Kryesia vendos kandidaturat në mesjavë
Zgjedhja e strukturave të reja lokale në Partinë Socialiste ka hyrë në një fazë përcaktuese. Deputetët e saj kanë zbritur në zonat përkatëse elektorale ku po zhvillohet aktualisht një proces i gjerë propozimesh dhe konsultimesh, të cilat do të marrin formën e një vendimi final me mbledhjen e Kryesisë që pritet të mbahet në mesjavë. Procedimi në këtë drejtim ka një rëndësi në dy drejtime, që gjithsesi kombinojnë në vetvete një qëllim: maksimalizimin e rezultateve elektorale në 2011-n. Kështu, fushata ka rëndësi organizative, sepse i hap rrugë konstituimit të strukturave të reja që duhen ngritur sipas ndryshimeve të fundit në statutin e PS-së, miratuar në Kongresin e fundit. 36 kryetarë rrethesh dhe krijimi i asambleve përkatëse është një sfidë për selinë rozë, e cila me rikthimin në zinxhirin e vjetër institucional prish një ekuilibër të vendosur për gati 4 vjet. Asambleja e rrethit, sikurse institucioni i kryetarit të PS-së së rrethit, shfaqet si një entitet statutor që do të amortizojë pushtetin efektiv të krerëve të pushtetit vendor nëpër njësitë e ndryshme, të cilët me statutin e vjetër përfaqësonin hapësirën më ndikuese në strukturat e bazës. Po kështu, fushata do të duhet të zgjedhë edhe 16 kryetarë të degëve sipas njësive vendore që aktualisht nuk janë plotësuar. I gjithë korpusi i propozimeve që do të mbërrijë nga baza do të shoshitet dhe selektohet në Kryesinë e PS-së, e cila do të rikthejë ato kandidatura që mendon se janë më konkurruese. Në këtë kuadër duket se qëndron edhe sfida e radhës për ekipin drejtues, i cili ka shansin e korrektimit të disa çështjeve që kanë mbetur pezull nga proceset e së shkuarës. Këtu ndoshta vjen në mendje edhe sfida politike, e cila lidhet drejtpërsëdrejti me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2007, por edhe të atyre të 2009-s. Për kujtesë, në zgjedhjet lokale të vitit 2007, PS-ja me gjithë ekipin opozitar që asokohe përfshinte edhe LSI-në, fitoi në 10 nga 12 qytetet kryesore, por pësoi humbje thuajse të pabesueshme në disa bashki të vogla dhe një shumicë komunash që konsideroheshin si bastione të së majtës. Teksa festohej ky rezultat, kreu socialist Edi Rama, një kundërshtar i politikës së bastioneve, do të deklaronte në konferencën e parë për shtyp se selia rozë do të fillonte një proces analize për të verifikuar shkaqet dhe faktorët e këtij rezultati elektoral. Ndryshimet statutore pasqyrojnë një përpjekje në këtë drejtim, edhe pse pasojat e vendimmarrjes së Kryesisë përfaqësojnë hapin thelbësor. Në finale, procesi do të diktojë rikompozimin e Asamblesë Kombëtare dhe Kryesisë, e cila aktualisht pret një rifreskim thuajse tërësor.
#