Pavarësia e gjyqësorit nuk duhet të jetë stimul për korrupsionin
Kryeministri Sali Berisha duket se ka nisur një betejë të re publike, në fokus të të cilës janë prokuroria dhe gjykatat. Ashtu siç dhe pritej, ky angazhim është pritur me paragjykime nga ana e opozitës dhe një pjese të faktorit ndërkombëtar. Është më se normale që këta faktorë të shërbejnë shpeshherë si pararojë për të frenuar ose për të bllokuar oreksin e atij që ka mazhorancën qeverisëse, por në rastin konkret ka disa paradokse. Le të argumentojmë. Shqipëria ndodhet në hierarkinë më të lartë të kritikave të institucioneve ndërkombëtare dhe të vetë opozitës shqiptare për shkak të korrupsionit. Institucionet që zënë vendin më të veçantë për korrupsion janë prokuroria dhe gjykatat, me pak fjalë, sistemi i drejtësisë. Qytetarët shqiptarë nuk ndihen të sigurt nëse institucionet e drejtësisë janë të besueshme apo jo. Vetë ndërkombëtarët kanë kërkuar në vijimësi reformimin e institucioneve të drejtësisë, por kahja e reformës nuk duhet të ndryshojë pikëmbërritjen e saj, pavarësinë e tyre jo vetëm nga politika, por edhe nga krimi dhe korrupsioni. Edhe vetë opozita e ka në prioritetin e angazhimit të saj publik sistemin e drejtësisë, madje ka kontribuar edhe në hartimin e një ligji për gjyqësorin, që u pa si pikënisja e një konsensusi të gjerë politik për t’i shkuar deri në fund reformimit të drejtësisë. Por çfarë ndodhi? Interesi i grumbullimit të kapitalit politik mënjanoi nevojën emergjente të shoqërisë shqiptare për të pasur me të vërtetë një sistem drejtësie të besueshëm. Kryeministri Sali Berisha është i paragjykuar në çdo angazhim publik që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë, prokurorinë apo gjykatat. Si është e mundur që në çdo raport për korrupsionin gjykatat dhe prokuroria ndodhen në shkallën më të lartë të korrupsionit, ndërsa asnjë prokuror apo gjykatës nuk është ndëshkuar deri më sot për korrupsion? Ky është një paradoks i madh që kërkon zgjidhje. Qytetarët shqiptarë e perceptojnë në këtë formë dhe zgjidhja pritet natyrisht nga Kryeministri i mandatuar, pasi ai ka marrë besimin e shumicës së shqiptarëve. Nuk ka rëndësi emri i Kryeministrit, rëndësi ka përgjegjësia që një Kryeministër i caktuar merr para qytetarëve që e votojnë. Në këtë rast Sali Berisha ka ardhur në pushtet me një moto të qartë: lufta ndaj korrupsionit. Transparency International publikoi indeksin e korrupsionit dhe shifrat janë inkurajuese, por gjithsesi, qeveria ndihet ende e pafuqishme përballë këtij fenomeni. Nuk duhet neglizhuar roli i prokurorisë në luftën ndaj korrupsionit. Është një institucion kyç në suksesin apo në dështimin e kësaj lufte, prokuroria ndan përgjegjësi në këtë betejë, por problemi është se prokuroria nuk votohet as për suksesin, as për dështimin, ndaj dhe pozicioni i ekzekutivit është shumë i parehatshëm në këtë mes. Ndërkombëtarët, ashtu si edhe opozita, janë plotësisht në dijeni se me dhjetëra denoncime që dërgohen nga ana e institucioneve në varësi të Këshillit të Ministrave pranë prokurorisë nuk gjejnë mirëkuptim nga ana e prokurorëve. Ato stivohen, ndërsa zyrtarët e korruptuar nuk ndëshkohen. Shqiptarët kanë muaj që presin një përgjigje se çfarë ndodhi në Gërdec dhe këtë përgjigje e presin nga prokuroria jo nga qeveria. Ata presin përgjigje se çfarë ndodhi me Kosta Trebickën, por as këtë s’e marrin, presin përgjigje se çfarë ndodh me ata dhjetëra batakçinj që tjetërsuan pronën publike për vite me radhë, por as atë s’e marrin. Nuk dua të paragjykoj mbi shkakun e kësaj, por e sigurt është se mosveprimi i prokurorisë dekurajon luftën ndaj korrupsionit. Institucionet e drejtësisë duhet të reformohen dhe të mbeten të pavarura në të njëjtën kohë dhe ndërkombëtarët bëjnë mirë që ndërhyjnë në raste të tilla, por kjo ndërhyrje nuk duhet të shoqërohet me viktima dhe viktima më e madhe në këtë rast është lufta ndaj korrupsionit.