8 dhjetori, Berisha: Do të shembim aleancën punisto - mafioze
TIRANË - Kryeministri i vendit, Sali Berisha, deklaroi dje në takimin me anëtarët e kryesisë së Tiranës, si dhe deputetët e këtij qarku, se manifestimi i 8 dhjetorit do të jetë shembja e murit të aleancës punisto-mafioze, që, sipas tij, po përpiqet të rritet nga dita në ditë. Sipas Kryeministrit Berisha, nëse gjatë katër viteve të mandatit të tij qeverisës, u shemb muri i krimit dhe korrupsionit, vitet në vazhdim do të shembet muri i aleancës punisto - mafioze, term me të cilin Berisha ka akuzuar së fundmi opozitën. "Ne nderojmë 8 dhjetorin, pasi së bashku gjatë këtyre 4 viteve shembëm murin e krimit, që ndante Shqipërinë me Evropën, murin e korrupsionit që kishte mbyllur dyert e integrimit të Shqipërisë në Evropë dhe vijmë më të vendosur se kurrë të shembim murin e mafies që aleanca punisto - mafioze përpiqet të lartësojë çdo ditë e më shumë. Ne qëndrojmë të vendosur në zotimin tonë për shtetin ligjor, që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë që meritojnë", - tha dje Berisha. Kreu i mazhorancës shtoi, gjithashtu, se manifestimi i 8 dhjetorit, bëhet edhe në kuadrin e proceseve integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, siç është pranimi i shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. "Sot ne nderojmë 8 dhjetorin e vitit 90, pasi Bashkimi Evropian ka pranuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, ideal madhor ky i lëvizjes studentore. Ne e nderojmë 8 dhjetorin sot në prag të realizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në mbarë Evropën", - u shpreh ai. Për këtë arsye, Berisha theksoi se të gjithë shqiptarët duhet që të jenë të pranishëm në këtë manifestim festiv, pavarësisht bindjeve të tyre politike.