75 vepra penale janë regjistruar sivjet në Vërmicë

Shtimi i efikasitetit të punës nga policia ka bërë që në kufirin e Vërmicës të bie numri i veprave penale. Autoritetet e larta policore kufitare i kanë thënë Radio Kosovës se numri më i madh i veprave kanë të bëjnë me kontrabandën e narkotikëve, me theks të veçantë mariuanën dhe municion të gjuetisë.
Shtatëdhjetë e pesë vepra penale janë regjistruar gjatë këtij viti në pikën kufitare të Vërmicës që ndanë Republikën e Kosovës me të Shqipërisë, për dallim nga periudha e njëjtë kohore në të cilën janë shënuar 94 të tilla.
Zëvendëskomandanti i policisë kufitare të Vërmicës, Shaban Osmanollaj, tha se veprat janë të natyrave të ndryshme ndonëse nuk mohoi faktin se kontrabandimi i narkotikëve është më i pranishëm. Madje, sipas tij, shtimi i efikasitetit të punës ka bërë që numri i veprave penale të shënojë rënie.
Kryerësit e këtyre veprave janë nga vendet e afërta me kufirin e Vërmicës, sikurse është Kosova dhe Shqipëria nënvizoi Osmanollaj.
Ai tha se policia në këto raste i kryen detyrat në bazë të ligjit dhe udhëzimeve administrative duke iniciuar kështu procedurat për kallëzime penale të cilat iu dorëzohen Gjykatave apo edhe Prokurorive varësisht prej rastit./Indeksonline/