E Diel, 1 Nëntor 2026

8 maji, Berisha garanton zhvillimin e zgjedhjeve të lira

20/01/2011  Kryeministri dhe Ristani presin misionin e OSBE–ODIHR-it

Kryeministri Sali Berisha garantoi dje zhvillimin e një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor më 8 maj të këtij viti, kohë kur do të mbahen zgjedhjet lokale në vendin tonë. Këtë deklaratë numri një i qeverisë shqiptare e bëri si gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, ashtu dhe gjatë takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE–ODIHR-it, i cili po kryen në Shqipëri një vizitë me qëllim vlerësimin e nevojave për misionin e ardhshëm të vëzhgimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit. “Përpjekjet tona do të jenë totale për një proces zgjedhor të lirë e të ndershme dhe unë jam i vendosur, por dhe i sigurt, se qytetarët shqiptarë do të votojnë të lirë si gjithë qytetarët evropianë”, - tha Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Ndërsa në takimin me misionin ndërkombëtar kryeministri, pasi vlerësoi rolin e OSBE-së dhe ODIHR-it në zgjedhjet e shkuara, i siguroi bashkëbiseduesit për angazhimin e plotë të tij personal dhe të qeverisë në përputhje me rolin që i përcakton ligji për përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme sipas standardeve më të larta të OSBE-së. Në përmbushje të këtij angazhimi kreu i ekzekutivit shqiptar deklaroi mbështetjen nga mazhoranca të çdo përpjekjeje të mundshme për reformim dhe përmirësim të procesit zgjedhor me kontributin e OSBE-së, në përputhje me rekomandimet e raportit të OSBE–ODIHR-it. Kryeministri u garantoi gjithashtu mysafirëve edhe mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në përmbushjen e misionit të tyre të rëndësishëm. Në përfundim ai ftoi ODIHR-in të sillte misionin më të gjerë të mundshëm për vëzhgimin e zgjedhjeve, si kontribut për rritjen e transparencës së zgjedhjeve. Nga ana e tyre përfaqësuesit e ODIHR-it e falënderuan Kryeministrin Berisha për mikpritjen e ngrohtë, mbështetjen e dhënë dhe për ftesën për vëzhgim që qeveria shqiptare i ka bërë ODIHR-it. Ata theksuan se ODIHR-i e ka konstatuar dhe vlerësuar progresin e bërë në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, si dhe shprehën gatishmërinë për kontribuar me asistencën dhe praninë e tyre në zgjedhjet e ardhshme. Misioni i Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE–ODIHR-it po dje është takuar edhe me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani dhe me ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto si dhe me kryetarin e LSI-së Ilir Meta.

Turizmi prioriteti i dytë i qeverisë për 2011

Berisha: Ministrat duhet të bashkëpunojnë me vendorët

Përveç zgjedhjeve vendore sezoni turistik është zhvillimi i dytë më i madh të këtij viti. Për një sezon të suksesshëm turistik pritet të ngrihet Komiteti Ndërministror, i cili do të drejtohet nga Kryeministri Berisha. Për këtë gjatë mbledhjes së djeshme kreu i qeverisë ngarkoi çdo ministër të marrë përgjegjësinë për një zonë të caktuar turistike e të bashkëpunojë me drejtuesit e pushtetit vendor për të evidentuar problemet në këto zona. “Ne duhet të bëjmë këtë vit përpjekjet më të mëdha për një sezon turist më të suksesshëm. Është e domosdoshme që një komitet ndërministror i drejtuar direkt nga kryeministri të funksionojë duke filluar nga kjo javë. Zotërinj ministra, secili prej jush do të ndajë me përgjegjësi të plotë një zonë turistike në komunë turistike, në një qytet turist të vendit. Kjo ka si qëllim që të mos gjendemi para asnjë befasie, të mos ndodhë siç ndodhi vjet, që kanalet që derdhen në det u zbuluan në mesin e sezonit turistik”, - tha Berisha, duke kërkuar nisjen nga puna me grupin e punës dhe me autoritetet vendore qysh javën që vjen. Më tej kryeministri theksoi se Shqipëria duhet të jetë në të gjitha paraqitjet e saj Shqipëria turistike. Për këtë qëllim ai porositi që segmentet rrugore që çojnë drejt parqeve dhe zonave arkeologjike të vendit të kenë përparësi absolute dhe brenda muajit qershor të jenë të përfunduara. Kryeministri kërkoi gjithashtu që t’i jepet përparësi zhvillimit të turizmit malor. Njëra prej mënyrave që u propozua ishte përjashtimi nga taksat për të gjitha investimet që do të bëhen për zhvillimin e turizmit malor. “Nuk jam për taksa free, sepse ne kemi taksat e ulëta, por për resortet turistike malore le t’i përcaktojë Ministria e Financave se cilat do të jenë. Ne duhet të gjejmë rrugë dhe mënyra për t’i nxitur. Shpresoj që regjimi pa taksa 5 vjet në zonat e përcaktuara të jetë një nxitje për infrastrukturë logjistike turistike, e cila nuk ekziston”, - përfundoi kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›