70 fëmijë në një klasë / Ina Zhupa denoncon kushtet e këqija te çerdheve dhe kopshteve në Sarandë

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka denoncuar nga Saranda situatën në disa kopshte dhe çerdhe në nisje të vitit të ri shkollor. Sipas saj, mungesa e përfundimit të punimeve dhe organizimi i institucioneve ka bërë që fëmijët të grumbullohen në klasa me rreth 70 nxënës.
“Ka qenë surprizë fillimi i vitit të ri shkollor për Bashkinë e Sarandës. Është një situatë kaotike, e paorganizuar për çerdhet dhe kopshtet e Sarandës”, deklaroi Zhupa.Ajo tha se në të njëjtat ambiente janë krijuar klasa me rreth 70 fëmijë, duke e cilësuar këtë situatë si të papërshtatshme për zhvillimin dhe edukimin e tyre. “Fëmijët nuk janë sardele që t’i sistemosh në një kuti. Ata duan hapësirën e tyre, duan kohën e tyre dhe mundësinë për t’u zhvilluar”, u shpreh deputetja e PD-së.
Deklaratë për media nga Saranda, deputetja e PD, Ina Zhupa:
Mesa duket për bashkinë Sarandë ka qenë surprizë fillimi i vitit të ri shkollor.
E them këtë sepse është një situatë kaotike, e pa organizuar për çerdhet dhe kopshtet e Sarandës, ndërkohë që duhet të ishin marrë masat që fëmijët e Sarandës të nisnin kopshtet dhe çerdhet normalisht. Unë sot ndodhem në Sarandë dhe mbrapa meje është “Kopshti nr. 1” i llogaritur për fëmijët e kësaj zone, ndërkohë janë të detyruar që të sjellin këtu dhe çerdhen e qytetit dhe klasat që ishin planifikuar për kopshtin të boshatisen që të shkojnë fëmijët e çerdhes.
Dhe brenda të njëjtave klasa që ka kopshti janë bërë me 70 nxënës për klasë dhe kjo e bën të pamundur një proçes normal, edukativ, mësimdhënës për mirërritjen e fëmijëve, për zhvillimin e tyre psikologjik dhe social sepse fëmijët nuk janë sardele që ti mund t’i sistemosh në një kuti.