E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ajo!



Amerikanët i thonë She (Ajo) makinës, duke respektuar dhe vlerësuar shërbimin e përditshëm, që bën ky mjet shumë i rëndësishëm njeriut.

Duke e emërtuar në këtë mënyrë, ata e “barazojnë” makinën me gruan, vajzën, Njeriun!

Makina i ka shërbyer njerëzimit që prej gati dy shekujsh. Ajo është për gjithsecilin një mjet i dashur dhe mjaft funksional që ka një ndikim në jetën tonë të përditshme, duke u kthyer në një pjesë e pandarë e jetës sonë.

Njëkohësisht psikoanalatikisht, mungesën e gruas ose të diçkaje në jetën e përditshme, shpesh, ndoshta pavetëdijshëm, shumë individë e “zëvendësojnë” me makinën, duke e quajtur Ajo.

Vlerësimi i këtij mjeti të mrekullueshëm në këtë formë, që është shpikur në shek e 18-të, tregon psikologjinë e amerikanit, që vlerëson jo vetëm njerëzit, por edhe mjetet, duke u dhënë pak nga “egoja” e tyre.

Ky koncept për sendet, mjetet dhe automjetet tregon qartë formën me të cilën edukohet individi në SHBA.

Makina e parë është krijuar në Gjermani, ishte Mercedes-Benz.

Ajo në fillim ishte një karrocë. Revolucioni industrial, zhvillimi i shkencës më pas i dhanë një zhvillim të paparë industrisë së makinave.

Sot zhvillimi i kompanive multinacionale ka bërë të mundur rritjen e prodhimit të makinave, për t’i shërbyer njerëzimit në të gjitha fushat e jetës.

Ato po përsosen me teknologji në mënyrë marramendëse.

Makina është bërë mjeti më i përdorur në të gjithë botën, krahas mjeteve të tjera të transportit.

Ajo është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik e shoqëror.

Prandaj, amerikanët e vlerësojnë shumë makinën, duke e vlerësuar si diçka që ka “shpirt” dhe është pjesë e jetës sonë të përditshme.

Jo më kot njerëzit gjatë bisedave të tyre të përditshme flasin shpesh për markën e makinës së tyre me një pasion të veçantë.

Koncepti për mjetin ndryshon nga kultura tek kultura, p.sh. austriakët thonë:

“Makina më e mirë në botë është makina që të çon nga pika A tek pika B”, megjithëse preferojnë dhe kanë makina shumë të shtrenjta dhe të markave më të njohura.

Këtu duket qartë mënyra se si kultura të ndryshme “krijojnë” lidhje me sendet dhe njerëzit.

Industria e makinave ka përparuar në formë marramendëse dhe po shkon drejt markave e formave të ndryshme.

Sot bëhet fjalë për shkrirje të gjigandëve të industrisë së makinave, duke krijuar të gjitha kushtet për njerëzit: komfort, siguri, qetësi, shpejtësi, individualitet, identitet.

Makina ka një rol të madh në psikologjinë e njeriut. Ajo zvogëlon largësitë, duke i dhënë njeriut një shtysë psikologjike të madhe.

Makina krijon gjithashtu edhe një gjendje psikologjike të mrekullueshme.

Natyra individualiste e individit shihet qartë kur e nget mjetin, duke i krijuar atij, individit, “pavarësinë” e domosdoshme.

Edhe në planin shoqëror makina lot një rol të madh. Me të vërtetë shumë individë bëjnë diferencë sociale me markat e shtrenjta dhe femrat p.sh. i pëlqejnë makinat femërore, por sot industritë po përpiqen të ulin sa të jetë e mundur diferencën sociale duke prodhuar lloje të ndryshme dhe lloje nga më të sofistikuarat e më të përparuarat nga ana teknologjike për të gjithë.

Por njëkohësisht, makina ka edhe një konotacion negativ për njerëzimin.

Aksidente të formave të ndryshme krijojnë shpesh gjendje tragjike për shoqërinë.

Por sido që të jetë, njerëzimi e vlerëson shumë këtë mjet të mrekullueshëm që na shërben për të gjithë jetën.

Jo më kot amerikanët i thonë Ajo, duke përdoruar një përemër frymor i cili i rrit vlerat shoqërore dhe kulturore këtij mjeti i cili përparon drejt një teknologjie të paparë.

Industritë e makinave janë industritë më fitimprurëse sot në botë, mbasi makina po bëhet gjithnjë e më tepër një domosdoshmëri për individin i cili kërkon mënyra për të përparuar ekonomikisht e në të gjitha planet.

Makinë fjalë për fjalë gjuhësisht do të thotë:

“Mjet i përbërë nga një tërësi pjesësh a veglash, që vihet në lëvizje me lëndë djegëse dhe që shërben për të kryer një punë të caktuar.

Rrotat e makinës, timoni i makinës, rrugë makinash, ndez makinën, hipi në makinë, ngas makinën, udhëtoj me makinë, e zë makina; janë disa terma që kanë të bëjnë me mjetin e dëshiruar dhe shumë praktik në të gjithë globin”.

Chrysler rikthen makinën që ndaloi Hitleri!

Chrysler para disa kohësh ka prezantuar Wrangler Unlimite, një model që na rikthen në modele aktuale shpirtin dhe aromën e kampioneve të para të zhdukura gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Hitleri.

Kjo veturë ndryshoi historinë e automobilizmit. U prodhuan rreth gjysmë milioni makina të tilla që zbritën me “Anijet e lirisë” për t’iu kundërvënë Hitlerit.

Chrysler ka rikthyer në frymën e aktualitetit Wrangler Unlimite, një model makine që filloi të mos prodhohej që në vitin 1946. Wrangler ka një linjë simpatike, por edhe ironike.

Ajo është tradicionale dhe ka bërë historinë e këtyre makinave që nga ‘41-shi, por tashmë është abdikuar edhe me elementë modernë të një makine.

Zot, me jep një Mercedes!

Megjithëse shumë amerikanë blejnë makinën e mrekullueshme “Mercedes-Benz”, ata preferojnë prodhimet e tyre Cadillac, Bujk dhe Ford.

Bile artistët e ironizojnë “gjigandin gjerman” nëpërmjet një kënge të një grupi të njohur me titull “Lord give me a Mercedes!” (Zot më jep një Mercedes!)

Të gjitha kulturat preferojnë prodhimet e tyre; japonezët “Toyota”, spanjollët “Seat”, çekët “Skoda”, francezët “Peugeot”, por disa tashmë i ka gllabëruar “industria e makinave gjermane”, duke i blerë dhe krijuar stabilitet teknologjik dhe siguruar shitje në të gjithë botën!!!

*Pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›