E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i amerikanit: Kosta Trebicka vdiq në aksident

Eksperti amerikan u ka dhënë fund hamendësimeve të hedhura mbi vdekjen e Kosta Trebickës. Përmes një letre të dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme, drejtuar grupit hetimor, eksperti nga Virxhinia jep konkluzionin e tij për vdekjen e biznesmenit, duke deklaruar se ngjarja ishte një aksident. “Kosta Trebicka ka vdekur si pasojë e një aksidenti automobilistik”, - thuhet në raport ku jepet edhe një dinamikë e aksidentit. Konkluzioni i dërguar pranë Prokurorisë së Përgjithshme nga eksperti amerikan, Kevin Teter, i thirrur për kryerjen e ekspertizës së automjetit të biznesmenit Trebicka, ka mbërritur me postë diplomatike dy ditë më parë në organin qendror të akuzës dhe dje ka përfunduar në duart e hetuesve që janë duke u marrë me çështjen në Prokurorinë e Korçës. Sipas burimeve, mësohet se në raportin e ekspertit amerikan, thirrur nga prokuroria jonë për ndihmë, theksohet se makina me të cilën udhëtonte biznesmeni Kosta Trebicka, dëshmitari kyç i Gërdecit, ka bërë një kthesë së fortë. “Mjeti ka bërë një kthesë të fortë dhe më pas është batuar në anën e djathtë. Për pasojë, makina ka rënë, duke zënë poshtë viktimën, i cili ka mbetur i vdekur në vend”, - thuhet në raport. Ekspertët në Korçë nuk japin detaje të tjera rreth raportit dhe faktit se pse makina ka qenë larg trupit të viktimës apo të tjera të dhëna. Ndërsa zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme njofton se raporti do të publikohet zyrtarisht vetëm pas një shqyrtimi të hollësishëm të të dhënave dhe krahasimit të tyre me të dhënat e ekspertëve shqiptarë.

Konkluzioni

Në raportin përfundimtar të ekspertizës auto-teknike, i cili tashmë gjendet në tryezën e grupit hetimor në Prokurorinë e Korçës, Teter e ka konsideruar vdekjen e Trebickës aksident të pastër automobilistik. “Trebicka ka marrë një kthesë të fortë në anën e majtë. Këtë e dëshmon edhe makina, e cila është batuar në anën e djathtë. Makina ka rënë mbi trupin e Trebickës, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme”, - bëri të ditur Prokuroria disa nga detajet në raportin e ekspertit amerikan, i cili është firmosur nga vetë Teter në prani të noterit dhe mban datën e 23 shtatorit 2008. Kevin Teter erdhi në Shqipëri pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar rreth vdekjes së Trebickës. Trebicka u gjet i vdekur në një fshat të thellë të Korçës, më 12 shtator të këtij viti. Vdekja e tij ngjalli dyshime, pasi ai konsiderohej si një nga dëshmitarët kryesorë të aferave të tregtisë së armëve mes shtetit shqiptar dhe një firme amerikane, për t’i dërguar në Afganistan. Policia e konsideroi vdekjen e tij aksident, kurse Prokuroria kërkoi mendimin e një eksperti amerikan për të dalë më pas në një përfundim zyrtar. Ishte Kevin Teter, specialist auto-teknik për aksidentet që mbërriti në Shqipëri dhe hetoi makinën e Trebickës dhe vendin ku biznesmeni u aksidentua. Hetimi për vdekjen e Trebickës konsiderohej prej ditësh i bllokuar për shkak të raportit të ekspertit amerikan, i cili mësohet të ketë mbërritur dy ditë më parë. Përmbajtja e tij u bë publike dje nga Prokuroria. Eksperti amerikan provoi që në fakt kanë ekzistuar gjithë shkaqet që vdekja e tij të ketë qenë pasojë e një aksidenti fatal automobilistik.

