Basha: Zgjatimi i bulevardit do e vërë qytetin në trajektoren e një qyteti modern. Berisha: T’i kthejmë Tiranës vizionin e munguar

7 studio arkitekturore botërore prezantojnë projektet dhe masterplanet e tyre për zgjatimin e bulevardit nga stacioni i trenit në drejtim të Paskuqanit. Gjithashtu masterplani përfshin edhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha morën pjesë në këtë konkurs, fituesi i të cilit do të shpallet nga një juri ndërkombëtare e specializuar. Në fjalë e tij, kryeministri Berisha akuzoi ish kryebashkiakun, Edi Rama se i humbi vizionin Tiranës
UPDATE- Shtatë studio të njohura arkitekturore kanë nisur sot garën në Tiranë, për projektin e Bulevardit dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës. Studiot Arkitekturore: DAR Group Turkey & United Kingdom, West 8 - The Netherlands, Albert Speer & Partners - Germany, Cino Zucchi Architetti - Italy, Gerkan, Marg & Partners - Germany, Kees Christianse & Partners - The Netherlands, Grimshaë Architects - United Kingdom po prezantojnë masterplanet për zgjatimin e Bulevardit, deri tek lumi i Tiranës, me gjatësi 1.7 km dhe për zhvillimin e sipërfaqes përreth saj, prej 132.8 ha. Po kështu, këto studio sjellin dhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, prej 6.7 km dhe zhvillimin e zonës përreth. Shtatë studiot arkitekturore do të paraqesin dhe propozime për zhvillimin e zonës, nga lumi i Tiranës deri në Paskuqan, përfshirë edhe zgjatimin e Bulevardit si dhe për zhvillimin e Kodrave të Paskuqanit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha tha se ky projekt do ta vendosë përfundimisht Tiranën në trajektoren e një qyteti modern europian, të denjë për sfidat e shekullit të XXI. “Gjurmët e këtyre studiove arkitekturore nuk janë thjesht gjurmë, ato mund të shikohen edhe nga jashtë planetit, janë qytete të tëra të ndërtuara e rindërtuar rishtas, nga Australia, Kina, SHBA, Gjiri Persik si dhe rikualifikime urbane nga më të guximshmet të cilat kanë transformuar tërësisht fizionominë e qyteteve 1000 dhe 2000 vjeçare, në territorin e kontinentit tonë. Shquhen për guximin, inovacionin, konsistencën, përvojën dhe besueshmërinë në ekzekutimin e këtyre projekteve, që me të vërtetë kanë shndërruar planetin tonë në 50 vitet e fundit dhe mund të them se sot të gjithë ndiejmë një krenari legjitime, që kemi këtë potencial të jashtëzakonshëm, të pranishëm në këtë konkurs kaq domethënës për qytetin tonë. Ndryshimi që ky konkurs parathotë për një pjesë të mirë të qytetit nuk është një ndryshim që mund të vijë brenda natës, veçanërisht në një projekt kaq domethënës dhe të madh sa ky, por unë jam shumë i lumtur për besimin e jashtëzakonshëm që demonstron prania e këtyre potencialeve të jashtëzakonshëm, të fushës së arkitekturës urbane, në qytetin tonë, tek potenciali i Tiranës, tek shpresa, mundësia për një Tiranë Europiane, për një Tiranë, ku të punohet, jetohet, shijohet jeta më mirë”- u shpreh kryetari i bashkisë, z.Lulzim Basha.
Sipas tij, zgjatimi i Bulevardit dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës do të sjellë ndërtimin e një poli të ri ekonomik, hapjen e mijëra vendeve të reja pune, përmirësimin e cilësisë së jetës etj. Gjithashtu, ndërhyrjet në infrastrukturë pritet t’i japin zgjidhje një sërë problemesh në kryeqytet të cilat lidhen me reduktimin e trafikut dhe me uljen e ndotjes sidomos në zonën ku kalon lumi Tirana. “Ky projekt do të rivitalizojë tërësisht 1/5 e qytetit të Tiranës, do të ndërtojë një pol të ri ekonomik, i cili do të hapë me mijëra vende pune, do të ndihmojë në përmirësimin e trafikut, do të hapë aksese të paimagjinuara më parë për qytetarët, të moshuarit, fëmijët e kryeqytetit, aksese në hapësira të gjelbra, parqe argëtuese, në hapësira ujore, pra do të përmirësojë tërësisht cilësinë e jetës në Tiranë, por mbi të gjitha do ta vendosë përfundimisht Tiranën në trajektoren e një qyteti modern europian, të denjë për sfidat e shekullit të XXI”- tha më tej Basha.
