E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i interviston vetën për rastin “Kleçka”

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në ueb-faqen e vet zyrtare ka vendosur disa pyetje dhe përgjigje për rastin “Kleçka”. Ata e pyesin vetën se si ka ndodhur që rasti të kthehet në rigjykim, pse u është caktuar masa e paraburgimit katër të akuzuarve dhe a është ndikuar politikisht EULEX-i në këtë rast. Zyrtarët e këtij misioni përgjigjen edhe në disa pyetje të tjera. 

Më poshtë gjeni të bashkangjitur “Intervistën” e EULEX-it të postuar në ueb-faqen e saj zyrtare.

Pyetje dhe përgjigje mbi çështjet ligjore për rastin Kleçka

Pse është rihapur rasti Kleçka?

Pasi Gjykata e Qarkut në Prishtinë e ndau rastin Kleçka në dy pjesë dhe shpalli aktgjykimet, prokurori special i EULEX-it parashtroi ankesa kundër të dy aktgjykimeve.

Me 20 nëntor një panel i përberë nga tre gjykatës të EULEX-it dhe dy vendor, i kryesuar nga një gjykatës i EULEX-it në Gjykatës Supreme, ka shqyrtuar ankesën e prokurorit special të EULEX-it kundër njërit prej vendimeve dhe ka urdhëruar rigjykim për të katër individët në rastin Kleçka. Gjithashtu ankesa kundër vendimit të dytë është në pritje të shqyrtimit nga ana e Gjykatës Supreme.

Paneli ka aprovuar pjesërisht ankesën e prokurorit special të EULEX-it dhe ka anuluar vendimin e gjykatës në instancën e parë me anë të së cilit Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi ishin liruar nga të gjitha akuzat. Të pandehurit, mes tjerash, ishin akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës. Paneli po ashtu vendosi së dëshmia e Agim Zogajt, i njohur si “Dëshmitari X”, është pranueshme.

Pse katër të pandehurit u arrestuan dhe u mbajtën vetëm katër ditë pas vendimit të Gjykatës Supreme?

Tashmë prokurori ka parashtruar kërkesën për masën e paraburgimit gjatë një seancë në Gjykatën Supreme kundër katër të pandehurve. Të pandehurit dhe avokatët e tyre mbrojtës janë informuar me përmbajtjen e kësaj kërkesë. Megjithatë, Gjykata Supreme ka vendosur se aplikimi i masës se paraburgimit në këtë situate, (që përfshin anulimin e një vendimi shfajësues të instancës së parë dhe kthimin e çështjes në rigjykim) nga ana e Gjykatës Supreme nuk parashihet me ligj. Me fjalë të tjera, gjykata ka thënë se nuk mund të vendos mbi këtë çështje. Pastaj prokurori kërkesën e tij ia ka parashtruar Gjykatës së Qarkut në Prishtinë. Gjykatësi kryesues ka aprovuar kërkesën për paraburgim me 24 nëntor.

Cili është reagimi i EULEX-it ndaj deklaratave se ka vepruar në fshehtësi me rastin e arrestimit të katër të pandehurve?

Nuk ka asgjë të sekrete në lidhje me këto veprime. Qëllimi i prokurorit për të kërkuar masën e paraburgimit kundër të katër pandehurve në rastin Kleçka nuk ishte sekret. Ky qellim ishte bërë publik të martën gjatë një seance në Gjykatën Supreme. Kjo seance ishte e hapur për publikun. Gjykata Supreme ka vendosur se nuk mund të merret me çështjen e paraburgimit në kohën kur është duke vendosur për një aktgjykim të instancës së parë, ngase një gjë e tille nuk parashihet me ligj. Prandaj prokurori kërkesën e tij për paraburgim ia ka parashtruar Gjykatës së Qarkut.

Cila është baza ligjore për masën e paraburgimit kundër të katër të akuzuarve?

Gjykatësi kryesues, duke arsyetuar vendimin e tij për urdhërimin e masës së paraburgimit, ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se të akuzuarit kanë kryer krimet për të cilat ata akuzohen, po ashtu ekziston rreziku i arratisjes së tyre si dhe rreziku i manipulimit të dëshmive nga të gjithë të akuzuarit për faktin se ata janë të akuzuar për vepra të renda kriminale, e njëkohësisht për shkak të faktit se dëshmia e dhënë nga një dëshmitar i mbrojtur është vlerësuar si e pranueshme nga Gjykata Supreme në fillim të kësaj jave.

Pse u vlerësua e nevojshme masa e paraburgimit tani?

Gjykata ka vendosur se rrethanat kanë ndryshuar që kur vendimi i Gjykatës Supreme e dërgoi çështjen në rigjykim dhe shpalli dëshminë e Agim Zogajt si të pranueshme. Në kohën kur kjo dëshmi ishte e papranueshme, nuk ekzistonte rreziku se të pandehurit do të manipulonin me dëshmitë. Tani që dëshmia e Agim Zogajt është e shpallur si e pranueshme, gjykata vlerëson se manipulimi i dëshmive që mund të verifikojnë deklaratat e Agim Zogajt është i mundshëm. Sipas arsyetimit të gjykatësit kryesues, pranimi i dëshmisë së Agim Zogajt po ashtu ka rritur gjasat për arratisje. Masa e paraburgimit vihet atëherë kur të jenë plotësuar disa kushte, siç vlerësuar në këtë rast.

A kanë qenë gjykatësit e EULEX-it të ndikuar politikisht në gjykimin e tyre?

Absolutisht jo, ky ishte një vendim i gjykatës. Gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it janë plotësisht autonom dhe të pavarur ndërsa ndjekjet dhe gjykimet e tyre janë të bazuara në ligj. Ata veprojnë sipas parimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe gjyqësori si i tille nuk është i ndikuar nga asnjë akter, institucion vendor apo ndërkombëtar, siç kërkon ndarja e drejtë e pushteteve

A ishte informuar Qeveria në lidhje me zhvillimet në rastin Kleçka?

Gjyqësori është i pavarur ashtu siç edhe e kërkon vet ndarja e drejtë e pushteteve. Gjyqësori nuk ka të bëjë asgjë me politikën, dhe si i tillë nuk është i detyruar t’i informoj aktorët politik në lidhje me procedurat gjyqësore. Çfarëdo kërkese për ndonjë veprim të tillë do të ishte ndikim politik./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›