E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 të vdekur pas dy sulmeve me bomba në Indi

Militantë të dyshuar aktivizuan sot dy bomba përballë një stacioni të policisë në verilindje të Indisë, duke vrarë me këtë rast shtatë persona dhe duke plagosur 50 të tjerë, ka njoftuar policia.

Pesë persona humbën jetën në vendin e ngjarjes, pas dy shpërthimeve që ndodhën brenda pak minutave në afërsi të stacionit policor në qytetin Nalbari, në afërsi të kryeqytetit të shtetit Assam, Gauhati, njoftoi një zyrtar i policisë. Dy persona tjerë vdiqën më vonë në spital.

Së paku 52 persona tjerë janë lënduar si pasojë e këtyre dy shpërthimeve, njoftoi inspektori i përgjithshëm i policisë në Assam, Bhaskar Mahanta.

Në verilindje të Indisë veprojnë disa grupe separatiste, të cilat e akuzojnë qeverinë e Indisë për shfrytëzimin e burimeve natyrore të rajonit dhe se nuk po ndërmerr masat e nevojshme për të përmirësuar standardin jetësor të banorëve lokalë.

Mahanta theksoi se autoritetet besojnë se për këtë sulm përgjegjëse është organizata Fronti i Bashkuar për Çlitimin e Assamit. Megjithatë, fillimisht asnjë grup nuk mori përsipër përgjegjësinë për këto sulme. Sulmuesit kishin vendosur dy biçikleta të mbushura me lëndë shpërthyese para stacionit të policisë, të cilat më pas i aktivizuan nga larg.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›