Berisha: Ish kryetari i bashkisë, Edi Rama i humbi vizionin Tiranës
Duke e konsideruar organizimin e këtij konkursi “ngjarje të madhe për qytetarët e Tiranës dhe mbarë shqiptarët”, Kryeministri tha se projekti i ri do t’i japë Tiranës një dimension të ri urbanistik që nuk ka mundur ta ketë deri tani, si pasojë e mungesës së vizionit, një “dimension që qyteti mezi e pret”. Kryeministri garantoi se qeveria do të punojë ngushtë me bashkinë, për t’i shndërruar në realitet projektet për zhvillimin e kryeqytetit.
“Shqiptarët presin me padurim Tiranën e këtij shekulli, Tiranën në funksion të qytetarit, Tiranën si një metropol i ri europian, Tiranën që të harmonizojë në mënyrën më të shkëlqyer të gjithë potencialet e saj e të vazhdojë të luajë rolin kryesor në zhvillimin e vendit. Ata, të cilët ndalen dhe studiojnë pozicionin e këtij qyteti do të gjejnë se është një nga pozicionet më unike që mund t’u kapë syri, jo vetëm në rajon, por edhe në kontinent e më gjerë. I vendosur rrëzë malesh të veshura gjer në majën e tyre me drurë, i rrethuar nga një gjerdan kodrash, që tërhoqën aq shumë Edëard Lear në veprat e tij kushtuar kodrave ondulante të Tiranës, në një rrafsh që i krijon individit hapësirën e pamasë dhe vetëm 35 kilometra nga deti, ky kryeqytet meriton derdhjen e gjenive më të shquara krijuese dhe nxjerr në pah të gjithë madhështinë e veprave të ndërtuara në të. Besimi im i madh është se kemi të bëjmë me një fillim të ri, historik. Qyteti ka shprehur dhe shpreh më shumë se çdo gjë tjetër kohën dhe sistemet. Këto që trashëgojmë sot, me të cilat edhe mburremi se qëndrojnë, i përkasin kohërave të themelimit të Tiranës, të projekteve urbanistike dhe ndërtimeve nga urbanistë e arkitektë nga më të shquarit e asaj kohe. Më vonë ra në një fatkeqësi, sa do të ishte e vështirë të dalloje atë që ndodhte në rrugët e sheshet e saj, me atë që ndodhte në rrugët e sheshet e Ulan Bator-it. Tani, Tirana pret këtë fillim. everia shqiptare do të punojë ngushtë me bashkinë, për t’i shndërruar ato në realitet dhe për t’i inauguruar ato, së bashku, sa më shpejt. Dhe ky është vetëm hapi i parë i madh i një Tirane metropol europian”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë akuzoi ish kryetarin e bashkisë së Tiranës, Edi Rama se duke qenë një piktor i dështuar, kishte humbur vizionin për Tiranën. Sipas tij, Tirana ka humbur shumë vite, ndërsa sot është koha që të fitohet çdo “kohë e humbur”, për kthimin e Tiranës në metropol evropian.
