Shkodër, ish-pronarët: Berisha po zvarrit kompensimin
Shoqata "Pronësi me drejtësi" dega Shkodër është kundër shkrirjes së degëve rajonale të agjencive
SHKODËR - Shoqata "Pronësi me drejtësi" dega Shkodër është shprehur kundër vendimit të kryeministrit Berisha për shkrirjen e agjencive të kthimit e kompensimit të pronave në qarqe, si dhe e vlerëson këtë vendim si një hap prapa në procesin e plotësimit të kërkesave të kësaj kategorie, e cila prej 19 vitesh pret marrjen ose kompensimin e pronave të tyre të ligjshme. Kryetari i shoqatës "Pronësi me drejtësi" në Shkodër, ish-deputeti i PD-së, Ahmet Osja, shprehet se para marrjes së këtij vendimi duhej marrë në konsideratë edhe opinioni i pronarëve, pasi kjo shtresë ka qenë një mbështetje e madhe politike për të djathtën shqiptare, e cila kishte premtuar kthimin e pronave ish-pronarëve.
"Si grup interesi duhej që ish-pronarët të pyeteshin dhe përqendrimi i gjithë procedurave në Tiranë do të thotë kosto më e lartë për ata që duhet të shkojnë e vijnë atje për të marrë përgjigje, apo interesuar për pronat e tyre, zvarritje pafund të këtij procesi dhe moszgjidhje e tij", - shprehen ish-pronarët shkodranë. Nënkryetari i kësaj shoqate për Shkodrën, Zija Halluni, është treguar akoma më i ashpër ndaj vendimit të kreut të ekzekutivit, Berisha. Sipas Hallunit, kryeministri gjithnjë e më shumë po tregon se është një ish-komunist i pandreqshëm, që nuk po i integron pronarët, të cilët kërkojnë t'u rikthehet pasuria e tyre e konfiskuar nga sistemi monist. Ish-pronarët shkodranë kanë theksuar se ka qenë Berisha ai që bëri ligjin 7501 që i denigron ish-pronarët, ndërsa në vitin 1994 në teatrin "Migjeni" premtoi rikthim ose kompensim të ish-pronarëve shkodranë, gjë që nuk e ka bërë.
Pak ditë më parë, komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet e propozuara në ligjin "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës", që konsistonte në shkrirjen e degëve rajonale të agjencisë së pronave. Gjatë diskutimit të këtij drafti, u konfirmua edhe një tjetër çështje po aq e rëndësishme për ish-pronarët, pikërisht kompensimi fizik, për të cilin Berisha kishte premtuar se do ta realizonte brenda vitit të parë të mandatit të tij qeverisës. Por, kreu i AKKP-së, Elvis Cefa, ka pranuar gjatë diskutimit të draftit para komisionit parlamentar të ligjeve, se kompensimi fizik i subjekteve të shpronësuara nuk do të nisë të paktën deri në janar të vitit 2012-të.
Kjo për shkak të shtrirjes së afatit të vlerësimit të 8 mijë kërkesave që janë depozituar në zyrat e kësaj agjencie deri në 31 dhjetor 2011-ën. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk ka kompensuar ende financiarisht edhe 210 pronarët fitues të vitit 2009-të.
Shkak, sipas kreut të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, janë bërë pikërisht pronarët që kanë fituar të drejtën e kompensimit financiar për këtë vit, të cilët nuk kanë bërë ende depozitimin e numrave të llogarive bankare, ku dhe duhet të derdhen shumat përkatëse të parave. Një fakt ky pak i besueshëm kur dihet edhe interesi i madh i ish-pronarëve për tu kompensuar.