E Diel, 1 Nëntor 2026

80% e fëmijëve me aftësi të kufizuar, të paarsimuar

Në çdo dhjetë fëmijë me aftësi të kufizuara, vetëm dy arrijnë të marrin arsim, ndërkohë që të tjerët nuk kanë asnjë kontakt me shkollën, pasi në to nuk ekziston infrastruktura e nevojshme. Shifra alarmuese janë prezantuar dje nga Fondacioni Shqiptar i të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara, gjatë prezantimit të monitorimit të zbatimit të strategjisë së miratuar nga qeveria.

4.534 fëmijë të paarsimuar

Në total në mbarë vendin janë rreth 5.700 fëmijë me aftësi të kufizuara, por 4.534 prej tyre nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të mungesës së infrastrukturës. E ndërkohë, as në institucionet më të larta shtetërore nuk ekziston infrastruktura e përshtatshme. Në këtë situatë, zëvendëskryeministri z. Genc Pollo u shpreh se po merren masa, duke ndryshuar standardet e deritanishme.

“Ne kemi miratuar një manual të ri mbi standardet e reja në bazë të të cilave duhet të ndërtohen shkollat. Aty përfshihet gjithçka, duke nisur nga rampet dhe një sërë zgjidhjesh të tjera arkitektonike, të cilat ia bëjnë më të lehtë fëmijës me aftësi të kufizuar, që është në karrocë, apo ka një tjetër paaftësi që të shkojë në shkollë, klasë, në tualet etj.”, - deklaroi zv.kryeministri Genc Pollo.

Shqipëria “ngel në klasë”

Vendi ynë nuk merr notë kaluese në asnjë prej kushteve të personave me aftësi të kufizuara, me përjashtim të përshtatshmërisë së infrastrukturës, që merr 5.08. Në sondazhin e organizuar nga fondacioni, 51.8 % e konsiderojnë gjendjen e tyre financiare të vështirë, ndërkohë që vlerësojnë me notë pakaluese shanset për punësim, formimin profesional, pjesëmarrja në vendimmarrje në nivel lokal, si edhe e cilësojnë si të vazhdueshme diskriminimin në jetën e përditshme.

Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Anastas Duro, deklaroi se këtë vit është shtuar numri i përfituesve të pensionit të invaliditetit, duke shkuar në mbi 100 mijë vetë, kanë marrë pagesë kujdestarie mbi 12 mijë njerëz që iu shërbejnë atyre. Sipas tij, strukturat e KEMP-it, grupet e mjekëve që lëshojnë raportet e daljes në KEMP do të rishikohen.

“Të dhënat e raportit të monitorimit u grumbulluan përmes dy vëzhgimeve në 6 rajone të vendit, Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Korçë. Analiza e gjetjeve tregon se ka pasur progres në 41 për qind të të gjitha masave”, – deklaroi fondacioni. Në aktivitetin e zhvilluar morën pjesë zëvendëskryeministri Genc Pollo, ministri i Punës Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, Drejtoresha e Misionit të USAID-it, Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar në Shqipëri, Roberta Mahoy.

Sondazhi

51.8 % e konsiderojnë gjendjen financiare të tyre të vështirë

5.08 nota me të cilën vlerësojnë përshtatshmërinë e infrastrukturës

4.89 notë pakaluese shanset për punësim

4.91 notë pakaluese për formimin profesional

4.88 notë pakaluese pjesëmarrja në vendimmarrje në nivel lokal

4.97 notë pakaluese diskriminimi në jetën e përditshme

Arsimimi

4.534 fëmijë, me nevoja të veçanta të moshës 6 deri 18 vjeç, nuk marrin asnjë lloj arsimimi

888 fëmijë, në arsimin special

219, në shkollat normale

106 u integruan në kopshte

Pagesat

100.246 persona PAK

55.754, me pagesë paaftësie

44.852 pension invaliditeti

12.842 kujdestarë në familje me asistencë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›