Njohjet ndihmohen nga dialogu dhe stabiliteti
Ata që insistojnë se dialogu dhe marrëveshja për anëtarësimin e barabartë si shtet në organizma ndër-qeveritarë ka dëmtuar procesin e njohjeve, me gjasë nuk dinë të numërojnë, por nuk dinë as të lexojnë notat verbale. Njohja e Kosovës si republikë e pavarur dhe sovrane me zë dhe prezencë të mëvetshme në bashkësinë ndërkombëtare, prej fillimit është dashur të zbatohet paralelisht në tri fusha distinktive, por ish-Ministri nga radhët e LDK-së ka qenë shumë i fokusuar në fushëveprim të ngushtë, kryesisht të bazuar në qëndrime shumëjavëshe në Nju Jork. Fusha e parë e njohjeve bilaterale ka qenë fokusi ekskluziv i MPJ’së që nga themelimi. Ky proces është fuqizuar me punën e Z. Pacollit edhe përpara si deputet, por edhe tani si Zëvendëskryeministër, por edhe Presidentes Jahjaga që ka luajtur rol të rëndësishëm në promovimin e Kosovës stabile dhe progresive. Ministri Hoxhaj dhe MPJ mbetet bartëse e komunikimit të përditshëm me kryeqytetet mike dhe lobimit për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike. Njohjet bilaterale janë shpeshtuar me punën e madhe më 2011 dhe kanë vazhduar me ritëm të mirë këtë vit. Shumë njerëz harrojnë se teksa zvogëlohet sfondi i shteteve të gatshme të na njohin, matematikisht është dashur të zvogëlohen edhe njohjet, por ato kanë mbetur me ritëm të mirë më 2011 dhe 2012 dhe s’do mend se Kosova së shpejti mund të jetë e njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të botës. Është e natyrshme që fokusi i politikës së jashtme të jetë i fokusuar në këtë ritëm të njohjeve, por po ashtu është e qartë që Kosova është në rrugëtim stabil, shumë më të suksesshëm se rastet e tjera të kontestuara të bërjes së shteteve.
Në anën tjetër, kohë e çmueshme është humbur në vitet e para të pavarësisë që shtetësia të çimentohet edhe në planin shumëpalësh, në organizata dhe instrumente të ndryshme. Është e vërtetë se një pjesë e bllokadave është bërë nga shtetet që mbajnë veto, por po ashtu është më se e vërtetë se ish-Ministri Hyseni nuk ka lënë ndonjë gjurmë pune në fushën e multilateralës. Një zyrtar i vetëm, nga dy qind nëpunës të MPJ-së, e ka mbuluar edhe NATO-n, edhe BE-në, edhe organizatat rajonale si RCC. Mungesë totale e prioriteteve dhe resurse joadeukate kanë shkaktuar që Kosova të ngecë në nivelin e përfaqësimit multilateral. Në një farë mënyre, ishim shtet me të cilin shumica shihen jak-a-jak, por jo edhe në shumicën e tryezave të përbashkëta. Në këtë fushë, MPJ që nga vjeshta ka filluar një proces të rifreskimit të mbledhjes së informacioneve dhe përpilimit të planeve individuale të veprimit ndaj organizatave, konform Strategjisë për Njohje të aprovuar gjatë verës së kaluar. Në 8 organizata të identifikuara kemi filluar avokimin e drejtpërdrejtë. Verës u arrit Rezoluta e Konferencës Islamike me të cilën u thirrën shtetet të njohin Kosovën. U realizuan vizita të rëndësishme fillestare në organizata ndërkombëtare.
