E Shtunë, 31 Tetor 2026

Niset për në Afganistan Kontigjenti ushtarak OMLT 2

08-03-2012 / Gazeta 55

Sot në mesditë, në pjesën ushtarake të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” është bërë nisja për në Afganistan e Kontingjentit OMLT 2. Janë 32 ushtarakë, prej të cilëve 20 oficerë dhe nënoficerë nga strukturat e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe 12 oficerë dhe nënoficerë të Gardës së New Jersey, SHBA, të cilët do të kryejnë misionin OMLT (trajnues) në Kabul, në kuadër të kontributit në Forcën Ndërkombëtare të Asistencës dhe Sigurisë (ISAF) të NATO, në Afganistan.
Për të përcjellë trupat e OMLT-së ishte shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Viktor Berda, komandanti i Forcave Ajrore, gjeneral brigade Dhori Spirollari, shefi i zyrës së ODC në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Kevin Bosch, si dhe ushtarakë të tjerë të Forcave tona të Armatosura.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, duke u takuar me trupat e Kontingjentit OMLT 2, i uroi atyre rrugë të mbarë në këtë mision sa të vështirë aq edhe të rëndësishëm. Ai nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e këtij misioni, duke u shprehur se, pjesëmarrja jonë në trajnimet dhe operacionet e NATO-s në Afganistan e ngre në një shkallë më të lartë cilësinë e kontributit tonë në Afganistan dhe njëherësh tregon seriozitetin e shtetit dhe të Forcave tona të Armatosura për të vepruar si partnerë të denjë krahas NATO-s dhe SHBA-ve, në mbështetje të paqes dhe sigurisë në botë. Gjeneralmajor Gjunkshi shprehu bindjen se trupat e Kontigjentit OMLT 2 do ta kryejnë me nder dhe sukses të plotë këtë mision fisnik dhe do të kthehen krenar dhe shëndoshë e mirë në atdhe.
32 trupat Kontigjentit OMLT 2 kanë kryer një proces trajnimi të gjatë e të vështirë për afro 7 muaj në SHBA, Shqipëri, si dhe në Qendrën e Vlerësimit dhe Certifikimit të NATO-s në Gjermani, duke realizuar dhe plotësuar të gjitha standardet më të përparuara të Aleancës. Misioni i tyre do të jetë trajnimi dhe aftësimi i trupave të ushtrisë afgane.  Komandant i kontigjentit është nënkolonel Enver Lako, ndërsa majori amerikan Richard Karcher, do të kryejë detyrën e zëvendëskomandantit të këtij kontingjenti. Kontingjenti OMLT 2 do të zëvendësojë Kontingjentin OMLT 1, i cili vijon të kryejë misionin e tij në Afganistan përkrah ushtarakëve të vendeve aleate.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›