7 të preferuarat e kryeministrit
Denis Dedej
Vizita e kryeministrit Berisha pak kohë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork është propaganduar si një sukses i madh në fushën e politikës së jashtme dhe biznesit. Kulmi i kësaj vizite, sipas zyrës së shtypit të kryeministrit, ishte mbledhja e Forumit të Investimeve SHBA-Shqipëri, në Nju Jork.
Por dokumentet e këtij takimi, të publikuara vetëm tani, tregojnë se takimi ishte midis qeverisë shqiptare dhe shtatë firmave të akuzuara nga opozita dhe mediat për afera korruptive në vendin tonë. Kompanitë organizuese të këtij takimi, të cilat njihen dhe për publikun shqiptar janë: TAP; Sky Petroleum; TIREX; Bankers Petroleum; Bechtel; Stream Oil & Gas dhe Lalzit Resort Bay. Kryeministri Berisha është akuzuar se i ka dhënë këtyre kompanive kontrata ose koncesione të dyshimta.
Por, në njoftimin zyrtar të kryeministrisë, këto kompani nuk janë përmendur, pasi do të zbehte rëndësinë e saj. Të pranishëm në Forum ishin edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, ambasadorë etj,.
Për të risjellë në vëmendje se kush janë këto kompani mjafton të të kujtohet se TAP (Gazsjellësi Trans Adriatik) është një projekt që financohet nga tre kompani evropiane dhe kërkohet nga biznesmeni italian Gianpaolo Tarantini përmes presionit që do të ushtronte kryeministri Berluskoni. Tarantini është njeriu që i gjente Berluskonit vajzat për festat e tij të shfrenuara. Në një prej përgjimeve të prokurorisë italiane, Tarantini shfaqej duke i kërkuar Berluskonit që të ndërhynte tek qeveria e Tiranës për të siguruar lehtësia për projektin e gazsjellësit.
Ndërsa kompanitë Sky Petroleum, Bankers Petroleum dhe Stream Oil & Gas, njihen për shfrytëzimin e pasurive kombëtare në Shqipëri. Opozita ka ngritur dyshime të mëdha mbi marrëveshjet që janë firmosur nga shteti ynë, duke akuzuar qeverinë për afera korruptive në shfrytëzimin që i bëhet burime tona pasurore. Në lidhje me shfrytëzimin e tyre, një hije dyshimi është ngritur dhe mbi kompaninë TIREX, e cila ka marrë koncesionin e minierave të Mirditës, që shquhen për nxjerrjen e arit.
Për sa i përket kompanisë BECHTEL, çështja është e njohur për të gjithë shqiptarët. Ministri i Punëve Publike të asaj kohe, Lulzim Basha u mor edhe si i pandehur nga prokuroria për abuzime me këtë kontratë, por në fund shpëtoi pa u paraqitur në gjyq për disa kleçka procedurale. Prokuroria akuzonte Bashën dhe disa zyrtarë të lartë të rrugëve për koston e lartë me të cilën është punuar në ndërtimin e Durrës-Kukës si dhe për faktin që duke vendosur në mes një sekser, vlera e rrugës ishte rritur të paktën me 10 për qind.
Një tjetër kompani, Lalzit Resort Bay ka sponsorizuar këtë takim, madje ka bërë dhe njoftimin në faqen e saj zyrtare. Ajo është përfolur shumë nga opozita pas marrjes së një projekti për ndërtimin e një resorti në Gjirin e Lalzit dhe më pas shpallte Argita Malltezin si konsulente ekskluzive të kësaj kompanie në shitblerjen e pasurive të paluajtshme. Emri i vajzës së kryeministrit është lidhur disa herë me rastin e Gjirit të Lalzit, ku ajo ka ngritur edhe kompleksin e parë të vilave.
Në Forumin e Investimeve SHBA-Shqipëri, në Nju Jork, krahas kryeministrit Berisha, kanë mbajtur fjalën edhe përfaqësues të kompanive. Personi që ka mbajtur fjalën hapëse është Toni Podesta, president i Podesta Grup, kompania e të cilit merret me këshillimin dhe lobimin në favor të qeverisë shqiptare. Detajet e financimit dhe të gjithë përfaqësuesve të kompanive që kanë folur në forum nuk janë dhënë nga zyra e shtypit e kryeministri. Kjo e fundit është mjaftuar duke thënë se Sesioni i parë i Forumit u përshëndet edhe nga kongresmeni Eliot Engel, Presidenti i Fondit Amerikan të Zhvillimit Michael Granoff, Ambasadori Frank Uisner dhe nga Tony Podesta, President i Podesta Group.
