E Diel, 1 Nëntor 2026

8 Maji raportuesit e KiE degjojne palet. Jo per te gjykuar por per te vezhguar

Raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, senatori çek Tomas Jirsa dhe deputeti moldav Grigore Petrenca që prej 30 qershorit ndodhen në Tiranë, ku përmes takimeve me liderët politikë dhe drejtues të institucioneve të tjera po mbledhin fakte për situatën politike, për të hartuar më pas një raport.

Pasditen e së enjtes ata u takuan me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe trupën e Kolegjit Zgjedhor dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Situata pas 8 majit dhe zgjedhjet e pambyllura në Tiranë, duket se kanë dominuar takimet e tyre siç ishte ai me kryeministrin Sali Berisha edhe ai me Edi Ramën. “Jemi këtu për vëzhguar dhe jo për të gjykuar se kush ka të drejte dhe kush e ka gabim” thanë dy raporterët  pas takimit me kreun socialist.

“Diskutuam për situatën politike. Jemi këtu si vëzhgues dhe jo për të bërë  ndonjë koment, për të gjykuar apo për të dhënë këshilla”- tha Jirsa  

“Ne jemi këtu jo për të gjykuar kush është drejtë dhe kush është gabim. Jemi këtu për të dëgjuar dhe për të përgatitur raportin faktmbledhës që do të paraqitet në komitetin e monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”- tha Petrenca.

Më herët ata u takuan edhe më kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, i cili tha se veç te tjerash është ndarë mendimi i përbashkët për të ndryshuar kodin zgjedhorë në pikat ku janë konstatuar probleme.

“Ndamë mendimin e përbashkët se është e domosdoshme një reformë zgjedhore që t’i përgjigjet të gjitha shqetësimeve të vrejtura deri tani, të bëjmë më të qartë ato pjesë të procesit të cilat nuk kanë qenë të precizuara shumë mirë në kodin aktual dhe njëkohësisht që për këtë edhe ekspertiza e Komisionit të Venecias do të ishte e mirëpritur”- tha Meta.

Në axhendën e dy raporterëve ishin edhe takimet me ambasadorin e OSBE-së dhe  të Bashkimit Europian. Vizita e tyre në Shqipëri, mbyllet këtë të premte, ndërsa raporti  do të paraqitet në mbledhjen e radhës së komitetit të monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Taulanta Boja
Azhornuar së fundi ( e premte , 01 korrik 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›