Omer Kaleshi
Prej datës 19 janar e deri më 3 shkurt do të qëndrojë e hapur një ekspozitë e madhe në Paris, me veprat e piktorit të njohur me origjinë shqiptare, Omer Kaleshi. Kjo ekspozitë realizohet me nismën e ambasadorëve të Shqipërisë, Maqedonisë e Turqisë, dhe nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Parisit, Jerôme Coumet, si dhe të Philippe Moine, këshilltar i Bashkisë së Parisit, i deleguar për kulturën. Rreth 40 tablo të piktorit sjellin jo vetëm ehon e dramës ballkanike, por në radhë të parë portretin ballkanik në sfondin e rrugëve parisiane
Erotikë pemësh në zemër të Parisit
Omeri vazhdon rrugëtimin e tij “ciklik”. Ai është artist i cikleve, një lloj “planeti” që vërtitet në galaksinë e pikturës bashkëkohore me stinët e tij. Shumë prej cikleve të tij janë të njohura tashmë në botën e pikturës jo vetëm të diasporës shqiptare e rajonit të Ballkanit, por dhe më gjerë, në atë europiane: “Drama Ballkanike”, “Dervishët”, “Barinjtë”, “Pikturat e kuqe”, “Fëmijë dhe fruta”, “Koka në fill” apo “Nature morte” etj. Ai kurrë nuk i është drejtuar temës parisiane, edhe pse prej dyzet vjetësh jeton e krijon në Paris.
Në zemër të këtij metropoli të pikturës, ku ngjizet piktura e tij ballkanike, ai kurrë nuk është frymëzuar nga imazhet e Panteonit, Eifelit, Harkut të Triumfit, Senës apo Notre-Dame...
Dhe çuditërisht, para tre vjetësh ai u mrekullua nga një imazh në dukje i rëndomtë, por mjaft domethënës: prerja e pemëve të gështenjave të egra në bulevardin “Arago”, si dhe të plataneve në bulevardin “Royal”, trungje të trishtë, të mbetur ende me rrënjët e tyre, e që përvijonin të dy bulevardet. Pikërisht në trungjet e prera, në ato gropëza të hapura apo zgavra brenda tyre, duke prekur me duar plagën-prerje të tyre, drurin me të cilin është lidhur që në fëmijërinë e tij, atij filluan t’i shfaqen portrete të një bote të shkuar.
Portrete fëmijësh, burra, gra, jetë njerëzore, herë e trishtë dhe herë e paqtë, herë e gëzuar dhe në ekstazën e përjetimit të gjithësisë, natyrës. Dhe kështu, në telajon e bardhë në atelierin e tij, në atë aureolë kafe të trungjeve të prerë, ja ku u shfaqën portretet, “kokat” e Omerit, personazhe njerëzorë në sfondin e një trungu të prerë. çuditërisht, në disa prej tyre dhe ato vajza apo personazhe femërorë, që në transparencën e trungut shfaqnin në sfumaturë hiret e tyre, gjinj adoleshentë apo rinorë. Padyshim që kjo seri duket nga seritë më sensualë të këtij piktori, që në qendër të veprës së tij ka pasur gjithnjë dramën dhe mistikën, portretet e vagët të cilëve mezi u dallohen sytë e që megjithatë ti ndjen vështrimin e tyre. Para se të fillonte këtë cikël, Omeri më tha: “Eja të shohësh. Trungje të prerë”. Shkuam bashkë në bulevardin “Arago” dhe pamë atë “masakër” të detyruar.
Ishte një vdekje e paralajmëruar. Një epidemi që u kishte rënë dhe i kishte dënuar ata drurë njëherë e përgjithmonë.
Omeri më tregonte ato trungje të prerë me zgavrat e zeza që hapeshin brenda tyre. I prekte ato me duart e tij. Ngjanin si humnera në miniaturë, apo guvat e zeza të Courbet-së.
Madje Omeri më çoi pranë një peme të paprerë në bulevardin “Royal”, duke më treguar me gëzimin e tij, gati fëminor: “Shikoje! A nuk të kujton nudon e një gruaje” ?! Dhe vërtet, ato forma të dala të trungut, kishin formuar çuditërisht gjinjtë dhe vithet e një trupi femëror. Një erotikë e pemëve në zemër të Parisit.
Ditë dhe javë më vonë, në atelierin e Omerit pashë të shfaqeshin njëra pas tjetrës ato rrathë në ngjyrë kafe dhe të errët, herë-herë jeshilë, ku nga thellësia e tyre shfaqeshin portrete dhe fytyra njerëzore. Personazhet e tij lindin duke mbartur në sytë e tyre një lloj ngazëllimi, apo një jetë të dytë. Ato piktura s’kanë tituj apo emra. Janë sivëllezër dhe simotra të barinjve dhe dervishëve të tij, fëmijë adoleshentë apo vajza të Serbicës, veçse me një ndryshim: nëse në ciklet e mëparshme Dervishët dhe Barinjtë kanë për sfonde hapësira të pafund, horizontet e Anadollit, këto portrete janë në intimitetin e tyre, rrethuar nga druri që për Omerin është shumë e afërt, pasi fëmijëria e adoleshenca e tij ishin lidhur ngushtësisht me drurin që priste e ngarkonte në mal. Një kujtesë popullore e ballkanike është ngjizur në këto tablo me trungjet e prerë të gështenjave të egra, parisianë. Sigurisht, seria e “trungjeve të prerë” do të mbetet në krijimtarinë e tij si një cikël mjaft i arrirë dhe origjinal, i papërsëritshëm në historinë e pikturës, tepër ballkanik e simbolik, ku ngasja, frymëzimi, tema, portreti i tij kanë po atë psikologji, po atë dimension e histori: Ballkanin. Ky element nuk e kundërshton mjedisin parisian, pra kompozimin piktural - një kokë e rrethuar nga një aureolë.
