E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 x 9/11

Festivali i filmit të shkurtër “Nine Eleven” fillon më njëmbëdhjetë shtator, derisa skenarët e pranuara për t’u realizuar nga festivali, tani veç dihen. Mirëpo ka ardhur koha për hapin tjetër, që ata skenarë të dalin në shirit filmik. Disa kanë filluar xhirimet e disa prej tyre tani veç kanë dalë të finalizuar.

“Gushti do të jetë muaji me intensiv sa u përket xhirimeve, deri më tani xhirimet i ka përfunduar vetëm filmi “Piromani” i regjisorit Ilirian Himaj. Është në proces të përfundimit të filmit të tij, Birol Urcan, ndërsa menjëherë do të fillojnë xhirimet regjisorët e tjerë”, u shpreh drejtori i festivalit 9/11, Blerim Gjoci.

Sipas Gjocit nuk është dhe ideja që të bëhen ndryshime në festival, por vetëm të sillet kualitet.

“Mendoj se festivali në esencë asnjëherë nuk do të pësojë ndryshime të mëdha, por ajo që na bën të lumtur sivjet është se kualiteti i skenarëve konkurrues është shumë më i lartë”, u shpreh Gjoci

Ndërsa sipas tij këtë vit do të ketë telashe në realizimin e gjithë filmave fitues dhe problemi siç jemi mësuar tashmë është tek buxheti.

“Mundësitë për realizim janë jo fort të favorshme këtë vit, për faktin se edhe mundësitë materiale nuk janë të kënaqshme, si gjithmonë është mirëkuptimi i artistëve dhe nevoja për të krijuar që mbizotërojnë edhe këtë edicion.

Filmi “Piromani”, pjesë e festivalit 9/11, tani ka ardhur gati në pikën finale. Regjisori i këtij filmi është po ashtu fitues të edicionit të gjashtë të festivalit “Nine Eleven”, me filmin “Matan lumit”.

“Po kemi arritur në fundin e xhirimeve, shume pak kanë mbetur deri në finalizim. Për fat të mirë puna ka ecur shumë mirë, shumë sigurt dhe në mënyrë profesionale nga i gjithë stafi. Për nga vështirësia dallon prej projekteve të mia të mëparshme për arsye se tema që trajtohet në këtë film është më specifike jo vetëm nga filmat e mi të mëparshëm por edhe nga të gjithë filmat e metrazhit të shkurtë që janë pa deri tani në vendin tonë. Thjesht kemi pasur punë me zjarë dhe me fëmijë”, u shpreh regjisori i filmit “Piromani”, Ilirjan Himaj.

Sipas tij, puna është lehtësuar shumë në realizim, meqë filmi është pjesë e 9/11, ku edhe mundësitë kanë qenë më të mira krahasuar me projektet e tij të mëhershme.

“Piromani” i Himajt trajton një temë të veçantë, që fokusohet tek ekzistimi i një personi real.

“Më bëri përshtypje që të shqyrtoj një personazh të tillë në film. Fjala është për një fëmijë piroman, i injoruar nga shoqëria dhe mungesa e edukimit adekuat për të. Mungesa e familjes dhe e kujdesit ndaj fëmiut e bëjnë atë të rrezikshëm për rrethin, viktimë e vetvetes”, u shpreh Himaj.

Se sa filma do të shfaqen por edhe sa do të jenë pjesë e festivalit ende është herët të dihet.

“Nga data 1 deri me 31 Gusht hapet konkurrimi për filma të gatshëm, të cilët do të marrin pjesë në Festival. Tradicionalisht kemi filma nga të gjitha trojet shqiptare, sepse festivali siç e dini është gjithëkombëtar. Më datën 31 gusht besoj do ta dimë saktë se sa do të jetë numri i filmave të pranuar dhe poashtu do të përpilohet lista përfundimtare”, u shpreh Gjoci.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›