E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sëmundjet dhe kurat” e drejtësisë

09/03/2010 Gjyqësori në analizë 1-vjeçare. Kryetari i KLD-së, Bamir Topi, kërkon konsensus politik

Shumë çështje pezullohen, të munguarit dënohen më tepër. Kërkohet rritje page e investime

TIRANË- Largimi i politikës nga drejtësia, garantimi i sigurisë së gjyqtarëve dhe rritja e profesionalizmit ishin disa nga çështjet e trajtuara dje në mbledhjen e KLD-së, ku u a analizua veprimtaria e 29 gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë në Shqipëri. Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti Bamir Topi, përfitoi nga fjala e tij për t’i lëshuar disa apele politikës, duke i mëshuar më tepër numrit 84 që nënkupton për të shifrën magjike të konsensusit parlamentar në miratimin e ligjeve të rëndësishme. Gjithashtu Topi shtoi se “Sot jemi në një moment, i cili nuk duhet të na involvojë në debate politike. Kjo është e ndaluar kategorikisht për gjyqtarët. Reforma në drejtësi është e rëndësishme, ndaj dhe unë i bëj sërish apel politikës dhe legjislativit të shkojë përtej debatit të ditës e të shohë më larg. Të shohë integrimin e vendit sepse proces i liberalizimit të vizave për Shqipërinë është i kondicionuar nga reforma në drejtësi”.

Çështjet e trajtuara në analizë

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, renditi problematikat e punës njëvjeçare. Në fjalën e tij, mes të tjerave, ai tha “Sistemi gjyqësor është dinamik për nga vetë natyra e përgjegjësive që i janë dhënë, gjykatat janë tribunalë gjithmonë në fokus të vëmendjes të të gjithëve. Ky protagonizëm në jetën e vendit i dhënë me ligj, të bën mirë, sepse është privilegj të jesh gjyqtar kudo qoftë, por vjen dhe me një kosto, atë të përballjes me konflikte juridike dhe atë të përplasjes me individë dhe institucione”. Më pas Spahiu shtoi se gjatë viti 2009, të dhënat tregojnë që gjykatat kanë rritur përgjithësisht shpejtësinë e gjykimit, por pothuajse kudo, ka çështje të mbartura nga vitet e mëparshme që kanë hyrë në ‘kurthin ligjor’ të pezullimit. Sipas tij, pothuaj kudo ka gjykime që nuk ecin për shkak të fenomeneve me shtrirje kombëtare siç janë mungesa e adresave që sjellin dështim të njoftimeve, apo kërkesat për shtyrje të avokatëve dhe ekspertëve apo mosparaqitjet e dëshmitarëve. Disa nga problematikat e tjera sipas Spahiut janë aplikimi i standardeve të dyfishta analoge në Vlorë, Shkodër e Durrës, masat e sigurimit vlerësohen më të rënda në shkallë të parë sesa në shkallë të dytë gjykimi (ku situata e të arrestuarit zbutet pasi ka kaluar ca kohë nga buja e çështjes), politika e dënimit penal është më e rëndë (dhe pse jo edhe maksimale) kur i dënuari është gjykuar në mungesë. Në fund, duke përmendur disa investime nga USAID dhe Spanja, nënkryetari parashtroi në një farë mënyre edhe kërkesat e gjyqtarëve që kanë të bëjnë me sigurinë e tyre në punë dhe jetë private, rritje të rrogave për ta, si dhe shtim të buxhetit në mënyrë që këto të shërbejnë si garante për të forcuar sistemin e drejtësisë, si një ndër shtyllat kryesore të një shteti demokratik.

Problematikat

Çështjet e mbartura nga vitet e mëparshme (të pezulluara)

Mungojnë adresat që sjellin dështim të njoftimeve

Kërkesat për shtyrje të avokatëve dhe ekspertëve

Mosparaqitjet e dëshmitarëve

Gjykata me pak gjyqtarë

Gjykata e rrethit Kavajë

Gjykatat e Apelit Vlorë dhe Gjirokastër

Gjykata me shumë gjyqtarë

Gjykata e rrethit Durrës

Gjykata e rrethit Tiranë

Në sistemin gjyqësor sot ka 30 gjyqtarë më shumë në numrin e përgjithshëm (me dekretin respektiv të Presidentit të Republikës) dhe mbi 40 punonjës të administratës gjyqësore në nivel kombëtar më pak.

Ka zvogëlim të buxhetit

me 50% në gjykatën e rrethit gjyqësor Lushnjë

me 30% në gjykatën e rrethit gjyqësor Fier

me 25%, në gjykatën e rrethit gjyqësor Pogradec

me 40% në gjykatën e rrethit gjyqësor Pukë

Konstatime

Masat e sigurimit vlerësohen më të rënda në shkallë të parë sesa në shkallë të dytë gjykimi (ku situata e të arrestuarit zbutet pasi ka kaluar ca kohë nga buja e çështjes)

Politika e dënimit penal është më e rëndë (dhe pse jo edhe maksimale) kur i dënuari është gjykuar në mungesë

Presidenti i Republikës Bamir Topi

“Politika të shkojë më tej debatit

të ditës dhe të shohë më larg”

Mes të tjerave në fjalën e tij Presidenti Bamir Topi theksoi se “Sot jemi në një moment, i cili nuk duhet të na involvojë në debate politike. Kjo është e ndaluar kategorikisht për gjyqtarët. Reforma në drejtësi është e rëndësishme, ndaj dhe unë i bëj sërish apel politikës dhe legjislativit të shkojë përtej debatit të ditës e të shohë më larg. Të shohë integrimin e vendit sepse procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë është i kondicionuar nga reforma në drejtësi. Nganjëherë trajtimi mekanik sa i përket numrave është i pakuptueshëm për ata që e supervizojnë procesin e integrimit në Shqipëri. Ne vazhdimisht jemi të orientuar për të përmendur numrin e nevojshëm 84, që mund të quhet numri magjik i disa ligjeve shumë të rëndësishme që realizohen në Parlament, por kjo kërkon patjetër një vullnet". Kësisoj Bamir Topi ka lënë të kuptohet se është pikërisht PS-ja forca politike që duhet të bashkëpunojë në miratimin e disa prej ligjeve të rëndësishme në drejtësi siç është rasti më i freskët i Gjykatave Administrative, ligj që po mbahet ende peng nga politika dhe më konkretisht nga Partia Socialiste që s’po e voton.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›