shtruar në spitalin e sanatoriumit. Gjithashtu u është tërhequr vëmendja mjekët pediatër, që merren me kujdesin e fëmijëve, që të ndërgjegjësohen e të shtojnë dozat e mostrave të marra nga fëmijët për analiza. Shkak për këtë është bërë fakti që ditët e fundit janë vënë re rritje e problemeve të rrugëve të frymëmarrjes te këto mosha. ISHP-ja do të vazhdojë me analizimin e mostrave, të cilat do të grumbullohen jo vetëm nga spitalet e rretheve, por edhe nga qendrat shëndetësore. Deri tani pohohet të jenë analizuar rreth 500 mostra të dyshimta për praninë e këtij virusi, të cilat kanë shfaqur shenja tipike, si temperaturë deri në 38 gradë, rrufë, dhimbje muskulare, dhimbje koke e deri në shfaqje të shenjave të pamjaftueshmërisë së frymëmarrjes.

Përhapja te fëmijët

Të dhënat e nxjerra nga ISHP tregojnë se kemi sërish dy raste të dyshuara me A(H1N1) të grup-moshës pediatrike 5-14 vjeç. Ndërsa numri më i lartë i mostrave të analizuara i përkasin moshës 25-44 vjeç. Bazuar në faktin që numri më i lartë i infeksioneve respiratore paraqitet më shumë te moshat pediatrike, vihet re një numër i ulët i mostrave të marra te kjo shtresë. Për këtë ISHP tërheq vëmendjen e mjekëve që të shtojnë mostrat e marra te fëmijët.

Për 20 rastet e konfirmuara

Specialistët kanë pohuar se 3 prej rasteve janë marinarë të huaj të moshës 30, 31 dhe 41 vjeç (spitali rajonal Durrës), të cilët tashmë janë larguar nga vendi. Ndërsa 6 raste janë të lidhura me udhëtimet kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar. Për 11 raste të tjera nuk është raportuar lidhje epidemiologjike, që të faktojë rrugën e infektimit. Pacientët që kanë rezultuar mbartës, janë kryesisht në Tiranë, 4 raste në Durrës (tre marinarë të huaj ) dhe një tjetër pacient në Sarandë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›