Mbërritja me postë

Raporti i Kevin Teterit ka mbërritur në kryesekretarinë e Prokurorisë së Përgjithshme me postë diplomatike nëpërmjet ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Ky raport, i cili ka mbërritur me një zarf ku mbishkruhej “Top Secret” dhe mbante vulën e ambasadës amerikane në vendin tonë, përmbledh përfundimet që ka nxjerrë eksperti Teter lidhur me ekspertizën auto-teknike të mjetit, me të cilin u aksidentua Trebicka. Mësohet se raporti ka një volum të madh faqesh, ku eksperti amerikan i është përgjigjur me detaje të hollësishme të gjitha pyetjeve të bëra nga grupi hetimor, si dhe përgjigje për ekspertimin auto-teknik të makinës tip “Nissan” me targa TR 8843 J”, - bënë me dije burime nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas këtyre burimeve, ky raport nga zyra e kryeprokurores Ina Rama iu adresua me postë sekrete grupit hetimor të prokurorëve të Korçës, të cilët po hetojnë zbardhjen e misterit të vdekjes së dëshmitarit kryesor të çështjes së Gërdecit, i cili u gjet i vdekur mesditën e 12 shtatorit, në aksin rrugor Lekas-Voskopojë. Kryeprokurorja Ina Rama nuk ka pranuar t’ia vërë në dispozicion këtë raport përfundimtar prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, me pretendimin se raporti do të relatohet në analizën e dosjes “Trebicka” që pritet të bëhet këto ditë, pranë institucionit qendror të akuzës nga grupi hetimor i prokurorëve të Korçës.

Ekspertiza mjeko-ligjore

Pak ditë më parë, ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore përfunduan raportin final të ekzaminimit të shkakut të vdekjes së Kosta Trebickës, që sipas tyre, vdekja e tij ka ardhur si pasojë e politraumës, shembja e kokës dhe e gjoksit, e shoqëruar me dëmtime të trurit dhe mushkërive nga mekanizmi i goditjes – përplasjes. “Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, me kërkesë të Prokurorisë së Korçës, kanë kryer tre akt-ekspertimet e fundit në lidhje me analizat bio-kimike të kryera në trupin e biznesmenit Kosta Trebicka. Në përfundim të analizave të gjakut dhe lëngjeve të marra nga organizmi i brendshëm i viktimës, ka rezultuar se Trebicka nuk ka qenë i helmuar, as i droguar dhe as i alkoolizuar”, - thonë anëtarë të grupit hetimor. Sipas burimeve të akuzës, thuhet se të gjitha veprimet e tjera hetimore në lidhje me ngjarjen kanë përfunduar, por që nuk është arritur në një konkluzion përfundimtar deri në përfundim të këtyre akt-ekspertimeve auto-teknike të makinës.

Raporti

“Kosta Trebicka ka vdekur në aksident automobilistik”

“Mjeti ka bërë një kthesë të fortë dhe më pas është batuar në anën e djathtë. Për pasojë, makina ka rënë, duke zënë poshtë viktimën, i cili ka mbetur i vdekur në vend. Automjeti i përfshirë në këtë ngjarje, si dhe shoferi, po udhëtonin në rrugë në drejtim të veriut. Duke dalë nga një kthesë, shoferi ka bërë një kthesë të fortë në të majtë, e cila bëri që pesha e automjetit të kalonte menjëherë në krahun e djathtë të përparmë. Si rezultat i këtij manovrimi të menjëhershëm dhe kalimit të peshës, automjeti u rrotullua në krahun e djathtë, duke thyer xhamin e derës së pasagjerit dhe duke hedhur shoferin në tokë nga zona e hapur e tavanit. Ndërkohë, automjeti u rrotullua në tavanin e tij, u rrotullua mbi shoferin dhe eventualisht, u kthye mbi rrota pingul në rrugë. Si rezultat i pjerrësisë së rrugës për poshtë në drejtim të lindjes, automjeti eci mbrapsht, siç tregohet nga shenjat e gomave që shkojnë nga rruga deri në pozicionin final të qëndrimit të automjetit”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›