E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 Marsi, PS protestë para kryeministrisë Topalli festë me gratë

TIRANE- Gratë përçahen më 8 Mars. Festime dhe protesta janë parashikuar, gjatë ditës së sotme nga grupime të ndryshme politike dhe të shoqërisë civile. Kështu gratë, mbështetëse të së djathtës do të mblidhen në Pallatin e Kongreseve, në një takim madhështor, organizuar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. I pranishëm do të jetë edhe kryeministri Sali Berisha.

Takimi i grave të djathta mbahet në 10:30, ndërsa gjysmë ore më vonë, përballë Kryeministrisë do të protestojnë gratë e opozitës. Ato kanë paralajmëruar prej ditësh protestën që do të nisë në orën 11:00, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", për të kërkuar largimin e kryeministrit Berisha.

Gratë do të mbajnë në duar parulla dhe do të lëshojnë thirrje kundër kësaj qeverie. Edhe dje, deputetet e PS-së kanë shpërndarë ftesa për protestën e sotme, ku ato kanë vendosur të shprehin "indinjatën e tyre për të gjitha problemet që nga varfëria, çmimet e larta, korrupsioni dhe mbi të gjitha për ato nëna që u veshën me të zeza e për ata fëmijë që mbetën jetimë, pasi pushteti vendosi të vrasë për të vjedhur".

Një tjetër protestë partiake është lajmëruar sot, edhe nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Forumi i Gruas i PDIU-së, me moton "Me ne për çështjen kombëtare".

Ndërkohë, shoqëria civile ka menduar që të protestojë në një cep tjetër të qendrës së Tiranës. Shoqata "Në dobi të gruas shqiptare" ka ftuar në një manifestim paqësor, gratë në orën 10:30, përballë "Bankës Intesa San Paolo", te Blloku. Me mbështetjen e ministrisë së Mbrojtjes, këtë vit, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate, në qiellin e Tiranës dhe të Durrësit do të fluturojë një helikopter, nga ku do të lëshohen mijëra fletushka me slogane për të drejtat e grave. Këtij tubimi i shtohet edhe një makinë me altoparlant dhe muzikë që do të përshkojë rrugët e Tiranës, prej të cilit do të shpërndahen mesazhe për 8 Marsin.

Ndërkohë një mesazh ka ardhur për gratë shqiptare nga gratë ambasadore në Tiranë. "Në ditën ndërkombëtare të gruas ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike, organizatave të shoqërisë civile, sektorit privat dhe medias që të tregohen aktivë për të avancuar barazinë gjinore në Shqipëri", - thuhet në një deklaratë të përbashkët të ambasadoreve të Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Polonisë, Çekisë, Egjiptit dhe disa misioneve në Shqipëri. "Ne kemi besim të plotë se kur vendi bën përparime në rritjen e barazisë gjinore, përfiton e gjithë shoqëria. Të drejtat e grave nuk janë luks për shoqëritë, por një parakusht për zhvillimin e një vendi", thuhet në këtë deklaratë.
(s.g/GSH/balkanWeb) Lidhje te tjera 8 Marsi, 100 vjet përpjekje për barazi gjinore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›