E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 Dhjetori, Dita e Rinisë

TIRANE- Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë. Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.

Studentët protestues të dhjetorit ’90 kishin aspirata dhe ideale të larta kombëtare, të cilat mbeten shkolla më e mirë e demokracisë. Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Me lëvizjen dhe idetë e saj u bashkuan pedagogë, akademikë, intelektualë qytetarë të Tiranës dhe të qyteteve të tjera kryesore duke e shndërruar Lëvizjen Studentore në një revolucion kombëtar demokratik. Vlerat e kësaj dite bëhen gjithnjë e më shumë vlera kombëtare, sepse ndryshe nga ngjarjet e tjera 8 dhjetori nuk pati dy palë: një fituese dhe një të humbur. Koha tregoi se të fituar ishin të gjithë, shteti, shoqëria dhe individët, partitë.

Dita e Rinisë Shqiptare, 8 Dhjetori, është shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë si Dita Kombëtare e Rinisë, në kujtim të Lëvizjes Studentore të vitit 1990.
(ma.ar/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›