E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 vjet nga tragjedia e 9 janarit. Familjarët e viktimave ende kërkojnë drejtësi

Viktimat e tragjedisë së 9 janarit 2004

Si sot 8 vjet më parë, 28 persona nga qarku i Shkodrës do të humbin jetën në ujërat e ftohta të Jonit, në përpjekje për tu larguar drejt një jete më të mirë.

Më 9 janar 2004, një gomone me 36 klandestinë u nis nga gjiri i Palasës, në përpjekje për të mbërritur në Itali.

Për shkak të motit të keq, dallgëve të larta dhe errësirës, udhëtimi i tyre drejt shpresës, i cili i kishte kushtuar secilit prej tyre të paktën 1500 euro, përfundoi në ujërat e thella të Jonit.

20 prej viktimave u gjetën, ndërsa 8 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Të 28 viktimat ishin pothuajse të gjithë të moshës nën 35 vjeç.

Asokohe, kryeministri Berisha, i cili ishte në opozitë, u bë zëri më i fortë në mbrojtje të familjarëve të viktimave, duke u thënë se do të bëhej avokat mbrojtës i tyre në zbardhjen e tragjedisë dhe vënies para ligjit të shkaktarëve të saj. Por duket se edhe ky ishte një premtim paraelektoral.

Prej 8 vitesh, familjarët e viktimave të tragjedisë së Karaburunit vijojnë të kërkojnë drejtësi për të afërmit e tyre. Edhe në këtë 9 janar, ata shprehen se tragjedia e vitit 2004 kërkohet të harrohet nga të gjithë. Jemi më të fyer, më të poshtëruar dhe më të zhgënjyer se kurrë, thanë ata.

Një vit më parë, tragjedia e 9 janarit u përkujtua nga familjarët e viktimave me anë të një proteste të zhvilluar para Kryeministrisë, ku autoriteteve iu kërkua nxjerrja para drejtësisë e funksionarëve të lartë të asaj kohe, të Ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Brendshme, që sipas familjarëve të viktimave lanë të mbyteshin në brigjet e Karaburunit 28 të pafajshëm që po kërkonin të largoheshin nga vendi për një jetë më të mirë.

Gazmira Ndoja / Redaksia Online

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›