E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet zgjidhje për Karabahun

Azerbajxhani dhe Armenia kanë zhvilluar dje negociata për konfliktin në Nagorni-Karabah, me aleatën e Azerbajxhanit, Turqinë, e cila po vazhdon trysninë për arritjen e një përparimi, para se Ankaraja të vulosë afrimin e vet historik me Armeninë fqinje.

Azerbajxhani ka ngritur në ndërkohë piketat, duke theksuar se takimi mes presidentëve të dy vendeve në Munih do të jetë vendimtar dhe se forcat e armatosura të Azerbajxhanit tashmë janë të gatshme që të rivendosin nën kontroll këtë territor në rast nevoje edhe me forcë, nëse së shpejti nuk arrihet ndonjë depërtim në këto negociata.

Të mbështetur nga Armenia, armenët etnik në Nagorni Karbah u shkëputën nga pushteti i Azerbajxhanit, pas luftës e cilat shpërtheu në periudhën kur Bashkimi Sovjetik po lëvizte drejtë shkatërrimit të vet në vitin 1991. Rreth 30 mijë persona u vranë, para nënshkrimit të armëpushimit në vitin 1994.

Nagorni-Karabah, territor ky me 100 mijë banorë, kërkon njohje si shtet i pavarur, por 15 vjet të ndërmjetësimit ndërkombëtarë kanë dështuar deri me tani që të prodhojnë një marrëveshje paqësore. Përleshjet sporadike të armatosura mes dy palëve të armiqësuara kanë shtuar frikën se konflikti mund të shpërthejë sërish.

Konflikti në Kaukaz është vendosur sërish këtë vit në qendër të vëmendjes, pas marrëveshjes mes Turqisë dhe Armenisë për të lënë prapa një shekull të armiqësisë, e cila buron nga masakra kundër armenëve nga ana e turqve osmanë në vitin 1915, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ankaraja dhe Jerevani kanë nënshkruar marrëveshjet për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e kufirit mes dy shteteve, të cilin Turqia e mbylli në vitin 1993, në shenjë solidariteti me Azerbajxhanit gjatë kohës së luftës.

Marrëveshja ka një rëndësi të madhe për ndikimin diplomatik të Turqisë në rajonin strategjik të Kaukazit, ka rëndësi për synimin e Turqisë për anëtarësim në BE, e gjithashtu ka rëndësi edhe për ekonominë në gjendje të mjerë të Armenisë.

Por Ankaraja ka qartësuar se dëshiron të shoh përparim në lidhje me Nagorni-Karabahun, para se të ratifikojë marrëveshjet me Armeninë. Armenia e ka refuzuar këtë kushtëzim.

Negociatat mes presidentit të Armenisë, Serzh Sarksyan dhe atij të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, filluan sot në ndërtesën e konsullatës së Francës në Munih. Do të jetë ky takimi i gjashtë mes tyre gjatë këtij viti.

Nëse ky takim përfundon pa ndonjë rezultat, atëherë shpresat tona do të shterën dhe nuk do të na mbetet asnjë opsion i vetëm. Kemi të drejtë të çlirojmë territorin tonë me mjete ushtarake, theksoi Aliyev.

Azerbajxhani edhe në të kaluarën është kërcënuar shpesh me aksion ushtarak, por analistët kanë theksuar se tendosjet në rajon janë ngritur, për shkak të marrëveshjes mes Turqisë dhe Armenisë.

Ndërmjetësuesit nga SHBA-ja, Rusia dhe Franca kanë theksuar se është shënuar përparim në negociata, por diplomatët perëndimor kanë theksuar se asnjëra palë nuk është e gatshme që të bëjë koncesione të dhimbshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›