Në ndërkohë tentativave diplomatike kosovare një shtytje të madhe u ka dhënë Marrëveshja e arritur në kuadër të dialogut teknik. Siç u shpreh mjaft drejtpërdrejt edhe Sekretarja Clinton, marrëveshja e arritur në Bruksel në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë në formulën e emërimit, krijon një sërë të re mundësisht për njohje edhe në plan bilateral, por edhe në përforcim të pakthyeshëm të pozicionit në organizma rajonalë, pa ndërmjetësues. Kosova ka tani edhe argumentin përfundimtar se tashmë ka edhe marrëveshje në mes dy palëve për barabarësinë dhe anëtarësimin e Kosovës në organizma ndër-shtetërorë, një kapixhik i vockël ky që me kohë veç sa do të hapet. Kina e Rusia kanë deklaruar moti që do të pranojnë marrëveshjet midis palëve, dhe kjo marrëveshje medoemos, por me kohë do të sjell te rikalibrimi edhe në nivelin e Këshillit të Sigurimit. Janë qindra organizma, trupa, agjenci, marrëveshje dhe instrumente tjera shumëpalëshe në nivel të rajonit apo BE-së, ku mund të kërkojmë anëtarësi, votë, e aty ku duhet, edhe të drejtën e vetos. Hapat që mbesin tutje janë bashkëpunimi intensiv në mes të BE-së dhe zyrës së Cooperit në njoftimin e organizatave dhe aplikimin pasues për anëtarësi. Me shumë punë dhe vullnet të mirë ndërfqinjësor, Kosova shumë shpejt do të duhej të merrte karriget e vet në tryezën e fqinjëve dhe shteteve anëtare të BE-së. Me shumë shtete do të takohemi për herë të parë zyrtarisht, si homologë, ndërsa në shumë agjencione të BE’së, ku ndahen fonde reale dhe mjaft konkrete, Kosova në muajt në vijim do të anëtarësohet për herë të parë. Me apo pa fusnotë, prezenca kosovare do të jetë vetëm në tavolinat ku mblidhen shtetet dhe aty ku përdoren flamurët e të gjithëve do të përdoret edhe flamuri i Kosovës. Kosova do të ketë votë, e aty ku përshkruhet si e mundshme, do të ketë edhe veto. Sekretarja Klinton ju ka referuar pa hamendje dhe e informuar mirë për konsekuencat pozitive në thellimin e argumentimit për njohje. Tek e fundit, e kemi edhe notën verbale të fundit nga një vend europian, atë të Andorrës, e cila thirret mu në dialogun me Serbinë si arsye të njohjes së Kosovës.
Por, nëse në njohje bilaterale gjërat janë përmirësuar, ndërsa në njohje shumëpalëshe marrëveshja pritet të optimizojë njohjet, fusha e tretë e njohjeve është ajo ku kemi ngecë më së shumti. Kjo është prezenca dhe njohja jonë në Internet. Me mijëra dhe mijëra ueb sajte lajmesh, moti apo shopingu, rrjete sociale, instrumente të referencimit gjeografik në Internet, etj. nuk e njohin Kosovën si shtet. MPJ as që ka menduar për këtë gjë dhe e vetmja punë në njohjen e Kosovës është bërë nga vetë qytetarët dhe aktivistët në Internet që sa kanë mundur dhe ditur kanë shtyrë çështjen e njohjes së Kosovës. Uikendin e kaluar, MPJ organizoi punëtorinë e parë për përpilimin e një strategjie kombëtare për njohje të Kosovës në “patundshmëritë” në internet, komunikim më aktiv dhe transparencë online si dhe përfitim të sufiksit në organizatën ICANN. Mysafirë ishin nga ish zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit deri tek ekspertë vendorë dhe përfaqësues të institucioneve. Qëllimi është që në një kohë rekorde të përpilojmë një kornizë vepruese, të krijojmë ekipe dhe para pranverës të fillojmë lobimin aktiv që Kosova edhe në Internet të jetë e njohur. Puna e madhe që bëhet çdo ditë me probleme të trashëguara nga Ministri i kaluar i LDK-së, njihet nga ministritë simotra europiane që po përkrahin për herë të parë MPJ-në kosovare me donacione, praktikantë dhe trajnime, nuk do të zhvleftësohet me deklaratat e zbehta të një pjese të opozitës që sot e kësaj dite nuk e kanë të qartë se dialogu, integrimet europiane dhe njohjet janë procese të pandashme të krijimit të një anëtari të ri të bashkësisë ndërkombëtare.
Autori është Zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës