E Shtunë, 31 Tetor 2026

76.000 nënshkrime për ndalimin e procesit kundër Kurtit

(E plotësuar)
Këshilli Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit, në konferencën e dytë për media, ka bërë të ditur se pas një javë të peticionit, kanë mbledhur gjithsej 76.000 nënshkrime të qytetarëve kundër procesit gjyqësor të Albin Kurtit, ndërkohë që nënshkrimi i peticionit do të vazhdojë edhe nëpër fshatra.

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë të dielën se nënshkrimet e mbledhura për gjashtë ditë në 25 komuna tregojnë se po aq qytetarë kërkojnë që të mbyllet procesi gjyqësor ndaj kreut të Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti dhe që të fillojnë hetimet e pavarura ndërkombëtare për ngjarjet e shkurtit.

“76 mijë nënshkrime për gjashtë ditë flet shumë. Tregon se 76 mijë qytetarë kërkojnë të ndalohet procesi gjyqësor ndaj Albin Kurtit, kërkojnë hetime të pavarura të fillojnë për vrasjet e 10 shkurtit 2007. 76.000 qytetarë të Kosovës nuk guxojnë të anashkalohen as nga EULEX-i, as nga Kuvendi i Kosovës. Peticioni do të vazhdojë dhe po i lajmërojmë qytetarët se do të dalim edhe nëpër fshatra, sepse do t’ju japim mundësi edhe nëpër fshatra”, ka thënë Rogova.

Anëtari tjetër i Këshillit Valon Murati ka thënë se do të kërkohet një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe me misionin EULEX në lidhje me procesin gjyqësor kundër kreut të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

“Do të shohim javën tjetër se cili është vendimi tjetër i Këshillit për çështjes së vazhdimit apo mbylljes së peticionit. Sigurisht që ne prej aktiviteteve të para që ne do ta ndërmarrim pasi ta mbyllim këtë peticion në ditët në vijim do të kërkojmë një takim zyrtar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës z. Krasniqi për t’ia treguar këtë vullnet të qytetarëve të Kosovës edhe për të kërkuar ai një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për t’u pranuar këto dy kërkesa tash më jo të këshillit, por të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Për më tepër, Murati ka përkujtuar se Këshilli i është drejtuar me një letër shefes së diplomacisë evropiane Ketrin Eshton, duke kërkuar nga ajo që ta shfrytëzojë autoritetin e vet që të plotësohen kërkesat për mbylljen e procesit ndaj Kurtit.

“Nesër do të fillojë seanca gjyqësore ndaj z. Kurtit. Ne do të shohim se si do të procedohet. Shfrytëzojmë rastin publikisht nga Prokuroria që këtë proces ta ndalë, edhe gjithashtu nga EULEX-i që ky proces të ndalet që të mos vazhdohet që të shkohet në një rrugë qorre .Ne mendojmë se ky proces nëse vazhdon vërtet mund shkojë në rrugë qorre, dhe në atë rast sigurisht këshilli do të mendojë të marrë edhe hapa tjerë për shkak të një sensibilizimi të madh të opinionit publik”, ka thënë Murati.

Sipas tij, institucionet vendore vazhdojnë të qëndrojnë të heshtura ndaj ngjarjeve të 10 shkurtit, ndërsa ka kërkuar edhe njëherë që të bëjnë preson ndaj ndërkombëtarëve për zbardhjen e vrasjeve të shkurtit.

Peticioni për mbylljen e procesit kundër Kurtit ka nisur të hënën e kaluar në Kosovë dhe Shqipëri.

Këshilli Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit përbëhet nga 64 organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile të cilët janë të shqetësuar për rihapjen e procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit dhe për mungesën e hetimit për vrasjen e dy demonstruesve më 10 shkurt 2007.

Organizatat dhe individët e këtij Këshilli janë Rrjeti i Grave të Kosovës, Qendra për të Drejtat e Njeriut e Universitetit të Prishtinës, Çohu, Lëvizja Fol, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Forumi për Iniciativë Demokratike (FID), Alter Habitus, Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë, Emancipimi Civil Ma Ndryshe, Fondacioni për Iniciativë Demokratike (FDI), Mileniumi i Ri, Syri i Vizionit, Shoqata Kosovare për të Drejta të Njeriut dhe të Fëmijëve (KAHCR), Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore (QTSGJ), etj.

Më 15 shkurt 2010 Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX ka rifilluar gjyqin kundër Albin Kurtit nga Lëvizja “Vetëvendosje”. Kurti akuzohet për organizimin e një turme që ka kryer vepër penale, për drejtimin dhe pjesëmarrjen në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, si dhe për thirrje në rezistencë me forcë ose me kërcënim të rëndë më 10 shkurt 2007.

Atë ditë Lëvizja “Vetëvendosje!”; ka mbajtur një demonstratë paqësore në Prishtinë, por ndaj së cilës është ndërhyrë dhunshëm nga policia e UNMIK-ut. Si pasojë dy protestues paqësorë u vranë nga policia rumune e UNMIK-ut dhe më shumë se 80 të tjerë u plagosën dhe lënduan. As sot e kësaj dite policët rumunë nuk kanë dalë para drejtësisë, por pak kohë pas vrasjes, ata janë kthyer në shtëpi.

UNMIK-u mbajti Albin Kurtin në paraburgim për njëmbëdhjetë muaj dhe inicioi kundër tij një gjyq që është dënuar nga organizatat e të drejtave të njeriut në gjithë botën për shkeljet e tij të shumta. Gjyqi u pezullua në shkurt të 2008-së kur avokatët e Kosovës e mbështetën thirrjen e Albin Kurtit për të mos e mbrojtur dhe u distancuan nga ky procesi gjyqësor.

Padia kundër Albin Kurtit, nga shumë organizata vendore e ndërkombëtare u cilësua si politikisht absurde, dhe ligjërisht e pabazë. Si shembull, në dhjetor të vitit 2007 Amnesty International me korrektësi e përshkroi rastin si "politikisht të motivuar".

Lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, e ka quajtur procesin të montuar politik dhe nuk është paraqitur në seancën gjyqësore të 15 shkurtit, e cila është shtyrë për nesër, më 22 shkurt.(Kosovapress)

Albin Kurti as nesër në gjykatë

Lideri i Lëvizjes 'Vetëvendosje', Albin Kurti nuk do të paraqitet as nesër në Gjykatën e Qarkut, ku pritet të rifillojë seanca gjyqësore kundër tij.

Aktivisti i Lëvizjes 'Vetëvendosje', Glauk Konjufca, i tha Radios Evropa e Lirë, se Kurti nuk do të paraqitet në asnjë seancë, meqë konsideron se i tërë procesi është i padrejtë.

Ndërkohë, Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit, njoftoi sot se për gjashtë ditë kanë mbledhur 76 mijë nënshkrime të qytetarëve kundër procesit gjyqësor ndaj Kurtit.

EULEX- i ka rinisur procesin kundër Kurtit, në bazë të lëndës së trashëguar nga UNMIK-u.

Kurti akuzohet për organizimin e një turme që “ka kryer vepër penale, për drejtimin dhe pjesëmarrjen në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, si dhe për thirrje në rezistencë me forcë ose me kërcënim të rëndë më në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007”.

Gjatë kësaj, dy nga protestuesit, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, qenë vrarë nga shkrepja e plumbave të gomës nga ana e policëve të UNMIK-ut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›