Paratë nga fondi rezervë për Patton Boggs LTD
Ditën e mërkurë qeveria tërhoqi 20 milionë lekë të reja nga fondi rezervë i shtetit shqiptar dhe ia kaloi firmës amerikane Patton Boggs LTD si këst i një kontrate të lidhur një vit më parë. Kjo është një kompani konsulence juridike dhe lobimi se seli në SHBA. Sipas dokumenteve zyrtare, kjo kompani është kontraktuar nga shteti shqiptar për të negociuar për shitjen e Albpetrolit. Ajo do të paguhet zyrtarisht vetëm 25.000.000 lekë dhe më pas do të marrë një bonus suksesi në vlerën 2.5 për qind të kontratës. Ajo që vihet re nga kjo kontratë është se tarifa zyrtare e shërbimit është vetëm maja e ajsbergut dhe vlera e saj mjafton vetëm për të mbuluar kostot e shkresave zyrtare, ndërsa pjesa kryesore është bonusi. Në vitin 2008 firma Patton Boggs LTD është krenuar për shitjen e kompanisë shqiptare Armo sh.a për 160 milionë dollarë, nga të cilat katër milionë dollarë i ka marrë në formë bonusi. Tarifa zyrtare e paguar në këtë rast nga qeveria shqiptare ka qenë shumë modeste.
Patton Boggs LTD ishte një nga sponsorët dhe organizatorët e vizitës së Berishës në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në shtator të këtij viti. Madje ata organizuan edhe një seminar me firma shqiptare dhe amerikane ku mbajti fjalën këshilltari i Patton Boggs LTD, Frank Uisner si dhe disa përfaqësues të tjerë të firmës. Në njoftimin zyrtar të kryeministrisë, Uisner prezantohet si ambasador dhe jo si këshilltari juridik i firmës Patton Boggs LTD.
Vajzat e Berluskonit dhe Gazsjellësi në Shqipëri
Një emër i njohur nga hetuesit italianë, Gianpaolo Tarantini, kërkonte të përfitonte në Shqipëri përmes kryeministrit Berluskoni, tre projekte në këmbim të femrave që i dërgonte herë pas here. Një ndër kërkesat e Tarantinit ka të bëjë edhe me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik, i mbështetur fuqishëm nga qeveria shqiptare për vetë faktin se është ndër të vetmit projekte energjetik në rajon që kalon nëpër Shqipëri. Si këmbim për favoret që i bënte Berluskonit, ai i kërkon futjen e tij si aksioner në këtë sipërmarrje madje edhe nënshkrimin sa më shpejtë të kontratës me qeverinë shqiptare. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt që financohet nga tre kompani prestigjioze evropiane si Statkraft, EGL dhe Ruhr Gaz. Projekti parashikon dërgimin e gazit nga Azerbajxhani në Europë duke kaluar përmes Ballkanit. Gazsjellësi fillon nga fushat e Shah Denizit në Azerbajxhan dhe nëpërmjet Turqisë kalon në Selanik të Greqisë. Më pas, duke u futur në territorin shqiptar në rajonin e Devollit gazsjellësi kalon në Pulia të Italisë për tu lidhur me rrjetet evropiane të gazit. Gazsjellësi ka vlerë totale prej 1.5 miliardë euro dhe një gjatësi prej 520 kilometra, ku 209 prej të cilave kalojnë nëpërmjet Shqipërisë. TAP është i vetmi projekt energjetik në rajon që nuk anashkalon Shqipërinë.
Përgjimet e Tarantinit
Hekuri duhet rrahur sa është i nxehtë-, citojnë mediet italiane Tarantinin në një ndër transkriptet e bisedave të tij telefonike me një tjetër biznesmen italian ku bëhet fjalë për kërkesën ndaj Berluskonit për bërjen e tij aksioner në këtë sipërmarrje. Tarantini nuk bënte asgjë pa përfituar vetë. Dymbëdhjetë kontrata, 51 milionë euro në tavolinë, gazsjellësin nga Shqipëria në Pulia dhe shënjestra ishte për të krijuar një kompani që do të bashkëpunonte me kompaninë e tij,- shkruajnë mediet italiane. Rast tjetër flagrant është ai kur dy biznesmenë italianë kërkojnë me telefon që Berluskonit të ndikojë tek Berisha për dhënien tek ata të disa HEC-eve në Shqipëri.
Zbulimi i bujshëm i 875 milionë fuçi me naftë?
Burimet shqiptare jepen për të huajt për shfrytëzim të cilët zbulojnë parajsën në vendin tonë. Amerikanët e Sky Petroleum kanë zbuluar vendburime me 875 milionë fuçi me naftë. Pas një marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë dhe Tregtisë, për eksplorimin e zonës së Dumresë në Rrethin e Elbasanit, Sky Petroleum del në përf