Kutitë, pas 15 dhjetorit protesta në gjithë vendin
Pas 10 janarit, protestat do të përqendrohen në Tiranë për largimin e Berishës
TIRANË - Protesta në të gjithë vendin është strategjia kryesore që opozita do të ndjekë deri në bërjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 Qershorit. Nëse kutitë nuk do të hapen, ashtu siç është shprehur edhe vetë, kryetari i PS-së, Edi Rama, do të kërkohet largimi i kryeministrit Sali Berisha. Burime në PS deklaruan dje për gazetën "Shekulli" se protesta e opozitës do të përshkallëzohet në të gjitha qytetet, pas datës 15 dhjetor, për të vijuar pa ndërprerje deri në datën 10 janar. Pas këtij afati, mësohet se PS-ja do të përqendrohet me organizimin e protestave të mëdha në Tiranë, aty ku do të kërkohet edhe largimi i Sali Berishës, në rast se ky fundit nuk do të pranojë që të hapen kutitë e votimit. Pak ditë më parë, përmes një mesazhi drejtuar gjithë popullit, kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se protesta e opozitës do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë përmes një opozitarizmi, që do të jetë kudo ku shqiptarët përballen me pushtetin e së keqes.
Sipas Ramës, e vërteta e kutive të 28 Qershorit nuk mund të asgjësohet dhe se opozita ka vendosur të sakrifikojë deri në fund, për t'i dhënë fund, sipas tij, traditës së mbrapshtë të sakrifikimit të lirisë e ndershmërisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Edhe në një intervistë televizive të dhënë pak ditë më parë, Rama u shpreh se prova kryesore e opozitës është pikërisht kutia e mbyllur e 28 Qershorit, duke sqaruar njëherë e mirë se PS-ja, përmes kërkesës për hapjen e kutive, nuk kërkon ndryshimin e rezultatit. Kryetari i opozitës është shprehur, gjithashtu, se për protestat, tashmë, nuk ka afat, pasi ajo do të shtrihet dhe kapilarizohet te çdo qytetar që, sipas tij, nuk duron dot, këtë farsë në mes të Evropës. Në këtë mënyrë, pikërisht në fillim të vitit të ardhshëm, PS-ja pritet që të përqendrohet me protesta masive në Tiranë. Protesta e 20 nëntorit e zhvilluar para kryeministrisë mori një përmasë të pazakontë, gjë që solli edhe reagimin e ashpër të vetë kryeministrit Sali Berisha, duke e kaluar luftën e tij politike deri në akuza personale, jo vetëm ndaj familjes së kryetarit të opozitës, Edi Rama, por edhe ndaj gjithë atyre sipërmarrësve që sot nuk mbështesin politikën e ndjekur nga Berisha.