E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshim për tjetërsimin e 71.7 hektarë tokë dhe sekuestrim i 716 mijë euro / Ish-drejtori i Kadastrës se Fierit del sot në gjykatë

Ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, rezulton i përfshirë në një tjetër skemë të dyshuar tjetërsimi pronash, këtë herë në zonën e Levanit. Prokuroria njoftoi një procedim të ri penal, ku dyshohet se janë tjetërsuar rreth 71.7 hektarë tokë, pavarësisht se për to ishte përfituar më parë kompensim financiar nga shteti. Për këtë procedim, Prokuroria ka lëshuar masën arrest me burg për ish-drejtorin Shehu, përfituesin Ervin Habilaj dhe detyrim paraqitjeje për ish-hartografin Emiljano Ruko.

Si funksiononte skema?

Sipas Prokurorisë së Fierit, skema e dyshuar lidhet me një vendim të vitit 2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që njihte të drejtën e kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në Levan dhe Dërmënas. Në vitin 2018, Ervin Habilaj, një prej trashëgimtarëve përfitues, mori kompensim financiar prej 53.8 milionë lekësh nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.

Por, pavarësisht se kishte marrë paratë, në vitin 2023 ai dyshohet se ndoqi procedurat për të regjistruar edhe 6 pasuri me sipërfaqe totale 71.7 hektarë. Në këtë proces dyshohet se kanë pasur rol ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, dhe ish-hartografi Emiljano Ruko, përmes veprimeve të tyre në trajtimin e dokumentacionit për regjistrimin e pronave.

Pas regjistrimit, disa prej pasurive dyshohet se janë shitur. Gjatë hetimeve, Prokuroria ka sekuestruar 715,976 euro në llogarinë bankare të Ervin Habilës, si dhe dokumente e pajisje elektronike.

Tjetërsimi në Seman

Ndërkohë, Shehu del sot para Gjykatës së Fierit për vlerësimin e masës së sigurisë në lidhje me skemën tjetër të dyshuar të tjetërsimit të pronave në Seman.

Për këtë episod, Prokuroria dyshon se biznesmeni Kastriot Hasko përdori dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të regjistruar tokat në bashkëpronësi me katër persona të tjerë dhe më pas për t’ua shitur dy shoqërive. Krahas Shehut dhe Haskos, janë arrestuar edhe ish-drejtori i Kadastrës Bardhyl Kapaj dhe juristi Piro Çela.
Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar 76 pasuri me sipërfaqe totale 1,143 hektarë, si dhe 150 mijë euro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›