E Shtunë, 31 Tetor 2026

71-vjeçari: Djalin e vrava, ma solli në majë të hundës

KUKES-Mbyllur në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Policisë së Kukësit, Binak Nabolli shfryn gjatë gjithë kohës në heshtje. 71-vjeçari është penduar për vrasjen e djalit të tij të vetëm 21-vjeçar. "Një baba nuk duhet të vrasë fëmijën e tij sido që të jetë ai. Kam bërë gabim shumë të madh dhe jam penduar. Im bir, Ylberi ma kishte sjellë në majë të hundës. Nuk ma dëgjonte fjalën. Nuk punonte, më kthente fjalën. E qëllova në gjaknxehtësi e sipër". Kështu ka deklaruar dje para oficerëve të policisë gjyqësore, plaku nga fshati Kostur i rrethit të Hasit. Ndërkohë, të afërm dhe pjesëtarë të familjes Nabolli dje u shprehën për "Gazeta Shqiptare", se 71-vjeçari prej më shumë se 20 vitesh kurohej, pasi vuan nga çrregullime mendore. Pas hetimeve të kryera, burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Kukësit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, dhe se familjarët e viktimës kanë tentuar që të fshehin krimin e rëndë brenda familjes.
RRËFIMI I VRASËSIT
Binak Nabolli ka pranuar autorësinë e vrasjes së djalit të tij. Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit e çështjes, ai ka pohuar se gjithçka ndodhi në gjaknxehtësi e sipër.
"Jam bërë shumë pishman se vrava djalin tim të vetëm. Babai s'duhet të vrasë birin, por këtë e bëra se shpeshherë ai nuk më bindej. Ishte i ri, por unë s'durova më se jam i vjetër. Mora pistoletën dhe e qëllova poshtë mjekrës. Çfarë t'ju them më?" ka thënë 71-vjeçari në polici. Ndërkaq, vrasja e 21-vjeçarit ka tronditur familjen Nabolli. Kushërinj të viktimës dje u shprehën se 71-vjeçari vuan nga probleme mendore. "Ai ishte plak i sëmurë mendërisht dhe kurohej që nga koha e Enverit. Djali nuk punonte, ishte si gjithë të rinjtë e sotëm. Babë dhe bir grindeshin vazhdimisht, kjo dhe për shkak të diferencës së madhe të moshës dhe mentalitetit të Binakut. Nuk gjejmë fjalë që të ngushëllojmë njëri-tjetrin për këtë që ndodhi", sqarojnë të afërmit e 21-vjeçarit të vrarë.
POLICIA
Pas arrestimit të 71-vjeçarit Binak Nabolli, policia lokale zbuloi të tjera detaje nga krimi i rëndë, të cilat priten të dokumentohen pas marrjes së dëshmive dhe mbledhjes së provave nga vendi i ngjarjes. Burime pranë grupit hetimor pohojnë se vrasja e të riut Ylber Nabolli ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës dhe jo në mbrëmje. Sipas këtyre burimeve, familjarët janë përpjekur për për ta fshehur krimin duke pretenduar për një vdekje natyrale të 21-vjeçarit. Po të njëjtat burime thonë se në fshat ishte përhapur fjala se një djalë 21 vjeç kishte vdekur nga zemra. Por një telefonatë e mbërritur në policinë e Kukësit i ka vënë në lëvizje blutë.

Forca të shumta policore kanë mbërritur në fshatin e largët që ndodhet në kufi me Tropojën. Pas kryerjes së kufomës është konstatuar se i riu ishte qëlluar me një plumb pistolete poshtë mjekrës. Menjëherë është vënë në pranga babai i viktimës si autor i krimit brenda familjes. Binak Nabolli akuzohet për "Vrasje me dashje" dhe "Armëmbajtje pa leje". Pritet që Gjykata e Shkallës së Parë e Kukësit të vendosë masën e sigurisë në ngarkim të tij. Vetëm dy javë më parë në fshatin Bradhoc të Kukësit, 36-vjeçari Avdi Laçi vrau babain e tij 74-vjeç, Sali Laçin. Sipas policisë lokale, ngjarja ndodhi për motive pronësie.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›