“Tirana, duhet të jemi realistë, ka humbur disa vite dhe kjo jo për faj te qytetarëve e saj, por, para së gjithash, për mungesën e vizionit të paraardhësit tuaj, zoti kryetar. E theksova këtë moment për t’ju thënë qeveria do t’ju mbështesë fuqishëm në projektet ambicioze për ndërtimin e Tiranës së këtij shekulli, sikundër qeveria do të mbështeste pavarësisht nga ngjyrat partiake, çdo të votuar të qytetarëve të Tiranës, në ambiciet e tij për t’i dhënë Tiranës dimensionin e munguar, për t’i dhënë Tiranës mundësitë për të zhvilluar të gjitha potencialet e saj, për t’i dhënë tregut të kryeqytetit energjinë, dinamizmin që meriton. Paraardhësi yt ishte një piktor dhe duhet të them i dështuar jo për faktin se nuk i shiteshin veprat në treg, por se nuk kuptonte se njerëzit kanë nevojë jo vetëm të shohin, por kanë nevojë edhe të ecin dhe kjo është urbanistika. Ky është dimensioni që ju i jepni Tiranës, me projektin që do përzgjidhni, dimension, të cilin qyteti mezi pret. Le ta konsiderojmë këtë një fillim të madh e premtues për Tiranën metropol europian. Sa herë që lexoj shkrime të turistëve që thonë se në këtë qytet nuk ka shumë gjëra për të parë, për të mos thënë më keq se kaq, vjen si lëndim tek unë. Atëherë, ne duhet të bëjmë gjithçka që shqiptarët të kenë sa më shumë gjëra që të duan në kryeqytetin e tyre dhe të huajt të kenë sa më shumë gjëra për të vlerësuar në këtë kryeqytet dhe kjo do të ndodhë kur Tirana të ndjekë rrymën e zhvillimit të kryeqyteteve europiane, duke pasur epërsinë e jashtëzakonshëm mjedisor e të pozicionit të saj gjeografik, të pakrahasuar me asnjë qytet tjetër”- deklaroi më tej, kryeministri Berisha.
Juria përbëhet nga
Z.Daniel Libeskind - një prej baballarëve të arkitekturës moderniste dhe postmoderniste, autor I veprave gjigande jo vetëm për nga përmasat, por edhe nga impakti në shoqërinë njerëzore, në fundin e shekullit të kaluar dhe fillimin e këtij shekulli, fituesit të një prej konkurseve më në zë të 20 viteve të fundit, të rindërtimit të Qendrës Botërore Tregtare, në Manhatan Neë York dhe një prej autoriteteve më referencialë nga arkitektët, urbanistët, anembanë botës.
Dr.Sarah Ëhitting - Dekane e shkollës së Arkitekturës, në Universitetin Rice, një nga zërat më me influencë në botën akademike, në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës dhe po kështu një nga praktikueset më të kërkuara e të lakmuara në këtë fushë dhe publicist që ka lënë dhe vazhdon gjurmë të thella në doktrinën arkitekturore botërore.
Dr Philip Road - Drejtor ekzekutiv i Shkollës Ekonomike në Londër, një nga pionerët dhe shtyllat kryesore të doktrinë së re urbaniste, në një nga institucionet më të shquara të botës e cila po përgatit terrenin e metropoleve dhe qyteteve të shekullit të XXI dhe XXII.
Giles Robin Dolphin - Ish-Kryeurbanist në Londër, detyrë të cilën e ka mbajtur për një kohë të gjatë në dy kryebashkiakët e fundit të këtij qyteti, këshilltar i Kryebashkiakut aktual, Boris Johnson, dhe kryebashkiakut të mëparshëm, Ken Livingstone, i nderuar me çmimet më të larta për kontributin e tij, në shërbim të interesave të qytetarëve të Londrës, në shërbim të interesave të publikut, në një nga ndërmarrjet më transformuese, në një nga qytetet më të mëdha e të rëndësishme të globit.
Prof. Agron Lufi - Nuk ka nevojë për një prezantim në detaje për këtë audiencë, për atë që e njohim si zërin më autoritar të arkitekturës dhe urbanistikës në Shqipëri e rajon.
Prof. Apolon Baçe - Drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Znj. Ulrike Bega - Këshilltare në Bashkinë e Tiranës
Z.Flamur Kuçi - Këshilltar për Zhvillimin e Planifikimin e Territorit pranë Këshillit të Ministrave dhe koordinator për përpjekjen e madhe për Planin e Ri Urbanistik të Tiranës.