Portretet herë janë dehës, herë të menduar, herë të përkulur për t’u çlodhur, apo ëndërrimtarë në pritje të një agu të ri; herë të ngazëllyer e gjer në ekstazë. Madje personazhet femra bëhen sensuale jo vetëm përmes gjinjve në sfumaturë, por dhe vitheve. Ngado nudo është gjithnjë fragmentare dhe jo e plotë. Omer Kaleshi s’ka shumë kohë që ka nisur një seri të re, që për nga forma përngjan me ciklin e tij, “Kokë dhe trungje”.
Kësaj radhe, portretet e tij shfaqen nga thellësi shportash të mëdha rustike, që dikur fshatarët mbanin në hauret e tyre.
Dhe kjo seri pikturiale, të cilën mund ta quanim “koka në shporta”, është jo e rastësishme, pasi gjithnjë, në pikturën e Kaleshit, një rol të madh luan kujtesa, e kaluara, një kujtesë jetësore emrash, fytyrash, personazhesh që zhduken e rishfaqen nëpër kohëra të ndryshme, në një dinamikë të përjetshme, sikur s’duan të shuhen në humbëtirën e harresës. Pikërisht në fundin e Luftës së Dytë Botërore, kur lufta u ndez dhe në fshatin e tij të paqtë e të humbur, Serbicë, nga frika se mos vriteshin, ai me një mikun e të atit të tij një ditë ishin fshehur në hauret e kafshëve, strukur në këto shporta të mëdha.
Dhe pikërisht kur partizanët e armatosur kishin hyrë me zhurmë, luftëtarët kishin vështruar të habitur ato koka që ngriheshin mbi shportat në gjysmë errësirë, duke parë të frikësuar nga ata.
Këto imazhe të pashlyeshme rishfaqen sot në telajon e tij të bardhë, për të na dëshmuar të njëjtën histori. Edhe pse i vetëm, Omer Kaleshi është i rrethuar nga plot miq. Në derën e shtëpisë-atelier shfaqen gjithnjë miq të shumtë dhe çuditërisht ata janë të nacionaliteteve të ndryshme: shqiptarë, maqedonas, turq, ballkanas, francezë... Omer Kaleshi, edhe pse çdo mbrëmje ngryset vetëm, apo çdo mëngjes zgjohet i vetmuar, vetmia nuk i krijon dhimbje, pasi gjithnjë në kavaletin hijerëndë do të jetë fillimi i një portreti, do të jetë një figurë që do ta shoqërojë për një kohë, dhe pas tij do të vijë një tjetër e më pas një tjetër... Omeri thotë gjithnjë se i është përkushtuar pikturës. "Po të isha martuar, përkushtimi për të nuk do ishte kaq i madh". Personazhe të shumtë shoqërojnë kështu Omer Kaleshin nëpër kohë.
Kohë përjetimi, kohë krijimi, kohë efemere në galaksinë e ngjyrave dhe formave: "Sa pak kohë për të krijuar!", pëshpërit me vete artisti. Galeria e portreteve të tij është e pafund.
çdo portret ka një histori, një ngjizje ngjyrash, elokuencë formale, substrate që duhet t’i deshifrosh pas një vëzhgimi të gjatë, portrete që të kujtojnë pasazhet e shkruara nga Balzaku në librin “Chef d'oeuvre inconnue” (“Kryevepra e panjohur”), ku mes të tjerave ai shkruan: "çdo figurë është një botë më vete, një portret, modeli i së cilit është shfaqur në një vizion sublim, ngjyrosur me dritë, vizatuar nga një zë i brendshëm, zhveshur nga një gisht qiellor, që ka treguar në të kaluarën tërësinë e një jete, burimet e shprehjes...". Natën vonë, në çatinë e asaj ndërtese të vjetër, dritat e studios së Omerit rrinë ndezur. Panteoni ka rënë në qetësi, ashtu si dhe rruga "Mouffetard", rruga e përditshme e tij... Në atë pjesë të "konstelacionit omerik" rishfaqen portrete që kërkojnë të flasin me gjuhën e tyre memece për gjëra që janë të jetës sonë, fytyra, ndjesi dhe histori të botës njerëzore. Ngjitur, njëra përbri tjetrës, tablotë e mbaruara të Omerit duket se ruajnë brenda tyre plot enigma e mistere. Mistere të krijimit, enigma të përjetimit, pikëtakime që kanë ndodhur në kohëra të largëta, apo që janë thjesht imagjinare. Portrete që duket sikur dialogojnë mes tyre, koka të prera, koka në trungje, koka mbi fill apo në shporta, krijesa të dashura dhe bashkudhëtarë të tij.
Nata është e paqtë.
Një heshtje magjike, ku i rrethuar nga këto tablo, kujtoj disa rreshta të mikut të tij, Ghill, që në esenë “Uterusi i ngjizur në dru”, shkruante: “Koka të prera, pemë të prera, fruta të shkulura nga pemët, nga fluksi i lëngut jetëdhënës. Bëhet fjalë pikërisht për vdekjen. Një vdekje e qetë, pa emfazë, statike, memece dhe do të thoshim me dëshirë: e paqtë, sepse këto koka të vdekurish kanë pamjen se ëndërrojnë hijerënda, por pa frikë dhe as gjumë vuajtjeje. është veçse ajo për çka ai të fton: të vështrosh pas shpinës së tij, sipër supit të tij, të shohësh atë çfarë ka parë ai; të shohësh atë që tregon ai. Të heshtësh disi i tërhequr”. "Ecce homo..."
#