E Diel, 1 Nëntor 2026

700 miliardë dollarët dhe shqiptarët

Opinioni publik shqiptar ka ndjekur me shqetësim planin e sigurisë bankare të qeverisë amerikane, me një fond parash prej 700 miliardë dollarësh. Ajo kërkon me këto para të blejë kapitalet bankare që kanë probleme me kreditë e këqija në të gjithë SHBA-në, duke shpresuar t’i ndihmojë bankat që të fillojnë sërish të japin me lirshmëri kredi. Bëhet fjalë për ndërhyrjen më masive shtetërore në ekonomi, pas viteve 1929-1933 të Depresionit të Madh në këtë vend. Sipas fjalëve të senatorit Barak Obama, kandidat për President, i cili votoi që ky ligj të kalonte në Senat, “nuk kemi kohë, madje as edhe gjashtë muaj. Nuk mund t’ia lejojmë vetes që ekonomia e Shteteve të Bashkuara, dhe për rrjedhojë, edhe ekonomia botërore të bjerë në një hon shumë, shumë të thellë”. Përse administrata Bush kërkon me çdo mënyrë të miratojë këtë ligj të jashtëzakonshëm? Cilit zhvillim financiar i frikësohet ajo? Shumë ekspertë ekonomie, por edhe politikanë, kanë paralajmëruar se në rast se shteti nuk ndërhyn, mund të vihen në rrezik kursimet e jetës të më se 60 milionë amerikanëve të mesëm të moshuar. Po ashtu, edhe biznesi i vogël, i cili i kryen pagesat nëpërmjet bankave, mund të mos jetë më në gjendje të paguajë rrogat e të punësuarve të vet. Me pak fjalë, kjo krizë financiare mund të sjellë apokalipsin. Ky shqetësim është përhapur edhe në Evropë, ndonëse në një nivel meraku më të vogël. Tek ne po kalon me telefonata të atyre që kanë kursimet nëpër banka, që pyesin sidomos për fatin e depozitave të tyre në një bankë tonën tregtare që ka emër amerikan. Praktikisht, nuk ka asgjë për t’u alarmuar, pse banka ka kapital tërësisht evropian (italian). Megjithatë, shqiptarët ndihen të shqetësuar. “Çfarë do të ndodhë më tej?” Kjo është pyetja në majë të gjuhës së të gjithëve. Në rastin më të keq, kriza do të vijojë duke gëlltitur edhe disa banka të tjera që do të falimentojnë në SHBA. Por tani kjo krizë e ka kapur zenitin e saj dhe nuk do të japë në të ardhmen aq dëme sa ka dhënë deri tash. Në rastin më të mirë, pritet që këtë të premte Dhoma e Përfaqësuesve (Kongresi) të miratojë ligjin që Senati amerikan e kaloi dhe që bankat, të inkurajuara nga rreth 250 miliardë dollarë shtetërorë që do të futen menjëherë në lojë, të mund të kryejnë normalisht aktivitetin e tyre të kreditimit. Është e vërtetë që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk është prononcuar në detaje për këtë krizë bankare. Ndoshta i ndruhet fjal[najës së tepërt për këtë. Mendësia jonë është që nëse Guvernatori flet, atëherë patjetër dyshojmë se mos ka diçka të keqe dhe nisim në masë tërheqjet e depozitave nga bankat. Kjo do ta trondiste rëndë sistemin tonë financiar dhe besimin tek bankat. Ndodhi një herë në prill 2001, kur nga një alarm prej emigrantëve u tërhoqën brenda pak ditëve mbi 70 milionë euro nga bankat dhe këto të fundit hynë në vështirësi për të kryer pagesat. Po të ndodhë sërish, pasojat mund të jenë edhe më të rënda. Ndoshta Guvernatori i bankës sonë qendrore i druhet pikërisht kësaj situate dhe nuk flet. Për momentin, ia vlen të presim reagimin e tregut ndaj ligjit 700 miliardësh. Edhe nëse efektet e tij do të jenë të reduktuara në ekonominë amerikane, ato prapë se prapë do t’i qetësojnë deri diku bankat dhe do të ndihmojnë në kthimin e besimit të biznesit dhe të qytetarëve tek këto institucione jetësore për shoqërinë e sotme. Po ne? Po të flisnim për pasojat më të këqija të mundshme, do të thoshim që më të ekspozuar janë emigrantët shqiptarë që kanë depozitat e tyre jashtë shtetit në banka amerikane apo në filiale të tyre në Evropën Perëndimore. Por edhe këtu, përqindja reale e riskut është në nivel 1-2 për qind. Pra, ende tejet e vogël. Banka jonë qendrore ka bërë mirë që po punon intensivisht me regjistrin e kredive dhe po instrukton bankat tregtare të shikojnë seriozisht portofolin e tyre të kredive të këqija apo me probleme. Mund të thuhet që është më e pakta që mund të bëhet. Po më e shumta? Nëse kriza financiare pushton foltoret e Kuvendit, realisht nuk dihet si do të jetë sjellja e depozituesve shqiptarë nëpër banka. Megjithatë, mediat mund të kontribuojnë dhe duhet të sjellin më shumë në emisione televizive, lajme apo faqe gazetash, opinione e raportime të ekspertëve bankarë.

Fatos Çoçoli

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›